PROFIL/ 5 vitet e Roshit në politikë, fitorja në Kavajë, historia e Griseldës dhe dënimet që nuk i kujtohen

Jun 1, 2016 | 8:01
SHPËRNDAJE

Emri i Elvis Roshit ishte i panjohur për publikun gjer në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2011. Në atë kohë Edi Rama e përzgjodhi biznesmenin e Kavajës për të marrë bastionin e demokratëve, zonë ku Sali Berisha kishte marrë disa mandate deputetësh.

Rama-elvis-rroshi-parid-car

Roshi dukej se kishte zgjedhur një peshë të rëndë për të ngritur dhe humbja e demokratëve në Kavajë konsiderohej thuajse e pamundur.

Por në 8 maj 2011 ai mori shumicën e votave të kavajasve duke rrëzuar për herë të parë këtë bastion të PD-së.

E megjithatë, nuk ishte e thënë që për Roshin gjithçka të shkonte vaj.

Pa u mbushur ende një muaj nga zgjedhjet e 8 majit, një histori e çuditshme përfshiu familjen e tij.

Gruaja e kryebashkiakut deklaroi se ishte rrëmbyer nga disa persona dhe ishte detyruar të abortonte.

Lajmi i rrembimit te Griselda Zaimit
Lajmi i rrembimit te Griselda Zaimit

Kjo alarmoi jo vetëm Elvis Roshin, por edhe publikun, përfshi këtu edhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, shkruan “Panorama.al”.

Socialistët u alarmuan aq shumë saqë mesnatën e 1 qershorit Erion Veliaj në emër të PS-së i dërgoi një e-mail gjithë ambasadorëve të huaj të akredituar në tiranë ku shkruante “Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën. Në orën 4 të mëngjesit, e mbuluar nga gjaku, znj. Roshi është lënë afër shtëpisë së saj në Kavajë (50 kilometra larg kreqytetit). Nuk ka ende ndonjë njoftim nga policia. Kavaja ka qenë zona elektorale ku është zgjedhur Berisha deputet për 20 vjet. Socialistët fituan në Kavajë për herë të parë më 8 maj, dhe kjo është konsideruar si fitorja më simbolike e zgjedhjeve. Gjatë fushatës elektorale, z.Roshi dhe shtabi i tij kanë marrë kërcënime për shkak të garimit të tij për postin e kreut të Bashkisë. Kreu i PS, Edi Rama, do të lëshojë një deklaratë shtypi pas një ore…”.

E-mail i Erion Veliajt
E-mail i Erion Veliajt

Por deklarata e Edi Ramës nuk u bë kurrë. Kjo pasi brenda 24 orëve ajo që nisi si një rrëmbim, përfundoi, i zbardhur nga Policia, si një skenar i sajuar nga vetë gruaja e Elvis Roshit, Griselda Zaimi.

Elvis Roshi e harroi shpejt këtë histori, por në media vazhdoi të përflitej më shumë sesa për politikë, për jetën e tij private.

roshi fejohet

Në 7 gusht 2013 Gazeta Panorama publikoi lajmin se kryebashkiaku i Kavajës ka harruar plotësisht Griseldën dhe është fejuar me dentisten Irisa Guma.

Elvis Roshi me Irisa Gumen
Elvis Roshi me Irisa Gumen

Dy vjet më vonë ai u kandidua sërish nga Edi Rama për kryetar të Bashkisë së Kavajës. Por këtë herë u vu në qendër të kritikave të opozitës, si njeri i dënuar më parë në vende të tjera për trafik droge, ndërkohë që në Shqipëri rezulton i dënuar për plagosje.

Ne 20 maj emri i Elvis Roshit u permend edhe ne Parlament, madje u be edhe molle sherri mes socialisteve. Ai i kishte derguar nje sms Ben Blushit ku i shkruante “o Blush, jam Elvis Roshi, unë nuk kam bërë asnjë krim, si thatë ju, dhe shumë shpejt do të dal për sqarim publikut por borxh nuk kam ty sa të kem qytetin e Kavajës që më mbështet…”.

SMS derguar Blushit
SMS derguar Blushit

Per kete sms nuk reagoi Edi Rama, por Gramoz Ruçi, i cili e quajti komunikim per nje problem personal mes tyre dhe jo nje kercenim ndaj Blushit.

Në formularin e deklarimit për ligjin e dekriminalizimit, Roshi deklaroi se ka ndryshuar emrin nga Ervin e ka bërë Elvis. Në vitin 2000 është dënuar me gjobë në Kavajë ndërkohë që thotë se është ndaluar edhe në vitin 2002 në Gjermani, por nuk e mban mend arsyen.

Formulari i Elvis Roshit
Formulari i Elvis Roshit

Ndërkohë që ishte kryebashkiak i Kavajës, Elvis Roshi në vitin 2013 u arrestua nga policia me akuzën e goditjes për shkak të detyrës, por gjykata e vlerësoi të paligjshëm arrestimin e tij.

Akuzave të demokratëve Roshi iu përgjigj me një dokument të drejtësisë gjermane, sipas së cilës ai nuk ishte dënuar asnjëherë.

Por ajo që Roshi nuk dinte, siç shkruante edhe sot në statusin e tij në Facebook, ishte që ai ishte dënuar në Itali kur ishte minoren dhe për shkak të këtij dënimi detyrohej të jepte dorëheqjen.

“Avokatët e mi më kanë informuar, se papritur dhe pa kujtuar rezultojë të jem dënuar si minoren! i bie të jem dënuar pa dijeninë time në Itali në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve. Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh”, shkruante sot Roshi.

Me statusin e sotëm në Facebook, deklaratat të rastit të PD-së e PS-së, i jepet fund kësaj historie të Elvis (Ervin) Roshit.

Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura