PROFIL/ Kush është vrasësi i dy turistëve çekë. U arrestua 2 herë, shpëtoi prej moshës

Jul 6, 2015 | 9:22
SHPËRNDAJE

Për Sokol Mjacajn, arrestimi i djeshëm është i treti brenda 5 vitesh. Vetëm 20 vjeç, ai ka provuar qelitë që kur ishte 15 dhe për herë të parë për një krim.

Megjithatë, në dy çështjet e para për shkak të moshës dhe akuzës që u ngrit arriti të shpëtonte me më pak se 5 vjet burg, për të shënuar ngjarjen e tretë, atë të vrasjes së dy turistëve çekë.

I riu nga fshati Lotaj i Dukagjinit kishte lënë qelinë në burgun e Kavajës në muajin prill të këtij viti. Prej asaj kohe ai ka qëndruar “i qetë” deri më 3 korrik, kur ka pikasur dy të huajt dhe ka synuar grabitjen e makinës fuoristradë.  

Sokol Mjacaj

ARRESTIMET
Për herë të parë Mjacaj u arrestua më 12 shtator të vitit 2010, për bashkëpunim në vrasjen e 13-vjeçarit Agim Leraj. Ngjarja ndodhi në fshatin Pjollë të Dukagjinit, ku jetonin bashkë me dy vëllezërit Besnik e Edmond Kodra. Në bashkëpunim me ta, Mjacaj akuzohet se ka thirrur në pritë të miturin me qëllim grabitjen e varëses së floririt që djali mbante në qafë.

Pasi fëmija është torturuar, trupi i tij u hodh në ujërat e lumit, me qëllim fshehjen e gjurmëve. Disa orë pas zbulimit të trupit u konstatua se ai nuk kishte vdekur nga mbytja, por nga dhuna që ishte ushtruar mbi të. I mituri në atë kohë, Mjacaj, ishte i vetmi që pranoi ngjarjen dhe dëshmoi se dy vëllezërit Kodra e kishin torturuar fëmijën. Por, dyshimet lindën kur gjatë seancave gjyqësore si i mituri dhe dy të tjerët ndryshonin vazhdimisht dëshmitë e tyre.

Më tepër i papërqendruar ka qenë Mjacaj, i cili një herë tregonte se kishte qenë i pranishëm në momentin e krimit e më pas se vëllezërit Kodra e kishin larguar dhe më pas kërcënuar që të mos i tregonte askujt. Në fund të procesit në Shkallën e Parë, Gjykata vendosi dënimin me burg përjetë të Besnik Kodrës, si autori kryesor dhe dy të tjerët me nga 11 dhe 10 vjet burg.

Në asnjë moment vëllezërit Kodra nuk e pranuan akuzën, duke thënë se ishte Sokol Mjacaj që kërkonte t’i përfshinte në një krim që nuk e kishin bërë. Kur vendimi u ankimua, trupi gjykues i Apelit po në Shkodër e shpalli të pafajshëm për bashkëpunim në vrasje Mjacajn, duke ia ulur dënimin në 4 vjet burg. Gjithashtu vendimi iu ul edhe të dënuarit përjetë, i cili u la me 25 vjet burg, ndërsa mbeti po 11 vjet Edmond Kodra.

Në çdo rast, trupi gjykues në Apel e argumentonte me faktin se Sokol Mjacaj ishte i mitur, por edhe se ai nuk kishte marrë pjesë në krim, por nuk e kishte kallëzuar atë, nga frika e dy autorëve kryesorë. Gjatë procesit gjyqësor në Apel ka pasur dhe konfrontime fizike mes dy vëllezërve Kodra dhe të ndaluarit tjetër Sokol Mjacaj. Kjo bëri që seancat të zhvillohen nën masa të forta sigurie, ku të akuzuarit ndaheshin mes tyre me policë. Mësohet se pas më pak se 4 vitesh, Mjacaj të linte qelitë. 

RITVAN DIBRA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura