Profesori polak Kukulsi leksion te “Luarasi”: Përfitoni nga modeli i Polonisë

Mar 4, 2015 | 15:52
SHPËRNDAJE

Ziemowit Kukulski

Universiteti “Luarasi” do të nënshkruajë shumë shpejt marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Lodz-it në Poloni. Gjatë një interviste, nënkryetari i Qendrës së dokumentacionit e studimeve tatimore në Katedrën e legjislacionit tatimor, të Universitetit të Lodz-it, Ziemowit Kukulski, tha se shumë shpejt do të firmoset marrëveshja mes dy universiteteve. Sipas lektorit polak, kjo do të bëjë të mundur shkëmbimin e përvojave dhe do të ofrojë më shumë mundësi për studentët shqiptarë dhe ata polakë. Ditën e sotme, në ambientet e “Luarasit” Kukulski do të referojë para studentëve sfidat e integrimit ekonomik në Bashkimin Europian, duke sjellë eksperiencën e Polonisë. Në intervistë lektori vlerëson reformat e ndërmarra, ndërsa e vë theksin edhe në hapat që duhet të ndiqen në vijim.

Si funksionon Qendra e dokumentacionit dhe studimeve tatimore në Katedrën e legjislacionit tatimor të Universitetit të Lodz-it në Poloni?

Qendra e dokumentacionit dhe studimeve tatimore në Katedrën e legjislacionit tatimor të Universitetit të Lodzit në Poloni është qendra më e madhe e legjislacionit tatimor dhe dokumentimit fiskal në Europën Lindore dhe Qendrore. Kjo qendër është aktive në disa fusha, në mbledhjen e të dhënave, librave, periodikëve të lidhur me ligjin tatimor kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian. Ne çdo muaj zhvillojmë konferenca mbi legjislacionin tatimor.

Cili është qëllimi i mbledhjes dhe dokumentimit të studimeve, për çfarë shërbejnë?

Duke qenë se është qendra më e madhe e mbledhjes së të dhënave dhe dokumentimit të tyre në lidhje me legjislacionin tatimor ne jo vetëm, i mbledhim këto të dhëna, por i bëjmë të shfrytë- zueshme edhe për kërkimet. Kështu, nëse një institucion kërkon një informacion të caktuar mbi legjislacionin tatimor, Qendra e mundë- son. Libraria jonë është unike në Europën Qendrore. Ne kemi rreth 5 mijë botime, që lidhen drejtpërsëdrejti me taksimin dhe japin informacion të detajuar për të.

 Cilat janë disa nga sfidat në legjislacionin fiskal për vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria?

Duhet të realizohen reforma reale. Masa duhet të ndërmerren për të arritur qëllimin, i cili është ndjekja e të gjitha direktivave europiane. Këto direktiva janë të lidhura ngushtësisht me përfshirjen në organizata të ndryshme. Së dyti është bashkimi ndërkombëtar në lidhje me taksimin, p.sh. asistencë ndërkombëtare në mbledhjen e taksave, shkëmbimi i informacionit tatimor, sepse është tejet i rëndë- sishëm për funksionimin e tregut të brendshëm.

Para studentëve të “Luarasit” ju do të referoni temën “Integrimi ekonomik në BE, eksperienca e Polonisë”. Çfarë efekti ekonomik do të sillte integrimi në Bashkimin Europian dhe cilat janë shtyllat mbi të cilat u mbështet Polonia për të finalizuar me sukses këtë proces?

Polonia nisi në fillim të viteve ’90 me reformat ekonomike. Është përballur me atë që ne e përkufizojmë si teoria e shok-ut. Kjo për vetë faktin se kemi pasur një inflacion shumë të lartë dhe lufta ishte për të mposhtur këtë inflacion. Por, mbi të gjitha, sfidë ishte kthimi i stabilitetit të monedhës dhe rritjes ekonomike. Ne kishim marrëdhënie tregtare edhe gjatë diktaturës, nuk kishim probleme me pronësinë, ne ndërmorëm reforma për privatizime, por shumë nga këto nuk mbijetuan. Për pasojë, ne u gjendëm përballë një sfide. Hapi i radhës ishte reformimi i sistemit tatimor, sepse taksat dhe ekonomia janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ne punojmë akoma për përmirësimin e tyre. Në gjykimin tim, sistemi tatimor nuk është perfekt, ndaj domosdoshmëria për ndryshimin e tij është kërkesë e kohës.

 Mendoni që Shqipëria përfaqëson një sistem të favorshëm për investimet e huaja?

Absolutisht po. Ju duhet të bëni rehabilitimin apo të ofroni mbështetje për bizneset kombëtare, pasi investitorët e huaj vijnë dhe ikin. Ndërkohë që duhet të krijohet treg i favorshëm për sipërmarrësit vendës.

Cili është sistemi i taksimit që aplikohet në Poloni?

Ju keni taksim progresiv, ndërsa Polonia aplikon taksimin e sheshtë. Ne kemi përqindjen mbi fitimin, e cila është 19% dhe taksa e dytë lidhet me sipërmarrësit, sipas një opsioni ku ata më pas mund të zgjedhin një taksim progresiv. Minimumi është 18%, ndërsa maksimumi është 32%. Është i rëndësishëm krijimi i një sistemi të lehtësimeve tatimore dhe përjashtimore tatimore. Sistemi tatimor është një element, sepse lidhet me përjashtimin dhe lehtësitë tatimore, që kanë të bëjnë me investimet dhe daljet e kapitalit. Ajo çfarë duhet, është të krijohet një sistem i përgjithshëm. Administrimi i taksave është një nga elementet më të rëndë- sishme të këtij sistemi.

 Si i komentoni reformat e ndërmarra në Shqipëri, a janë në rrugën e duhur?

Shqipëria me reformat e ndërmarra është në rrugën e duhur. Nuk ka asgjë për t’u kritikuar. Ka bërë shumë përpjekje për tërheqjen e investimeve të huaja.

Cilat janë projektet e ardhshme mes Universitetit “Luarasi” dhe Universitetit të Lodz-it?

Ne jemi të hapur për çdo bashkëpunim me Universitetin “Luarasi”. Ne mund të bëjmë shkëmbime në studentë dhe shkëmbime kërkimore. Kryetari i Qendrës së dokumentacionit dhe studimeve tatimore do të vijë për firmosjen e një drafti. Në sajë të kësaj marrëveshjeje do të bëhet i mundur shkëmbimi i përvojave ndërmjet dy universiteteve. Ne do të fillojmë me shkollën verore, e cila do të jetë një mundësi e mirë për studentët shqiptarë dhe polakë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura