Projeksionet e një Shqipërie në udhëkryq

Mar 2, 2017 | 9:54
SHPËRNDAJE

enio-civiciENIO CIVICI

Shqipëria e vitit 2017 duket se do të jetë gjithçka përveçse e qetë. Nuk mund të flitet ende për krizë, por për një situatë paraplegjike të funksionimit të shoqërisë. Asnjë ngjarje e re në këtë rast nëse kujtojmë 5-mujorin e fundit të secilit nga 13 mandatet qeverisëse të Shqipërisë 1990-2017. Historia dihet, opozita përshkallëzon reagimin kundër qeverisë funksionale, ndërsa kjo e fundit paralizohet si pasojë e mungesës së një oponenti që luan të njëjtën lojë, atë të alternativave politike dhe ekonomike.

Në mes të këtij dyluftimi elektoral, shoqëria shqiptare duhet të tregohet e ftohtë dhe mbi të gjitha racionale. Gjithsesi e ditur dhe e qartë është se tema më e rëndësishme e bisedës është 4- vjeçari i ardhshëm politik dhe ekonomik 2017-2021. Njeriu që drejtoi Bankën Qendrore më të rëndësishme në botë, Rezervën Federale Amerikane, Alan Greenspan në ditët e tij më të vështira, kur e pyetën pse treguesit ekonomikë rezultuan ndryshe nga parashikimet e tij, u shpreh se “…njeriu është një qenie joracionale dhe ekonomia bazohet në emocion. Në këto kushte parashikimet janë thjesht mendime dhe jo ligje”. Pikërisht me këtë pothuajse aksiomë në titullin e mendimit duhet të kryhen dhe analizat, pa rënë pre e sigurisë absolute të numrave.

Shpesh historia shërben si parathënie e të ardhmes dhe e tillë do të jetë dhe për rastin tonë. Kjo vlen mbi të gjitha për sjelljet politike, por po aq shumë dhe për indikatorët ekonomikë. 48 orë më parë përfundoi zyrtarisht marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe FMN. Janë shkruajtur shumë analiza e opinione mbi këtë marrëveshje dhe rezultatet e saj, por vetëm sot mund të shohim realisht se çfarë ka ndodhur. Ka dy arsye pse “fjalët e fundit” të FMN, pra raporti përfundimtar, janë radiografia e vërtetë e 3 vjet qeverisje dhe udhërrëfyesi më i qartë i 3 viteve të ardhshme. Nëse është meritë e institucionit ndërkombëtar financiar apo rigoroziteti i sjelljes qeveritare kundrejt detyrimeve, kjo është e parëndësishme.

Çfarë duhet të dimë është se treguesit makroekonomikë mbetën në kuota të pranueshme dhe ndonjëherë të kënaqshme përballë “erës” së paqëndrueshme që erdhi nga jashtë. Rritja Ekonomike ndryshoi nga 1% në 2013 në 3.4% në 2016. Niveli i kredive me probleme për të njëjtën periudhë u ul nga 23.5% në 20.4%. Të ardhurat nga taksat, edhe pse me taksën progresive pritej të rriteshin më shumë, në raport me PBB janë rritur nga 22% në 24.3%. Balanca primare, apo ndryshe paratë që mbeten pas zbritjes së të ardhurave nga shpenzimet pa llogaritur interesat për t’u paguar, nga -2.0% e PBB në 2013 arriti në +0.2% e PBB në 2016. Rritja e kreditimit, përsëri për harkun kohor 2013-2016, nga – 1.4% arriti në 0.7%.

Por jo të gjitha janë vaj. Përsëri për këtë periudhë, dy indikatorë, të cilët nuk mbeten pa përmendur nga zyrtarët e FMN, janë inflacioni dhe borxhi publik. I pari, i cili normë optimale ka nivelin 3%, ka lëvizur nga 1.9% në 1.3% në 3 vjet. Ndërsa borxhi publik, guri i themelit i çdo deklarate thjesht politike, është rritur nga 70.4% në 72.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Kjo është radiografia makropanoramike e treguesve kryesorë të Shqipërisë. A mjaftojnë këta indikatorë për të kuptuar të vërtetën? Në fakt jo. Duhet të përfshihesh më shumë në treg për të ditur të vërtetën.

E dini që indeksi i ndjesisë ekonomike në tremujorin e tretë 2016 ishte në nivelin 73% nga 66% që ishte në 2013? E dini që kapitali privat i investuar në 2016 përbënte mbi 30% të kontributit në rritje, ndërkohë që në vitin 2013 ishte pothuajse zero? Po që niveli i papunësisë është ulur nga 17.7% në tremujorin e katërt 2015 në 15.2% në tremujorin e katërt 2016? E dini se industria tekstile shqiptare sot vlen sa 0.1% e tregtisë botërore, ndërkohë që popullsia e Shqipërisë vlen sa 0.03% e asaj globale? E dini që yield-i mesatar i borxhit shqiptar, pra norma e interesit me të cilin tregtohet nevoja jonë për borxh, zbriti në 4.37% nga 5.31% që ishte në fillim të vitit 2015?

Tregu qartazi shprehet se po përjeton një ndjesi pozitive kur flitet për ekonominë shqiptare, të paktën në 3 vitet e fundit. Por tregu di më pak teori se FMN, e cila, pavar- ësisht matematikës, nënvizon rreziqe jo të vogla. Dhe këtu vjen sikleti i projeksioneve, atyre numrave dhe formulave, të cilat varen nga gjithçka përveçse nga sjellja e njerëzve. Në letrën që punonjësit e akredituar në Tiranë, i dërgojnë shefes ekzekutive globale, Christine Lagarde, shtrojnë disa rreziqe në muajt e ardhshëm. Shqetësimet e tyre fillojnë me zgjedhjet, të cilat mund të ndikojnë në ngadalësimin e implementimit të reformave, si dhe në ndryshimin e sjelljes “ortodokse” të qeverisë shqiptare. Dobësimi më tej i pritur i Europës sigurisht që do të ndikojë dhe në ekonominë shqiptare.

Zbutja e reshjeve është një faktor tjetër rreziku, pasi në rastin eventual do të sillte rritje të importit të energjisë dhe goditje të financave publike. Vonesat e shtuara në marrjen e vendimeve civile dhe administrative, nëse nuk ndryshon, do të vazhdojë të nëpërkëmbë investime të mëdha potenciale, të cilat nuk i afrohen Shqipërisë për këtë dhe arsye të tjera. Përfshirja e PPP-ve sipas amendimit të ligjit organik të buxhetit me qëllim limitimin dhe përfshirjen e tyre në procesin buxhetor është një tjetër alarm që duhet të marrë vëmendje. Pikërisht mobilizimi i sistemit të mbledhjes së të ardhurave dhe mbi të gjitha inovacioni psikologjik që duhet të udhëheqë frymën e investimeve publike mbeten nën vullnetin politik të parlamentit që do të dalë nga zgjedhjet 2017.

Sot, domosdoshmëria për të vazhduar frymën ortodoksisht financiare me secilin tregues të ekzistencës sonë ekonomike, nuk është më detyrë, por mision. A është e lehtë të arrihet kjo? Unë mendoj se pas qartësisë me të cilën pasqyrohemi në raportet e FMN në rastet kur kemi marrëveshje detyruese me ta, duhet të largojmë të gjitha dyshimet.

Një republikë e re si e jona, e cila nuk ka arritur kurrë të sillet buxhetarisht konservatore aq sa të autogarantojë pavarësinë fiskale dhe financiare, duhet të vazhdojë të mbështetet në dy shtylla: Stewardship-i i FMN dhe një qeveri që mendon për 30 vitet e ardhshme, jo thjesht për katër. Shqiptarët, aftësia e tyre në sipërmarrje, fryma pozitive e një popullsie të re në moshë, urrejtja e freskët kundër varfërisë dhe modeli i qartë përpara syve i botës së zhvilluar janë ekzistuese dhe të pamohueshme. Prania e FMN dhe largpamësia ekzekutive janë çështjet që kanë nevojë për vëmendje, asgjë tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura