Programi i PD, Basha: Rritje pagës minimale, ulje çmimit të energjisë

Apr 29, 2016 | 13:18
SHPËRNDAJE
Rritje e pagës minimale dhe ulje e çmimit të energjisë për familjet që konsumojnë më pak se 300 kw janë vetëm dy nga masat që parashikon Partia Demokratike në programin e saj, prezantuar sot nga kryetari i PD-së, Basha gjatë një takimi me punëdhënës dhe punëmarrës të Vorës.
basha
Gjatë bashkëbisedimit, Basha theksoi se programi i demokratëve parashikon pagesë nga buxheti i shteti të faturës së ujit dhe  energjisë elektrike deri në 200 kw për familjet në nevojë ekonomike, ulje e çmimit të energjisë për biznesin, rishikim të reformës së pensioneve në funksion të interesit të qytetarëve.
Gjatë takimit ne dy biznese fason të cilat kanë të punësuar rreth 700 punonjëse, Basha konstatoi se këto biznese sot përballen me vështirësi të shumta që nga energjia elektrike e cila u ikën vazhdimisht tek taksat e larta, çmimi i lartë i energjisë, mungesa e sigurisë etj.
“Që t’ua bëjmë jetën pak më të lehtë gjithsecilës prej jush e para është që t’ju rrisim rrogën apo jo?! Çmime më të ulura, për shembull për energjinë elektrike. 56 për qind e shqiptarëve harxhojnë më pak se 300 kë. Po për këta 56 për qind që është pjesa më e varfër e shqiptarëve, çmimi është rritur. Do të ulim çmimin e energjisë për 30 kë e parë. Fatura e energjisë që do të paguani për familjet tuaja do të jetë më e ulur. Po kështu fatura e energjisë për biznesin do të duhet të ulet sepse është rritur nga 9 lekë/kë orë në 14 lekë/kw orë”-tha Basha.
Një nga shqetësimet e punonjësve ishte dhe pensioni. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se pseudoreforma nuk ishte gjë tjetër veçse heqje e përgjegjësisë së qeverisë ndaj qytetarëve.
Basha tha se kjo pseudo reformë do zhbëhet dhe reforma e pensioneve do të ketë në qendër mosrritja e moshës së pensionit. Po kështu zoti Basha garantoi rritje pensionesh përtej indeksimit për inflacionin.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal dhe në biznesin e Nikollaq Neranxit, biznesmeni që kundërshtoi fort arbitraritetin e shtetit ndaj biznesit. “Partia Demokratike sot dhe qeveria e tij nesër do të jetë në krah të biznesit, në krah të punëdhënësve dhe do t’u krijojë të gjitha lehtësitë që ata të krijojnë më shumë mundësi për punësim e punësim me paga më të larta”- tha Basha. Nga ana e tij, Neranxi theksoi se “Ne do të ecim sëbashku se po shikoj që kemi të njëjtin program bashkë. Dhe programi jonë i përbashkët është që të mbrojmë biznesmenët shqiptar, të mbrojmë tregun shqiptar”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura