Profili i ri i Inxhinierit të Ndërtimit dhe Mjedisit në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”

Jul 23, 2016 | 8:45
SHPËRNDAJE

Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” (UniKat ZKM), pas aktivizimit me sukses të programit të studimit në Arkitekturë – master i shkencave me kohëzgjatje 5-vjeçare, synon të aktivizojë për vitin akademik 2016-2017 programin e studimit bachelor në Inxhinieri Ndërtimi dhe Mjedisi.

zonja godina

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga UniKat ZKM dhe Universiteti i Firences në Itali, ky program studimi është konceptuar si binjak me Programin me të njëjtin emër të aktivizuar në Universitetin e Firences prej vitit akademik 2012-2013. Ky bashkëpunim mundëson lëshimin e një TITULLI TË DYFISHTË nga të dy Universitetet (UniKat ZKM dhe Universiteti i Firences). Kjo Diplomë e Dyfishtë është e vlefshme në Shqipëri, Itali dhe në të gjitha vendet e BE-së, si për të vijuar nivelin e dytë apo të tretë të studimeve, ashtu dhe për të konkuruar me sukses në tregun e punës i barabartë me të rinjtë e tjerë evropianë.

Programi i Studimit në Inxhinieri Ndërtimi dhe Mjedisi është konceptuar në mënyrë të tillë që të ofrojë një formim modern të teknikëve të ardhshëm, të cilët do të përftojnë përgatitjen e duhur shkencore dhe do të përvetësojnë metodat dhe argumentet tekniko-shkencore të përgjithshme të inxhinierisë, si dhe kompetencat specifike të inxhinierisë së ndërtimit, mjedisit dhe territorit. Integrohen kështu kompetencat tipike projektuese që ndërlidhin ndërtimin, strukturat dhe  infrastrukturat me ruajtjen dhe kontrollin e mjedisit.

Veçantitë e panoramës formuese në Shqipëri dhe nevojat specifike territoriale, të prodhimit, të zhvillimit të infrastrukturës, të mbrojtjes së sistemeve mjedisore të zonave bregdetare e jo vetëm, të rikualifikimit urbanistik dhe sistemeve të ndërtimit, kanë imponuar domosdoshmërinë e një figure profesionale të re në tregun e punës. Kjo figurë, teknik junior, kombinon kompetenca specifike profesionale me aftësi analizuese dhe sintetizuese në një spektër multidisiplinor dhe vepron në sinergji me teknikë të fushave të tjera. Gjithashtu vepron në mënyrë efikase si në projekte të veçanta të kontrollit të mjedisit, ashtu edhe në problematikat më komplekse të projektimit të territorit dhe menaxhimit të tij, të cilat kanë nevojë për grupe pune teknikësh të profesioneve të ndryshme, por me njohuri dhe qasje metodologjike të përbashkët.

Katër makro-sektorët: ndërtimi, struktura, infrastruktura e mjedisi, formojnë themelet mbi të cilat ngrihet Programi i studimit në Inxhinieri Ndërtimi dhe Mjedisi. Nisur nga një bazë e gjerë e njohurish të përbashkëta, secili prej këtyre sektorëve nxit zhvillimin e aftësive profesionale të veçanta tek profesionisti i ardhshëm.

Objektiv formues i përgjithshëm është formimi i një figure profesionale, të përgatitur me njohuri teknike specifike bazë, njohuri këto që lejojnë ndërthurjen dhe bashkëpunimin me grupe projektimi dhe

planifikimi, që veprojnë në sektorin e ndërtimit, infrastrukturës civile dhe territorit. Bagazhi i njohurive teorike dhe praktike, i përbashkët për të gjithë makro-sektorët, mundëson më pas specializimin në një rol më specifik profesional.

2

Ndërsa objektivat formuese specifike i referohen, si “roleve” profesionale për të cilat studenti përgatitet pavarësisht nga makro-sektori që përzgjedh, ashtu edhe “roleve” që kërkojnë një formim më të detajuar në bazë të makro-sektorit të përzgjedhur. Në vijim shpjegohen ku konsistojnë këto objektiva formuese specifike dhe cilat aftësi fitohen në secilën prej tyre, për të arritur në kompleksitetin e aftësive me të cilat pajiset kjo figurë profesionale.

Objektiv formues i makro-sektorit të Ndërtimit është formimi i një figure profesionale të aftë që të njohë, projektojë e menaxhojë punimet në sistemin kompleks të ndërtimit. Kjo figurë do të përvetësojë aftësi në lidhje me karakteristikat tipologjike, funksionale, strukturore dhe teknologjike të këtij sistemi dhe të përbërësve të tij material dhe ndërtues, në kontekstet fiziko-mjedisore, social-ekonomike dhe produktive; do të jetë në gjendje të analizojë karakteristikat e materialeve që e përbëjnë, fazat dhe teknikat historike të ndërtimit dhe analizën e strukturave, si edhe të planifikojë dhe zbatojë aspektet inxhinierike të sigurisë dhe mbrojtjes së ndërtimeve.

Objektiv formues i makro-sektorit të Strukturave është formimi i një figure profesionale të aftë që të marrë pjesë në planifikimin, projektimin dhe menaxhimin e punimeve të ndërtimit dhe strukturave civile, përfshirë punimet publike; i aftë të drejtojë punimet dhe kolaudimet, dhe gjithashtu të projektojë në mënyrë të pavarur e të drejtojë punimet e ndërtimeve të thjeshta civile.

Objektiv formues i makro-sektorit të Infrastrukturave është formimi i një figure profesionale të aftë që të marrë pjesë në planifikimin, projektimin dhe menaxhimin e infrastrukturave territoriale dhe të transportit; të veprojë për mbrojtjen e mjedisit, të drejtojë e të kolaudojë punimet për ndërtimet publike, ashtu si edhe të projektojë në mënyrë të pavarur e të drejtojë punime të infrastrukturave të thjeshta.

Objektiv formues i makro-sektorit të Mjedisit është formimi i një figure profesionale të aftë që të planifikojë, projektojë, menaxhojë e të mirëmbajë punime dhe impiante specifike që kanë si qëllim mbrojtjen e mjedisit (toka, mjedisi ujor dhe atmosfera) në lidhje me rreziqet mjedisore dhe ruajtjen e burimeve natyrore; të projektojë dhe të koordinojë aktivitete të marrjes së masave në terren dhe në impiante; të vlerësojë ndikimin në mjedis të proçeseve të prodhimit dhe të punimeve të mëdha; të kontribuojë në menaxhimin e ndërmarrjes si konsulent me kompetenca të veçanta në ruajtjen dhe përdorimin racional të energjisë.

Formimi i studentit në Inxhinieri Ndërtimi dhe Mjedisi është projektuar, jo vetëm për përvetësimin e aftësive të sipërcituara, por edhe për një vazhdimësi në rrugën universitare pas diplomimit. I diplomuari në këtë program studimi mund të vazhdojë studimet në ciklin Master i Shkencave, në programe të tilla si

Master i Shkencave në Inxhinieri Ndërtimi, Master i Shkencave në Inxhinieri Civile, Master i Shkencave në Inxhinieri për Ruajtjen e Mjedisit dhe Territorit, nëse do të citonim disa prej atyre që janë aktualisht aktivë në Universitetin e Firences.

Metodat dhe mjetet didaktike me të cilat arrihen rezultatet e pritshme janë te larmishme, duke filluar me ato klasike si leksionet dhe ushtrimet në klasë, aktivitetet në laboratore; e duke vijuar me vizitat teknike, praktikat në ndërmarrje, në institucione publike, në firma konsulence e profesionale dhe kompani inxhinierësh.

Ndërsa metodat me të cilat bëhet verifikimi i rezultateve të arritura janë vlerësimet formuese nëpërmjet: testeve të ndërmjetme, të formuluara në mënyrë të tillë që të përcaktohet progresi i grupit dhe efektiviteti i proçesit didaktik; testeve të kryera në mënyrë të bashkërenduar dhe të planifikuar; gjithashtu ekzaminime praktike me qëllim vlerësimin me notë të arritjes së objektivave të përgjithshme të kurseve.

Programi i Studimit në Inxhinieri Ndërtimi dhe Mjedisi do të përfshihet në një sistem të vlerësimit të cilësisë, ku bën pjesë Universiteti i Firences, duke u angazhuar në monitorimin sistematik dhe vlerësimin e ofertës së mësimdhënies në faza të ndryshme të zhvillimit, gjë që garanton koherencën e nivelit të dijeve të të rinjve shqiptarë me të rinjtë në Evropë dhe më gjerë.

Ky program studimi është një hap i rëndësishëm në korelacionin e njohurive me praktikën, në përshtatjen e programeve të studimit me kërkesat aktuale të tregut të punës, në funksion të suksesit të të rinjve në hapat e para të pavarur  të tyre në një treg konkurues pune.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura