Profesori i ‘La Sapienza’: Kur Shqipëria e Enver Hoxhës mbrohej nga SHBA, ai e dinte mirë…

Jun 7, 2018 | 11:37
SHPËRNDAJE

Dy ditë më parë në kryeqytet u mbajt Konferenca “Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë” e organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë.

enver

Ky ishte edicioni i dytë i kësaj konferencë. Një vit më parë u trajtuan marrëdhëniet e të dyja vendeve në fokusin e politikave dhe marrëdhënieve të trazuara të shteteve të Europës, menjëherë pas luftës së Dytë Botërore, ndërsa në edicionin e dytë çështjet u shtruan në një analizë të gjerë dhe shkencore, ku historianë italianë dhe shqiptarë dhanë mendimet e tyre në bazë të studimeve të kryera.

Është koha që marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë komuniste të shihen nën një dritë krejt të re. Ka qenë kaq afër dhe kaq larg Italia për Shqipërinë komuniste, ndërsa historianët e të dyja vendeve përmes dokumenteve kanë nisur të zbulojnë një tregim tjetër për marrëdhëniet mes tyre gjatë luftës së ftohtë. Arkivat e Luftës së Ftohtë janë hapur dhe mundësia që iu ofrojnë studiuesve është e pafundme”- u shpreh Ambasadori italian Alberto Cutillo  në çelje të konferencës.

Një nga ata që e ka studiuar periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe marrëdhëniet me shtetet e tjera është prof. Luca Micheleta.

Ai është Profesor i asociuar i Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Departamentit të Shkencave Politike  në Universitetin e famshëm La Sapienza të Romës.

Gjatë fjalës së tij ai u përqendrua në tezën: Dialogu, stabiliteti dhe siguria në detin Adriatik; Italia dhe Shqipëria në kohën e uljes së tensioneve.

Ai theksoi se “Versione të ndryshme të komunizmit në vende të ndryshme të Ballkanit kanë krijuar modele të dogmatizuara të historisë”.

Profesori kujtoi se pavarësisht marrëdhënieve që krijonin shtetet komuniste me Shqipërinë, interesi ishte ta përdornin këtë vend si pikë strategjike për interesat e tyre.

Fillimi i viteve ’50 të shekullit XX e ndau Evropën dhe botën të ndarë në dy kampe të ndryshëm ideologjikë, kulturorë dhe diplomatikë.

Dihet se gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të përballeshin asnjëherë ushtarakisht njëra me tjetrën, por vendet e treta do të shërbenin si mish për top ndaj luftës së heshtur”- u shpreh Luca Micheleta.

Micheleta është autori i librit “Diplomacia dhe demokracia. Kontributi i Italisë në tranzicionin e Shqipërisë drejt lirisë”.

Në përshkrimin që autori i bën librit thuhet se:

Fundi i Luftës së Ftohtë dhe i komunizmit në Europë nisi një sezon mbresëlënës dhe nganjëherë edhe dramatik të revizionizmit politik-territorial në kontinentin e vjetër, i cili është shoqëruar me fitoren e lirisë dhe demokracisë të miliona qenieve njerëzore.

Me rënien e regjimit komunist, edhe vendet fqinjë të Italisë, si Shqipëria dhe Jugosllavia, kanë përshkuar rrugën drejt demokracisë, një rrugë që ka qenë tejet me pengesa, po të krahasohet me atë të shumë vendeve të tjera të ish-bllokut socialist.

Jugosllavia u shpërbë si rrjedhojë e një lufte të përgjakshme. Shqipëria, nga ana tjetër, ka përjetuar një fazë më pak të dhimbshme, por shumë më problematike, në të cilën Italia luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve liberale e demokratike.

Ky studim rindërton marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë në kapërcyell të pellgut së historisë europiane përfaqësuar nga rënia e Murit të Berlinit, përgjatë dy dekadave që shtrihen nga fundi i viteve ’70 e deri në fund të viteve ’90 të shekullit të XX.

Në këtë studim analizohen sjelljet e qeverive, të opinionit publik dhe të forcave politike italiane drejt eksodit, luftërat e dhunshme, si dhe skandalet e polemikat që karakterizuan tranzicionin e Shqipërisë e cila ishte në kërkim të lirisë dhe demokracisë”.

luca

Shqipëria e studiuar nga një italian

Një orë përpara se të fluturonte drejtë Italisë, u takuam me Profesorin, i cili nuk e fsheh entuziazmin dhe tregon se sa herë që kthehet në Tiranë shikon ndryshime pozitive.Pas konferencës ne folëm me Micheleta-n dhe zhvilluam këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’, duke u përpjekur të kuptojmë më shumë se si e ka parë një historian italian këtë periudhë dhe mbi të gjitha çfarë  ka kuptuar ai nga dokumentet e shfletuara ndër vite nga arkivat italiane ende të paeksploruara deri në fund.

“Më pëlqen shumë Tirana, sheshi Skënderbej është bërë shumë i bukur, ka hapësirë, frymëmarrje. Nuk është hera e parë që unë vij në këtë vend dhe jam i lumtur që ky vend po ndryshon për mirë”.

Si një profesor i cili jep mësimi në Universitetin La Sapienza në Romë ai ka njohur ndër vite shumë student shqiptar dhe tashmë ka krijuar një mendim për ta.

Na thotë se janë studentë shumë të mirë, ironikë, tallës dhe të shkathët. Kanë ndryshuar shumë me kohën dhe nuk ndryshojnë fare nga bashkëmoshatarët e tyre në vende të tjera.

“Nuk kanë asnjë problem dhe janë krejtësisht të barabartë me italianët. Janë të zhveshur nga çdo lloj kompleksi. Tani po vjen një tjetër brez që është ai i studentëve me prindër shqiptarë, por që kanë lindur në Itali. Ata janë edhe më të çliruar, por gjithmonë kanë atë damarin shqiptar që i dallon nga të tjerët, jo se ne italianët ndryshojmë shumë…ëëë, të kuptohemi!” – thotë Micheletta për punën e tij si profesor në kryeqytetin e Italisë dhe marrëdhëniet e tij me studentët.

Gjithsesi ne na intereson këndvështrimi i një studiuesi italian për periudhën komuniste, pra të Luftës së Ftohtë, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin ishin në nivelin më të ulët. Në këtë intervistë ai përshkruan “gungat” e historisë sonë, lidhjet dhe prishjet e aleancave më Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Si priteshin këto lidhje e zgjidhjemarrëdhëniesh në Perëndim dhe sidomosnë Itali. Prof Micheletta flet këtu edhe për udhëheqësit komunistë të kohës, për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Ramiz Alinë duke bërë edhe vlerësimet përkatëse për rolin që kanë luajtur gjatë sundimittë tyre. Më tej flet për rënien e regjimit komunist dhe zhvillimet demokratikë të pas vitit 1990. PërSali Berishën nuk ka dëshirë të flasë. “Është botë tjetër ai” thotë dhe qesh.

Dhe hyjmë në temë, për ata çka profesori i ka kushtuar vite të tëra studime, duke na shpjeguar marrëdhënien Shqipërisë me disa vende të huaja pas luftës së dytë botërore dhe veçanërisht me Italinë.

-Profesor Luca, cila është arsyeja që ju ka sjellë këtë herë në Shqipëri?

– Jam në Shqipëri pasi jam ftuar nga Ambasada Italiane, ku së bashku me kolegë të tjerë italianë dhe shqiptarë,  mora pjesë në një konferencë për të folur mbi folur për Shqipërinë dhe Italinë gjatë periudhës së viteve ’60-70, që përkon me periudhën kulmore të Luftës së Ftohtë. Shqipëria dhe Italia janë dy vende fqinje që ilidh një histori e gjatë marrëdhëniesh, me ulje e ngritje. Tani jemi në periudhën e marrëdhënieve më të mira mes nesh.

– Ju keni bërë edhe një studim për këtë periudhë, një libër … Çfarë keni zbuluar?

– Italia ndryshoi radikalisht pozicionin mbi ekzistencën e shtetit shqiptar pas luftës së dytë botërore.

Ju e dini që Italia e ka pushtuar Shqipërinë, por pas luftës, ajo zgjedh një linjë të qartë: mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë. Kjo është shumë e rëndësishme të theksohet. Dhe nuk ndryshon më pozicion, kështu që është shumë e qartë në politikën kundrejt Shqipërisë dhe duke respektuar Jugosllavinë dhe Greqinë. Italia pas luftës së dytë botërore është një Itali ndryshe.

Gjatë luftës, Jugosllavia dhe Shqipëria ishin vende armiq të Italisë, ishin në kampe të kundërta. Por kjo nuk vazhdoi pas luftës. Edhe Italia vuajti shumë nga ajo luftë. Pas luftës në Shqipëri dhe Jugosllavi u vendosën regjimet komuniste dhe kështu ato u bënë vende armiq të Perëndimit, pra edhe të Italisë, por vetëm armiq ideologjikë. Gjatë periudhës së pas luftës së dytë botërore, kjo situatë ndryshon dhe u bë shumë mirë që u ndryshua…

Megjithatë edhe Shqipëria, megjithëse komuniste, ka ndryshuar disa herë pozicionet pas luftës, palidhur dhe prishur aleanca… Si janë pritur në Itali këto zhvillime shqiptare?

– Këto zhvillime në Shqipëri ndiqeshin me vëmendje dhe me interes. Për Jugosllavinë qëndrimi i Italisë dhe Perëndimit  ndryshon gati rrënjësisht në vitin 1948, kur udhëheqësi jugosllav Tito prishi miqësinë me Stalinin dhe me Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavia, avash-avash, kalon në anën e perëndimit. Kjo do të thotë që italianët por mbi të gjitha amerikanët dhe vendet e tjera perëndimore, ndihmuan shumë regjimin Titos. Kur them e ndihmuan, e kam fjalën me lekë, me investime. Ndërsa Shqipëria u lidh me rusët, me sovjetikët domethënë dhe kjo u prit më alarm në Perëndim.

– Sidoqoftë, edhe kjo miqësi u prish një ditë… Pse Perëndimi dhe Italia nuk mbajtën të njëjtin qëndrim si me Jugosllavinë në rastin e Shqipërisë?

– Po, ky është një moment i rëndësishëm, por edhe kompleks. Prishja e miqësisë së Shqipërisë me sovjetikët është e vërtetë se u përshëndet nga Italia dhe vendet e tjera perëndimore, por jo me bujë. Kjo dinamikë vjen edhe në Shqipëri por, pas vitit 1961. Është një pikë kthese që duhet vlerësuar shumë. Natyrisht kjo ka qenë në të mirë të Shqipërisë. Pra pasi Shqipëria prishi marrëdhëniet miqësore me Bashkimin Sovjetik. Kjo për italianët ishte një gjë shumë e mirë pasi nuk janë më të përqendruar sovjetikët në Vlorë. Baza ushtarake e Vlorës ishte një rrezik shumë i madh për Perëndimin dhe Italinë në radhë të parë. Largimi i sovjetikëve nga Vlora na bëri të marrim frymë të lehtësuar. Mirëpo në këtë moment Shqipëria fillon t’i afrohet Kinës, por italianët ishin të bindur dhe mendonin se ndihma dhe paratë që vinin nga Kina nuk i mjaftonin ekonomisë shqiptare.

Ata (italianët) dhe kur them italianët e kam fjalën edhe për amerikanët, mendonin se Kina nuk mund ta mbrojë Shqipërinë nga Bashkimi Sovjetik.

Dhe kështu, avash-avash, Shqipëria “rrëshket” ose anohet drejt kampit perëndimor, qëndron komuniste, urren amerikanët, imperialistët, italianët…

Por rreziku më i madh për Shqipërinë në atë kohë ishin rusët. Prandaj dhe siguria e Shqipërisë i është besuar perëndimorëve. Hoxha e dinte mirë këtë, pavarësisht  gjuhës së ashpër që përdorte kundër Perëndimit.

Kjo u bë edhe më shumë evidente pas vitit 1968 kur Shqipëria kishte frikë se rusët, pasi mendon se ashtu siç ata bënë me Çekosllovakinë kur e pushtuan, mund të ndërhyjnë edhe në Shqipëri dhe e dinë që kinezët nuk mund t’i mbrojnë. Në atë kohë Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës…

DITA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura