Projektbuxheti/ Ku janë dyshimet e ekspertëve: Elektoral, heqja e taksave është…

Oct 22, 2020 | 7:57
SHPËRNDAJE

Qeveria dorëzoi në Parlament projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, i cili ka objektiva ambicioze në rimëkëmbjen ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë.

Financat-Borxhi-publik-u-rrit-me-shume-se-PBB-me-2017-1-1

Por, ekspertë të pavarur të ekonomisë pohuan se ky është një projektbuxhet propagandistik dhe me objektiva jorealiste, që i shërben vetëm fushatës së ardhshme elektorale. Ata theksuan se borxhi publik po vazhdon të rritet, rindërtimi pas tërmetit pritet të bëhet nga donatorët e huaj, ndërsa nuk shihen politika fiskale lehtësuese pas pandemisë për biznesin vendës.

Studiues të pavarur të ekonomisë vlerësuan se projektbuxheti i vitit 2021 nuk i shpëtoi tundimit për të qenë një dokument në shërbim të fushatës së ardhshme elektorale, parashikimet makro-ekonomike janë tepër të ekzagjeruara sa i takon rritjes ekonomike dhe parametra të tjerë. Studiuesi Selami Xhepa thotë se parashikimet e qeverisë shqiptare janë shumë më të larta se ato që bëjnë institucionet financiare ndërkombëtare.

“Të ardhurat e vitit 2021 parashikohet të jenë sa të ardhurat e vitit 2018, por shtesa e të ardhurave parashikohet të jetë shumë më e lartë në krahasim me këtë vit, ose 300 milionë euro më shumë, ndërsa sipas tij, politikat e heqjes së taksave mbeten për retorikë dhe propagandë ditore. Rritja e borxhit publik do të vazhdojë”, thotë ai. Ekspertët pohojnë se borxhi publik është aktualisht mbi 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ka prirjen të shkojë në 100 për qind. Për paradoks, rritja ekonomike që parashikon qeveria shqiptare është pothuajse dy herë më e lartë se ajo që parashikojnë institucione serioze ndërkombëtare nga -4, -8.5 deri në -9 %.

Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preci, thotë se “ky projektbuxhet riciklon problemet e vjetra, është një buxhet elektoral që braktis strategjitë sektoriale dhe vazhdon të fokusohet tek investimet me Partneritetin PublikPrivat, ndërkohë që është rritur presioni i oligarkëve për marrjen e detyrimeve nga shteti. Buxheti parashikon 220 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit, por kjo nuk është ndonjë shumë e konsiderueshme, kur kostot e llogaritura pas tërmetit janë mbi 1 miliard. Barrën e rindërtimit ua ka lënë donatorëve dhe vetë nuk ka marrë përsipër pjesën më të madhe.

Duhet më shumë vëmendje në sektorët prodhues, si bujqësia, ushqimi, pohojnë studiuesit. Detyra kryesore duhet të jetë mbajtja nën kontroll e shpenzimeve publike, sepse rritja e borxhit publik në 100 për qind të prodhimit kombëtar do të ishte një aventurë e rrezikshme për vendin, thotë zoti Xhepa. Borxhi publik sot është 80.2 për qind, por këtu nuk llogariten kostot e koncesioneve shumëvjeçare, praktikisht po rritet me shpejtësi drejt 100%, sipas tij. Angazhimi i buxhetit në një mori të madhe projektesh të infrastrukturës publike, të cilat vazhdojnë prej vitesh dhe sjellin fitim më të dobët, nuk është politikë e zgjuar, pohojnë analistët.

Sipas tyre, do të ishte më mirë që burimet e kufizuara ekonomike të përqendroheshin në një numër më të kufizuar investimesh që të përfundojnë më shpejt, në mënyrë që edhe qytetari dhe ekonomia të marrin përfitimet e veta në një kohë më të shkurtër.

Qeveria ka deklaruar se thelbi i projektbuxhetit të ri është rimëkëmbja ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë. Pritshmëria mbi rritjen ekonomike në fund të vitit 2020 është parashikuar në nivelin -6.1%, sipas qeverisë, ndërsa për vitin 2021 parashikohet që ekonomia shqiptare do të rikthehet në trendin normal të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku parashikohet një rritje prej 5.5%.

Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e qeverisë në projektbuxhetin e përcjellë në Parlament. Vitin tjetër do të ketë më shumë punësim, sepse projektbuxheti i ri nxit krijimin e vendeve të reja të punës përmes politikave fiskale./ZËRI I AMERIKËS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura