Prof. Zef Pali, një “portret” për Fishtën

Nov 30, 2022 | 7:21
SHPËRNDAJE

FRANO KULLI

maxresdefault

Njëri ndër dy botimet jubilare për Fishtën, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, përgatitja e të cilit fillon në vitin 1941 prej At Benedikt Dema, hapet me shkrimin e Prof. Zef Palit. Prof. Zef Pali (1910-1977), njëri prej intelektualëve të spikatur shqiptarë të kohës së vet, lindi në Shkodër. Në atë qytet mori mësimet e para, në gjimnazin françeskan, të themeluar prej At Gjergj Fishtës.

Më pas në shkollën Normale të Elbasanit, kurse studimet e larta i kreu në Firence (Itali). Pas studimeve, në vitin 1937, kthehet në Shkodër dhe emërohet drejtor i shkollës “Skanderbeg”. Në vitin 1941, shkon vullnetarisht në Kosovë, përkrah rreth 200 mësuesve dërguar atje nga Shqipëria, me përkujdesjen e Ministrit të Arsimit të kohës, Ernest Koliqi. Bashkë me të shoqen Flora Pali (Lezhja), mësuese edhe ajo, ndihmuan në hapjen e shkollave shqipe atje…

Nacionalist, në gen e në formim, në ditët e para të vitit 1939 ishte ndër të parët organizatorë të demonstratave të zhvilluara në Shkodër kundër fashizmit dhe në gushtin e atij viti angazhohet me organizatën “Balli kombëtar” në atë qytet, themeluar prej Lec Kurtit. E shumë shpejt radhohet në krah të Mid’hat Frashërit, për realizimin e platformës së kësaj organizate nacionaliste. Nëpërmjet shtypit të saj kryesisht, të cilin e drejtoi për gati 30 vjet. Në mbarim të luftës, largohet nga Shqipëria, përsëri në Itali, i dëbuar prej rrethanave të dhunës së pritshme prej pushtetit të ri komunist që po vendosej. Nuk u shkëput për asnjë çast nga veprimtaria atdhetare në mërgim. Në Romë, në Paris, në Amerikë…

Shkrimet e tij, kryesisht në gazetën “Flamuri”, që firmoheshin prej tij (me pseudonimin “Flaka”), shënjojnë kualitet të veçantë në memorien atdhetare të elitës së mërgatës sonë në botë. Prej vitit 1955 e deri në fund të jetës, punoi në Seksionin e Gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit. Orator i shkëlqyer, mjeshtër i shkrimit dhe i artikulimit, një mbrojtës i dalluar i të drejtave të njeriut dhe një luftëtar i pa kompromis i lirisë. Vdiq aksidentalisht në Romë, në vitin 1977. U varros me nderime të mëdha prej Mërgatës Shqiptare, në Nju Jork (SHBA), në varrezën “Ferncliff”, pranë varrit të Mid’had Frashërit. FISHTA Zef-a e thirren fshatarët camërdhokë Fishen e vogël, kur ai hillej plot gaz mbi kaçuba e rmore perciellun ambel me muzikë currilash. Neper shpate të hijesueme, mbi shkambij të thepisun u lshue me kambë të sbathuna “i vocrri i nanës”.

Me ato kambë të njoma shkeli mbi ferra, me ato kambë të vogla u shtí në shpella. E ferrat therëse i rrëmbyen “ohet” e para të jetës. Shpellat e errëshme i zbuluen çerdhet e pushkatarve, tbânat e Zanave. Nji çerdhe të nxime, atje në Fishten e papërmendun, e gjet kërkimtari edhe te votra e tymosun. Zumbarja në ndoj vetull mali, kanga në votren e repun, ia dridhen herët zemrën e mertisun. Por kur kokës iu hoq qeleshja, zemra nisi me i shperthye. Ajo buçiti me krizëm e lirë në prehnin e të Vorfnit t’Azisit. * * * Ata qi e skalitën me sy Fishtën e Madh tue ngrehë zharg nji kambë, tue e mshtetë me mund mbi nji shkop, kishin qef me besue se Poeti i Fisit, nuk kishte ndërrue gjatë stinëve. Nji P. Gjergj të gjatë, të shkathët qi nget pa të vështirë prej qyteti në fshat, prej fushe në mal, pakkush e ka parasysh.

Nji P.Gjergj sykërkues, syhetues me nji fytyrë të hajme, me nji ball të mvrojtun, me pak musteqe të shkurta, as nuk e mendon kush mâ. Të gjithë e ruejnë të paprekun pamjen madhështore të poetit-plak: nji burrë i bâshëm, i gjatë qi bán me madhni peshën e sa vjetëve. Nji trup qi mshtetet mbi nji shkop, por nuk përkulet mbi té. Si nuk u përkulen gjatë stuhisë së shekujve malet e nalta. Por ma shumë se trupi mbuluem me zhgunin e murrmë na rrin gjithnji përpara fytyra e Poetit: ball i gjanë i kufizuem mes vetullash e flokësh së thimë e të mënjanuem; sy-shqipojë, qi pa syzet e zeza të pleqnisë të përmbajnë si në frigë e në nderim; gojë mezatare, vullkan i pashuem i fisit krenar.

Por, në qoftë se Fishta duel si vigâ nga guri i gjallë i malit trupore, fytyra e Tij do kërkue nëpër shkambijt e harruem t’Arbnis, qi moti shqiptar ka zakon me i gdhenë e me i ruejt me zili. Atëherë në vend të flokëve të thimë, të mënjanuem, ka me na dalë para në nji pyll virgji i përkulun, i zbardhun nga dimni. Balli i gjanë ka me na u dukë si ndonji shpat mali i rrpinët, i çveshun, i vijosun. Veshët, sytë do të na paraqiten në këtë vegim shpella ku rrin në beh luftari, zgavra ku synon i patrembun pushkatari, e goja krater i vjetër- i ri prej kah shpërthen i furishëm kushtrimi. Prej kah flaka e inatit e tymi i shfrimit dalin e përzihen me lava tallje. * * * Ilirija e pashueme qiti nji ditë të papritun kangatarin – mjeshtër.

E zgjodhi bri nji krepi të çveshun, mbrenda nji kulle së gurtë. E mori përdore, e zbriti në fushë. Prej këndej, Poeti i lindun pau malet. Pau çerdhet qi ndryjshin me zili mijëvjeçare shpirtin e nji populli të lirë. Gjet zanat qi ruejshin nëpër gojët- gurra nji histori të pashkrueme. E u lëshua me hov kah sheshet e luftave të harrueme. Kërkoj me të dhanun emnat e etënve të gurzuem. I çveshi nga harresa e padrejtë, u ndërtoi altarin e merituem. Marashin e vendoi si trungu i fisit të lashtë. Osos i zbuloi trimnit e Batos. Abdylit urtinë e Marashit. Ilirin e thirri shqiptar.

Ndër katunde ku shkoi me nxanë vendin e shërbëtorit të Zotit, hetoj tipat e fisit, ndëgjoi ndonji kallzimtar, ndonji kangatar. Me protagonistat e ri kërkoi me ngjallë kangët e pakëndueme, kërkoi me ndi, me mledhë trimnitë e këndueme prej Poetëve të panjoftun, qi qiti e përpini mali kreshnik. Në heshtín e kuvenit të Troshanit, Arrës së Madhe, Leshit, n’ekstazin e agimit u vu me përsëritë me za e mefigurë vargun epik qi i nxori goje kryengritja e krenëria e fisit. Agimi qe shoq i Poetit. Në lindje të sa mëngjeseve, linden shumë vargje, u përsëritën shumë lufta.

Kaluen nji mbas nji me zjarmi djegëse kuadret e gjalla, kuadret e naltueme ke selia e hartit. Shqiptari njohti vehten. U kujtue se nji zâ i motshëm sa shkambijt e plakun i flitëte pa e ditun mbrenda shpirtit. Në nji dhomë të thjeshtë të mbushun me libra të vlefshëm, mbrenda të cilëve kishte këndue Homeri, Virgjili, Shekspiri, Molieri, u rreshtuen vargjet therëse e tallëse, vargjet epike, kangët e nji shpirti të lëkundun. Të lëkundun nga dashunia e tokës, nga qindrea e rojtarit besnik, nga bukuria e gjuhës së pavdekshme. Shumë gojë shpërthyen nëpër nji gojë.

* * * Gojën qi përdori me këndue e shtini në punë edhe më mësue. Në nji skaj të Shqipnis u çel nji shkollë. Shkolla e Fishtës. Shkollë thjesht shqipe. Rreth mësuesit të mash u mblodhën kalamajtë e lagjeve të vorfna të qytetit. U grumbulluen të çveshun, të zbathun, të lanun jashta dere. Me këta shokë të vegjël sot katërdhjetë vjet, Fishta ngjalli nevojën e mësimit. Me këta fëmijë të braktisun popullzoi kalánë e parë prej kah fluturuen shqipet e reja. Mësuesi, qi dijti me folë me gjuhën rrufè-zhgjetare, dijti me folë edhe me ambelsin e nji kërthini. U bâ i vogël e me shokët e vegjël, shokët e rij kaloj ditët mâ të kthjellëta. Në mes të këtij grumbulli i lindën në zemër ndër dimnat e akullt shpresët e ngrohta.

Prandej kurrë nuk u hidhënue me to. Edhe kur shkopi i tij çohej me furí për me zbritë i randë ke flaka e ndonji fajtori të vogël, thupra nuk e bante poteren e pritun. Ajo zbritte lehtë mbi dorën dridhëse. Mësuesi e nxanësi rrijshin gjithnji shkoq. “Janë të vogjël, thonte Fishta, asht mëkat me ua kthye gazin në vaj. Kanë mjaft me qa ndër familjet e pabukë”. Shkolla e Fishtës qe nji Shqipni e vogël. Nji Shqipni e ngjallun mes talljes e përbuzjes. Nji shkollë e lindun mes vorfnís e padijes. Nëpër ato oda të thata të zbukurueme vetëm nga fytyra madhështore e Mësuesit u hapën avujt e parë e nji gjuhe të luftueme. U rrëmuen fjalët e ndryme në harresën dinake. Zbritën nga mali pasunit e trashëgueme. Nxanësit e habitun, të pamësuem panë të mishnueme dashunin e tokës, fuqinë e besës, murrjen e nderës, zjarrmin e burrnis.

E lufta nisi, shpërthei nga zemrat e msheluna. E lufta s’pushon. * * * Por veç Poetit, Mësuesit, nuk mund t’u hiku syve njeriu shqiptar. Nji shqiptar qi mënín çdo të huej; qi kërkon me qenë Zot në shtëpi të vet. E për shtëpinë e vet çon zanin e shqerrun, qan me lot gjaku herojt e pashpërblyem; nget ndër kryeqytete të botës e njef tatarin e diplomacis. Njeriu-shqiptar i naltuem mbi tribunën e nderës e të vlerës tërhek shumë sy. Ata sy kërkojnë në kangatarin në predikatarin, në politikanin dishka të huej, dishka të përsosme. Por brumi asht poshtë e pak kush kujtohet.

Njeriu shkëputet nga grumbulli vetëm për me këndue me Lahutë, vetëm për me therë me Anza, me mrizue me Zána. E atëherë, ato poshtë (frymëzuesat e panjoftun) qajnë, qeshin, gëzohen, tronditen. Hovet e nji shpirti të naltuem shkrepën për dyert e zemravet. Fishta i përditshëm çfaqej nji shqiptar i thjeshtë- i madh. Petku e shkolla nuk e kishin larguem aq shumë nga votra e parë. Me bisedat e gjata alegorike mbushë me anekdota të nji përvoje së pasun, kënaqte ata qi kërkojshin me e ndie e me e pa. Buzët qi nxirrshin aq lehtas fjalët e rrjedhshme, ishin gadi me shpërthye në gaz, kur gazit nuk ia zente vendin hidhnimi.

Pse kur mbi fytyrën e Fishës shifeshin shenjat e shtrëngatës edhe shtrëngata s’vononte me shpërthye me fjalë që vërviteshin me furi. Shqiptari, sado i ultë, vlente për Fishtën ma tepër se çdo i huej. E edhe në qoftë se shpesh u lëshonte kundër atyne qi ia prishëshin qefin, prap mbrenda vehtes i njifte vlerët e rrethit, e dinte se me përbuzë çdo gjâ, pa e njoftë mirë, âsht gadi instinkt i pa vullnetshëm për ne. Ajo veç qi e mundoi ma fort gjatë jetës, qe liria e vendit.

Kjo ishte biseda qi nuk lëshonte goje. Kjo ishte gozhda, qi shpesh ngjarjet e njerëzit i a ngulshin në vendin e shpresës. E kur nji shkrimtare e huej, tue ia kuptue pikën qi e mundonte, e pyeti: shka kishe me bâ me pasë për të humbë Shqipnia? Fishta iu vërsul: “Kishin për të plasë edhe malet t’ona”. *** Fishta na la ditën e nji dimni të vranët. Shkoj me pri vallen e kangatarëve të zhdukun. T’atyne kangatarve qi shuen zânin bri nji Flamuri të harnuem, të grisun. Bri atij Flamuri qi hetoi mâ shumë në kalá se në vorr, mâ pak në kalá se në zemër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura