Projektet, kush janë regjisorët që provojnë fatin me filmin e gjatë

Dec 22, 2016 | 14:31
SHPËRNDAJE

Edhe 7 regjisorë të rinj (në profesion) i hyjnë sfidës së madhe të realizimit të filmave artistikë me metrazh të gjatë.

Aktori Artur Gorishti
Aktori Artur Gorishti

Këshilli Miratues i Projekteve u mblodh dje për shqyrtimin e projekteve kinematografike për filma artistikë me metrazh të gjatë – Vepër e Parë, paraqitur për konkurrim deri në datën 15.10.2016, kur edhe mbyllej afati i dorëzimit.

Ishin 12 projekte që iu paraqitën Komisionit, mes tyre emra të njohur, që deri më sot i kemi para vetëm si skenaristë, si aktorë, dramaturgë apo regjisorë në filma me metrazh të shkurtër. Mes tyre shquajmë emra si Ylljet Aliçka, i cili provon si skenarist e regjisor me projektin “Një ëndërr italiane”, mbështetur në romanin me të njëjtin titull, që tregon ngujimin e familjes Popa në Ambasadën Italiane.

Provon me filmin e gjatë edhe Artur Gorishti. Aktori konkurron me projektin “Xixëllonjat”, skenari i të cilit mban po ashtu emrin e tij. Të tjerë aspirantë për regjisorë filmash me metrazh të gjatë janë edhe Saimir Gongo, Irvin Muçaj, Dionis Papadhimitri etj.

Këshilli, pasi dëgjoi autorët dhe producentët e projekteve të paraqitura në konkurrim, i shqyrtoi ato nga ana artistike e financiare dhe në mënyrë unanime vendosi që prej 12 projekteve të paraqitura t’i propozonte për financim Qendrës Kombëtare Kinematografike vetëm 7 prej tyre. Mbetën jashtë listës së aprovuar Aliçka, Muça e Gongo, ndërsa e kaloi “provën” Gorishti me “Xixëllonjat” dhe Papadhimitri me “Love”, së bashku me të tjerë artistë më pak të njohur për publikun.

Ndërkaq, në mbledhjen e datës 1 dhjetor, Këshilli i propozoi për financim QKK-së edhe katër filma të tjerë me metrazh të gjatë, me regjisorë Gjergj Xhuvanin, Namik Ajazin, Spartak Pecanin dhe Besnik Bishën, si dhe të financojë për pasprodhim projektet kinematografike me regji të Bujar Alimanit, Luli Bitrit dhe Ilir Harxhit.

Prej numrit të projekteve duket si një “lulëzim” i kinematografisë shqiptare, vetëm se eksperienca ka treguar se do të duhen shumë vite derisa ata të mbërrijnë te publiku si prodhime të përfunduara. Ndërsa për nivel artistik, ai mbetet për t’u diskutuar.

PROJEKTET

“Derë e hapur”, skenari Florenc PAPAS, Ajola DAJA, regjia Florenc PAPAS, producent
shtëpia kinematografike “Bunker Film+” sh.p.k.
• “Nik”, skenari Mrika KRASNIQI, regjia Kastriot EJLLI, producent shtëpia kinematografike
“Kinostudio Dardan” sh.p.k.
• “Testamenti”, skenari Erand SOJLI, regjia Paskal SEMINI/Artur MUHARREMI,
producent shtëpia kinematografike “AlbaSky Film” sh.p.k.
• “3 Luanë në Venecia”, skenari dhe regjia Jonid JORGJI, producent shtëpia
kinematografike “EJF Production” sh.p.k.
• “Xixëllonjat (Mes dy Krulave)”, skenari dhe regjia Artur GORISHTI, skenari dhe
regjia Artur GORISHTI, producent shtëpia kinematografike “Silver Dream Production” sh.p.k.
• “Love”, skenari dhe regjia Dionis PAPADHIMITRI, producent shtëpia kinematografike
“Papadhimitri Film Production” sh.p.k.
• “Nji prej nesh”, skenari dhe regjia Ergys META, producent shtëpia kinematografike
“Tirana Film Institute” sh.p.k.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura