PROFIL/ Ritvani, “nevriku” që la shkollën e s’kishte shokë

Aug 12, 2018 | 15:48
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Masakra e Selenicës mund të ishte parandaluar nëse familja dhe banorët e fshatit do të kishin vlerësuar siç duhet luhatjet emocionale të 24- vjeçarit Ritvan Zykaj. Në fshat ai njihej si tepër “nevrik”, për shkak të sherreve të vazhdueshme që bënte me të tjerët.

zykaj

Disa madje kanë dyshime se ai mund të ketë pasur edhe probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, asnjë nuk e thotë me siguri, as Policia. Ndonëse prokurori ka kërkuar një ekspertizë mjekësore për të vërtetuar nëse ka apo jo probleme mendore, deri tani zyrtarisht nuk konfirmohet nëse ka apo jo.

Për këtë shkak, edhe në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, të afërm të tij i jepnin porosinë “mos bëj fjalë me njeri, sidomos me kushërinjtë”. Ndonëse sjelljet e tij agresive i dinin të gjithë, nuk rezulton që familja apo të afërm të tij të kenë kërkuar ndihmë në institucionet përkatëse të Shëndetit Mendor.

Zyrtarisht, Policia thotë se ai nuk kishte një kartelë të hapur, çka konfirmon se ndonëse ishte një person që paraqiste rrezikshmëri, nuk ishte identifikuar si i tillë nga autoritetet përkatëse.

BANORET

Siç banorët konfirmojnë, Ritvani ka pasur sjellje disi antisociale që në fëmijërinë e tij. Ai kreu vetëm katër vjet klasë dhe më pas nuk pranoi ta ndiqte arsimimin më tej. Nuk i pëlqente të shoqërohej me njeri dhe nuk kishte asnjë shok në fshat. Ai nisi një jetë të izoluar, kryesisht me bagëtinë në mal. Në fshat i konsideronte të gjithë “kundër”, çka dyshohet të ketë ndikuar në përforcimin e agresivitetit të tij.

Të gjitha vjedhjet i adresoheshin atij. I kishte bërë ai apo jo, pak rëndësi kishte. Të gjithë e drejtonin gishtin tek ai për çdo gjë që ndodhte në fshat. Ritvani ishte i vetmi i dyshuar për gjithçka, kur zhdukeshin pulat, bagëtitë apo ndonjë send tjetër. Pikërisht për arsye të sjelljeve të tij, banorët e konsideronin atë si “delja e zezë”. “Kriminel…”. “Psikopat…”

Kështu e cilësonin dje në fshat të riun, që mori jetën e tetë familjarëve. Përshkrimi që ata i bëjnë 24-vjeçarit të çon drejt dyshimit se ai mund të ketë pasur problematika të hershme në shëndetin e tij mental.

Por askush në lagjen “Resulaj” nuk di të flasë me një terminologji tjetër përveç përkufizimit të tij si “nevrik”. Ata s’janë në gjendje të japin argumente më tej nëse kanë shquar tek ai shenja depresioni, apo ndonjë problem tjetër të kësaj natyre. “Ishte nevrik. Jetonte i izoluar. Nuk kishte shokë. La shkollën që në klasën e katërt. Që fëmijë rrinte vetëm në pyll me bagëtinë”.

Me dy fjalë e mbyllin të gjithë përshkrimin rreth një profili të mundshëm të 24-vjeçarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura