Projekti 100 fshatrat, efekti i pamatur, KLSH: S’ka raporte vlerësimi e as struktura mbikëqyrëse

Sep 19, 2022 | 11:40
SHPËRNDAJE

Projekti i 100 fshatrave i nisur nga qeveria Rama si një formë për të përqendruar vëmendjen tek zhvillimi rural pas “Rilindjes Urbane” po zbatohet prej disa vitesh por efektet e tij mbeten të panjohura.

20220711_140531-scaled

Të paktën deri më sot nuk ka një raport vlerësues të asaj që është arritur dhe ndikimit që një projekt si ky ka dhënë në zonat ku ka shkuar mbështetja buxhetore. Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të fundit me fokus projektin “100 Fshatrat” nënvizon se pamundësia për të matur efektet dhe për të dhënë një ide të qartë vjen për shkak të mungesës së koordinimit institucional për të hartuar plane vjetore dhe për të ndjekur në detaj objektivat.

“Në institucionet objekt auditimi MBZHR, MTM, MIE dhe MK, nuk ka patur: dokumente strategjike në lidhje me menaxhimin e programit 100 fshatrat të shoqëruar këto dhe me raporte monitorimi, relacione, vendime, udhëzime, analiza ose studime që lidhen me zhvillimin e programit 100 fshatrat. Gjithashtu nuk ka as plane pune vjetore të hartuara për periudhën e zbatimit të programit qeveritar për 100 fshatrat (2018-2021). MBZHR si drejtuese e strategjisë bazuar në VKM nr. 21, datë 12.1.2018, “Për disa shtesa në VKM nr. 709, datë 29.10.2014, “Për miratimin e strategjisë ndërsektoriale për zhvillimin rural dhe bujqësor 2014–2020”, nuk ka përfshirë në raportet e monitorimit të kësaj strategjie, programin e 100 fshatrave” thuhet në dokument.

Gjithashtu auditimi konstaton se  afati 3 vjeçar i zbatimit te projektit nuk është në përputhje të plotë me vetë termin e “Zhvillimit ekonomik”, pasi konceptimi i këtij termi nënkupton procese që kërkojnë kohëzgjatje kohore më të gjatë.

Ndërkohë problematike në zbatimin e një projekti kaq të madh është shpërndarja në disa institucione.

“Nuk janë ngritur nga ana MBZHR, MTM, MIE dhe MK strukturat e posaçme, të cilat do të bëjnë të mundur administrimin, bashkërendimin, koordinimin, zbatimin dhe monitorimin e “Programit të 100 fshatrave”, sipas ndarjes së qartë të roleve dhe të autoritetit përkatës, për rrjedhojë nuk ka as monitorim të punës së kryer nga ana e tyre” vlerëson KLSH.

Po kështu nënvizohet se nga dokumentacioni i vënë në dispozicion në subjektet objekt auditimi rezultoi se komisioni ndërministror nuk ka funksionuar, pasi nuk ka asnjë të dhënë mbi përbërjen e këtij Komisioni dhe ndryshimet nëse ka, se nga kush udhëhiqet ky komision, minuta takimi të punës së tij, etj.

“Gjithashtu nuk ka asnjë të dhënë se sa vendime janë marrë nga ana e këtij Komisioni në lidhje më çështjet që lidhen me administrimin, programimin, financimin, zbatimin dhe monitorimin e programit, sa projekt ide janë administruar në Komision dhe sa nga to janë miratuar, nëse ka dhe sa ka bashkëpunime me bashkitë dhe agjencitë rajonale të zhvillimit, si dhe me partnerë të tjerë publikë apo privatë, që janë të interesuar për të mbështetur programin e 100 fshatrave” thuhet në dokument.

Në finale projekti sipas audituesve MZHBR nuk ka kryer monitorime në investimet e kryera në sektorin e agroturizmit nëpërmjet skemës kombëtare për 100 fshatrat. Edhe për shpenzimet e kryera, rezultoi se nuk është zbatuar në të gjitha rastet kodi i programit 04230, por këto shpenzime kanë kaluar në kode programi të tjera.

“Nuk ka një data-bazë të dhënash me grupet e synuara të interesit ne zonat e 100 fshatrave si dhe nuk është arritur të matet impakti që kanë dhënë investimet e deritanishme në këto zona.

Deri në këtë fazë të procesit të programit të 100 fshatrave, në kushtet edhe të mbarimit të afatit të zbatimit të tij, nuk ka një impakt të konsoliduar të outputeve të tij, pasi nuk është ngritur infrastruktura e nevojshme që diçka e tillë të bëhej e matshme” nënvizohet në përmbledhjen e auditimit. /Monitor

© Panorama.al

Te lidhura