Profesionet e lira/ Tabaku në Kuvend: Socialistët tatojnë ata që punojnë me ndershmëri deri në 23%, të korruptuarit dhe ata që vjedhin, shpëtojnë me amnisti fiskale

Mar 30, 2023 | 16:39
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet kundër rritjes së tatimit për profesionet e lira. Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku e konsideroi si “tatim socialist” që do të rrisë informalitetin.

joridatabaku

Sipas saj, socialistët tatojnë deri në 23% ata që punojnë me ndershmëri, ndërsa personat që vjedhin dhe bëjnë korrupsion, shpëtojnë përmes amnistisë fiskale duke legalizuar paratë e tyre.

Tabaku: E penalizojnë punën se sot fatkeqësisht, kjo qeveri nuk e vlerëson profesionistin. Nuk e vlerëson atë që fiton të ardhura të ndershme. Nuk e vlerëson shtresën e mesme. Të paktën të jeni të ndershëm edhe me njerëzit, edhe me qytetarët, të jeni të ndershëm edhe me ato që sot do ju ndryshojë tatimi dhe taksa brenda ditës. 20 milionë euro më shumë do të paguajnë 17 mijë profesionistë të lirë, avokatë, kontabilistë, mjekë, dentistë, farmacistë. Kjo është shtresa e mesme e shoqërisë.

Pastaj pyesin kolegët çfarë është tatimi socialist. Tatimi socialist është ai që taton atë që punon më shumë, atë që është më i ndershëm. Se po të mos jesh i ndershëm, do kesh amnistinë fiskale. Po vodhe, po bëre korrupsion, do bësh legalizimin e kanabisit. Do kesh mundësi që po të jesh i korruptuar, edhe t’i legalizosh paratë e tuaja përmes amnistisë fiskale. Por po punove, do të tatojnë deri në 23%.

Pse gjykoj se ky ligj është i padrejtë? Biznesi i vogël në këto vite, nga 2013 e këtej ka qenë më i penalizuari. Kanë bërë prova, kanë bërë eksperimente, e kanë futur në skemën e TVSH-së, e kanë hequr nga skema. Sa herë afrohen zgjedhjet, u premtojnë taksa të ulëta. Në vitin 2029, qeveria do e prezantojë si çdo formë tjetër biznesi.

Ku e gjejnë kurajon që të thonë se pasi të kenë ikur nga qeverisja, ju do keni këtë taksë. Politika e taksave është mandati i qeverisë. Kjo është antikushtetuese për këtë parim, për parimin e ndryshimit të taksave me një efekt kohor të shtyrë në kohë. Së dyti, a ka mundësi që të tatohet si një biznes i vogël një person fizik që ka rrezik të shtuar në punë, një risk që vjen nga shumë aktivitete të cilat vijnë nga marrja përsipër e rrezikut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura