Projeksion: Policia e Shtetit, viti 2050

Jan 25, 2023 | 7:14
SHPËRNDAJE

SKËNDER DODA

22-3

Në 13 janar 2023, u krem tua 110-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit, një moment i rëndësishëm në historinë e shtetit Shqiptar, ngjarje për të cilën janë botuar qindra artikuj, studime, fjalime në konferenca e mbledhje.

Në evente të tilla, krahas urimeve, projektohen dëshira për të pasur një policim profesionist dhe efektiv. Pas festës rifillon avazi; persona pa eksperiencën e nevojshme sillen si kompetentë ndaj problemeve të sigurisë, sidomos ndaj policisë; politikanët në opozitë e kritikojnë, shpesh pa të drejtë, ndërsa në pozitë në shumë raste flasin për objektiva, të cilat sapo i dëgjon kupton se janë utopi.

Në kuadrin e një shoqërie globaliste dhe mjaft dinamike, është e pamundur parashikimi në detaje, analizimi me lente i tablosë së problemeve të sigurisë publike dhe të Policisë së Shtetit në vitin 2050. Po ashtu, situata aktuale dhe ndryshimet e pritshme nuk mund të trajtohen me mendësitë dhe mjetet e së kaluarës. Në këtë kontekst thënia latine “nuk ka ngjarje të vjetra, por aktorë të rinj” na kujton se në të gjitha rastet në fokus është njeriu, i cili nëse nuk mund të parashikojë, përpiqet të projektojë një të ardhme në vartësi të kompleksitetit që kërkon “produkti” i sigurisë publike.

I tërhequr nga funksionet direkte në strukturat e Policinë e Shtetit, tani në pozicionin e Presidentit të IPA-Seksion Albania, kam fatin të mbaj kontakte dhe të diskutoj me punonjës policie nga roli bazë deri në nivele të larta, me ish-punonjës policie në vite si dhe me kolegë të huaj në më shumë se 66 vende të botës. Janë diskutime shpeshherë të lira pa terminologji akademike, pa statistika, por thjesht mbi dukuri dhe shqetësime, të cilat, pavarësisht nga shpeshtësia, të bëjnë të gjykosh nëse janë në rritje apo në ulje. Në vizionin tim, bazuar në mësimet e historisë dhe të së tashmes, Policia e Shtetit e vitit 2050 do të ketë një qasje më globaliste, detaje të cilit kanë filluar të shfaqen ku më pak e ku më shumë dhe në vendet e tjera:

1-Në filozofinë e saj të policimit, organizata e Policisë do të ndjekë nga pas zhvillimin e shoqërisë në kompleksitetin e saj social ekonomik, me avantazhet dhe disavantazhet duke u përpjekur të ruajë frymën, ritmin tradicional, natyrën konservatore të saj për shkak të pandryshueshmërisë së misionit. 2-Rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar, kryerja e shërbimeve të përbashkëta me strukturat homologe në Ballkan, Evropë etj. do të ndikojë në absorbimin e kulturës së organizatës policore vendase me atë të importuar.

2- Peizazhi dinamik e kaotik i problemeve tradicionale të sigurisë, droga, krimi i rrugës, kryesisht në zonat problematike të qyteteve apo fshatrave, do të ndikojë në pasigurinë subjektive (vetmia e të moshuarve, prezenca e endacakëve me ngjyrë e të sëmurëve mendorë). Komuniteti do të kërkojë shtesë të masave të sigurisë nga Policia e Shtetit, plotësim me pajisjet më inteligjente për të pasur një polici më “parashikuese” e parandaluese si dhe prezencë të personelit policor në rrugë.

3- Globalizmi, lëvizjet migratore, largimi i të rinjve, kërkimi i punëve jashtë vendit, janë realitet i prekshëm në vendin tonë, por edhe në disa vende të Evropës dhe SHBA. Kjo do të sjellë ndryshim të politikave të pranimit të kapitalit njerëzor, të zhvillimit të karrierës policore dhe rritje të moshës së pensionimit.

Si pasojë, shtetasit shqiptarë, të cilët në bazë të ligjit do të plotësojnë kriteret për pranim në strukturat e Policisë do të kenë diversitet etnik dhe kulturor pasi do të vijnë nga tri burime të ndryshme: a- Shtetas të lindur nga prindër shqiptarë, banues në Shqipëri. b- Shtetas shqiptarë me prindër emigrantë, pra, lindur e rritur jashtë. c- Shtetas shqiptarë të lindur në Shqipëri nga prindër me kombësi të ndryshme nga vende të Afrikës, Azisë ose Indisë.

Personeli me uniformë apo civilë do të karakterizohen nga cilësi të ndryshme nga brezat e mëparshëm sa i përket vullnetit, nënshtrimit ndaj disiplinës, shpirtit të sakrificës, kohezionit dhe humanizmit të brezit para 30 vitesh, të cilët sot përgjithësisht janë në poste drejtuese të Policisë së Shtetit. Brezi i ri, sidomos në qytete të zhvilluara, ka dhënë shenja të dobësimit të lidhjeve ndërpersonale, distancim nga vështirësitë, dorëheqje, inaktivitet, humbje e dëshirës për të pasur karrierë të bazuar në performancë dhe vlera morale, indiferencë ndaj prindërve, shmangie nga përgjegjshmëria ndaj familjes.

Aktualisht braktisja masive apo rënia e nivelit të shkollave ka sjellë që edhe ekselentët e universiteteve, të cilët konkurrojnë në Akademinë e Sigurisë, që aspirojnë të jenë liderë të së nesërmes janë larg nga prindërit e tyre sa i përket arsimimit, leximit e librave apo shkrimit të eseve me dorë. Teknologjia do të ndihmojë zbatimin e detyrave nga brezat e rinj të Policisë, por dhe do të profilizojë konsumatorë të informacionit të shpejtë, “robotë”, frymorë të dixhitalizuar, me aftësi të kufizuara lëvizjeje, por mjeshtra të përdorimit të celularëve, kamerave, kompjuterave, dronëve, detektorëve të zhurmave, pajisjeve biometrike etj.

Do të jenë liderë që zgjidhin me një “klik” problemet emergjente në sisteme kompjuterike, por në dilemë në problemet e koklavitura e delikate të terrenit. Nuk do të trajnohen si gjyshërit e tyre në poligone reale disa orë në vit për përdorimin e armëve të zjarrit apo elementë të vetëmbrojtjes pasi brezi i ardhshëm do të aplikojë opsione neutralizuese ‘më pak vdekjeprurës’ pa përdorur armë zjarri.

4- Sfidë mjaft delikate gjatë dekadave të ardhshme është përfshirja më e madhe e Policisë në tregun mediatik. Përmirësimi i teknologjisë së komunikimit, shkëmbimi i informacionit në kohën pothuaj me ndodhjen e ngjarjes do të sjellë detyrimisht që organizata e Policisë për realizimin e detyrave të saj dhe mbajtjen lart të imazhit të ketë një qasje më të madhe si ndërmarrje mediatike në platformat sociale.

Siç është e njohur, shoqata IPA-Seksion Albania ka në gjirin e saj punonjës dhe ishpunonjës Policie, me eksperiencë jetësore e profesionale të spikatur të trajnuar edhe në tri dekadat e fundit. Si të tillë ish-punonjës të Policisë, të cilët kanë ende aftësi manaxhuese e drejtuese duhen afruar në detyra ndihmëse që lidhen me drejtimin e koordinimin në situata emergjencash civile etj. Rasti i luftës në Ukrainë bëri që policitë vendeve kufitare me Ukrainën të përfshijnë anëtarët e seksioneve të IPA të tyre në detyra që lidheshin me planëzimin dhe masat emergjente në rast zgjerimi të luftës, në dërgimin e mjeteve e kontejnerëve me ndihma ushqimore e veshje për refugjatët në zonat kufitare etj.

Në situata më normale, IPA mund të përfshihet në aktivitete që lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale për të ofruar informacione të dobishme të përditësuara, informacione për personat e zhdukur, për zbutjen e shqetësimit publik në raste emergjencash, për krijimin e një imazhi më pozitiv të policisë në publik. Ky është vizioni, për këtë po punojmë gradualisht duke krijuar infrastrukturën e nevojshme dhe aktet rregulluese.

President i IPA-Seksion Albania

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura