Prognoza e Mogherinit për marrëveshjen Kosovë-Serbi: Mund të arrihet deri…

Sep 3, 2018 | 20:15
SHPËRNDAJE

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, paralajmëroi mundësinë që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve deri në vitin e ardhshëm.

mogherini

“Mendoj se ekziston mundësi reale që presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq dhe (ai i Kosovës, Hashim) Thaçi të arrijnë marrëveshje për të gjitha çështjet e hapura midis Beogradit dhe Prishtinës – marrëveshje gjithëpërfshirëse, e obligueshme ligjërisht, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve, marrëveshje që është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe që mund të ndihmojë në stabilizimin e gjithë rajonit”, tha Mogherini në një takim me ambasadorët e BE-së në Bruksel.

Sipas saj, viti i ardhshëm është i rëndësishëm sepse është 20-vjetori i luftës në Kosovë, andaj, siç u shpreh, “është koha që përfundimisht t’i jepet fund këtij konflikti”.

Mogherini, para ambsadorëve të BE-së, përmendi edhe ngjarje të tjera që kanë ndodhur në rajon muajve të fundit, duke u ndalur te marrëveshja për emrin e Maqedonisë me Greqinë dhe mundësia e hapjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të gjitha këto ngjarje duhet të shfrytëzohen, citohet Mogherini nga ‘Radio Evropa e Lirë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura