Prof. Selim Islami, një jëtë për arkeologjinë

Mar 25, 2023 | 12:00
SHPËRNDAJE

Neritan_Ceka_2012GE_ii

PROF. NERITAN CEKA

Përkujtimi i 100-vjetorit të lindjes së prof. Selim Islamit (1923-2001) plotëson një memorial kushtuar nga Akademia e Shkencave katër manjifikëve të arkeologjisë shqiptare. Përgjatë gjysmë shekulli të veprimtarisë së tyre, prof. Hasan Ceka, prof. Selim Islami, prof. Skënder Anamali dhe prof. Frano Prendi ngritën një monument të përbashkët, që është vetë arkeologjia shqiptare.

Me mosha dhe prejardhje krahinore të ndryshme, ata formonin në punën e tyre një identitet të vetëm njerëzor, që përmblidhte urtësinë dhe kulturën klasike të Hasan Cekës, energjinë dhe mprehtësinë e Selim Islamit, optimizmin dhe shijen e jetës të Skënder Anamalit apo kurajën shkencore dhe bukurinë burrërore të Frano Prendit. Kështu janë fiksuar në kronikat e kohës, në ekspeditat e para në tumat e Matit, apo Pazhokut, në gërmimet e Gajtanit e të Çukës së Ajtojt, në Apoloni, apo Butrint, por mbi të gjitha në veprat e përbashkëta, pa të cilat nuk mund të ecej në rrugën e re shkencore të arkeologjisë shqiptare, që ishin vëllimi “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, libri në frëngjisht “Les Illyriens” (Ilirët) dhe mbi të gjitha themelimi i revistës “Iliria”, si botim shkencor i arkeologjisë shqiptare.

Brezi i studiuesve të rinj që u përgatit nën drejtimin e tyre në vitet ‘60 do të kujtojë gjithmonë frymën e bashkëpunimit dhe të sinqeritetit shoqëror, mbi të cilën ata organizuan kërkimin shkencor në kantieret e gërmimit, apo kabinetet e punës dhe se si arkeologjia shqiptare do të renditej krahas disiplinave motra europiane në demonstrimin e saj të madh ndërkombëtar, në Kuvendin e Studimeve Ilire të shtatorit 1972, kur arkeologu i famshëm anglez Nicolas Hammond do të shprehej “…si studiues ne vlerësojmë faktin se ju na bëtë të njohur pa asnjë rezervë zbulimet e mrekullueshme arkeologjike që keni bërë që pas mbarimit të Luftës II Botërore; që ju shprehët pikëpamjet tuaja në të gjitha subjektet me sinqeritet dhe ndershmëri të plotë dhe na lejuat ne që të shprehim lirisht pikëpamjet tona.

Diskutimi i lirë dhe miqësor është perlë e qytetërimit!”. Po në atë tribunë autoriteti i arkeologjisë ilire të shkollës së Sarajevës, prof. Alojz Benac, u shpreh me admirim të hapur, se “…kolegët tanë shqiptarë kanë përparuar shumë në shkencë dhe shkenca arkeologjike ka regjistruar rezultate të rëndësishme… duke hyrë nga porta e madhe në shkencën arkeologjike ballkanike dhe, para së gjithash në atë europiane dhe dua t’ju them këtu se ju uroj mirëseardhjen!”.

Siç vinte në dukje Nicolas Hammond, arkeologjia shqiptare ishte një vepër e ngritur që nga themelet pas Luftës II Botërore, kur trashëgonte vetëm gërmimet e misioneve të huaja në Butrint e Apoloni dhe tri koleksione private arkeologjike. Guri i parë i themelit ishte vendosur më 1948 me krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik dhe rihapjen e gërmimeve arkeologjike në Apoloni nga Hasan Ceka dhe formimin prej tij të një bërthame studimore, ku u atashua Skënder Anamali dhe Jovan Adam. Ardhja e Selim Islamit më 1951 nga studimet për etnologji në Moskë dhe emërimi si drejtues i Muzeut Arkeologjik Etnografik krijoi energji të reja me angazhimin e atij muzeu në një fushatë të gjerë gërmimesh në tumat e Matit, në zonat që do të përmbyteshin nga ndërtimi i hidrocentralit të Ulzës. Koncepti i gërmimeve të shpëtimit, që motivoi atë fushatë trevjeçare, ishte novator jo vetëm për Shqipërinë, por ende pak i njohur edhe për vendet e përparuara europiane. Më shumë se kaq, Mati shënonte edhe kthimin e vëmendjes së arkeologjisë në Shqipëri drejt kulturës autoktone ilire dhe problemeve historike. Në vazhdim u gërmuan tumat e Vodhinës, Vajzës dhe më e rëndësishmja, Pazhoku, ku S. Islami dhe H. Ceka dëshmuan për herë të parë procesin e etnogjenezës së ilirëve.

Ai që ishte një sektor në dukje i thjeshtë i Arkeologjisë në kuadrin e Institutit të atëhershëm të Historisë dhe Gjuhësisë të Universitetit të Tiranës, ishte në fakt një Institut i përmasave ndërkombëtare me ndërmarrjen e gërmimeve arkeologjike shqiptare-sovjetike në Apoloni në vitet 1958-1960 në drejtimin e Selim Islamit dhe Vladimir Blavatskijt. Ajo ishte edhe shkolla ku u ngjiz nga pikëpamja numerike dhe cilësore grupi i arkeologëve shqiptarë, që do të përcaktonte zhvillimin e kërkimeve arkeologjike deri në fund të viteve ‘80 dhe që u formësua shkencërisht nga autoriteti shkencor dhe njerëzor i Selim Islamit, Hasan Cekës, Skënder Anamalit dhe Frano Prendit. Ishin ata që përcaktuan misionin e arkeologjisë si një disiplinë historike në trajtimin dhe zgjidhjen e problematikave të etnogjenezës së ilirëve në periudhat prehistorike, të karakterit dhe tipareve të kulturës urbane ilire në periudhën e antikitetit klasik, në vazhdimësinë kulturore dhe etnike nga ilirët te shqiptarët në periudhën e antikitetit të vonë dhe Mesjetës së hershme.

Kush e ka jetuar atë periudhë ndjen edhe sot ritmin dhe entuziazmin e punës në kantieret e gërmimeve, sa dhe përqendrimin, seriozitetin dhe frymën e kolegjialitetit të punës në kabinet. Në drejtim të saj qëndronte vullneti, autoriteti dhe largpamësia e Selim Islamit, që nga zyra e tij në korridorin ku gjendet sot Instituti i Arkeologjisë, apo në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku jepte lëndën e arkeologjisë dhe mbulonte detyrën e zv.dekanit, në një sistem pararojë për universitetet e kohës, dhe pastaj në gërmimet e tij, apo në vizitat në kantieret e kolegëve, ku shoqërimi nga Hasan Ceka, Skënder Anamali apo Frano Prendi, formonte një katërshe biblike. Vetëm në dy dekada pune e përkushtimi ky grup i vogël, nën drejtimin e tij kishte formësuar plotësisht arkeologjinë shqiptare, me departamentet e saj, muzeun, bibliotekën, laboratorin dhe kabinetet e numizmatikës dhe antropologjisë. Sot, pas rreth gjysmë shekulli, kemi kuriozitetin të pyesim se si ndodhi që koha thirri njerëzit e duhur, që bënë punën e duhur, pa marrë kompensimin e duhur? Sepse, si dëshmitar i asaj periudhe duhet të kujtoj se veçanërisht Selim islami nuk u trajtua siç e meritonte nga pushteti i kohës.

Më 1966 u transferua si punonjës i thjeshtë muzeu në Shkodër, ashtu si dhe Frano Prendi u degdis si mësues në Lezhë, në të ashtuquajturin qarkullim të kuadrove, ku përfshiheshin të gjithë ata që dyshoheshin për një qëndrim jo ortodoks ndaj politikave maoiste të Partisë. Më pati thënë atëhere për atë lloj qarkullimi: “Le ta provojnë edhe këtë gjellë!”, duke i cilësuar si “ata” promovuesit e atyre politikave. Duhet të kujtoj se ai lloj margjinalizimi nuk dekurajoi aspak Selim Islamin, që u angazhua në ato vite të vështira për familjen e tij, me Institutin e Monumenteve në gërmimin e qytetit antik në Zgërdhesh dhe në themelimin e revistës “Monumentet”, krahas revistës “Iliria”. Ky ishte shembulli që ndoqi Frano Prendi në Lezhë me fillimin e gërmimeve sistematike në Lezhë apo vetë unë me fillimin e gërmimeve në Belsh.

Trashëgimia kryesore e Selim Islamit janë padyshim veprat e tij shkencore të përmbledhura në vëllimet “Kultura ilire e Tumave të Matit” dhe “Historia e Ilirëve”, si një model që Moikom Zeqo e pati cilësuar në dy rreshta: “…Stilist i madh i shkrimit shkencor, ai shkruante sikur skaliste”. Student i tij në Fakultetin Histori Filologji që në vitin 1958, pjesëmarrës në ekspeditat e tij në Apoloni, Çukën e Ajtojt, Bushkash të Matit, Gajtan të Shkodrës, apo Zgërdhesh, unë e kam konsideruar veten me fat që kam qenë për katër dekada nxënës, bashkëpunëtor dhe mik i tij. Jam padyshim edhe një dishepull i tij në bindjen se arkeologjia është një shkencë historike dhe misioni i saj në institucionet tona është rindërtimi i mozaikut kompleks të historisë së shqiptarëve. Si rrjedhim, kërkimi arkeologjik nuk është një aksion më vete, siç pretendohet nga dishepujt e vonuar të “New Archeology”, që i konsiderojnë si “outdated”, “nacionaliste”, apo “romantike” arritjet shkencore të S. Islamit dhe kolegëve të tij.

Shkolla arkeologjike shqiptare ka në themel vështrimin poliedrik të Selim Islamit, me përgatitjen universitare si etnolog dhe praktikën e gjatë në terren e kabinet krahas Hasan Cekës, Skënder Anamalit dhe Frano Prendit, epigonë të shkollave të filologjisë klasike të Vjenës, Padovës dhe Sofjes. Misioni themelor i kësaj arkeologjie është zbulimi dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore të popullit tonë, si dhe interpretimi shkencor i të dhënave historike që rrjedhin prej saj, në mënyrë që t’i jepet komunitetit etnik shqiptar “…sensi i identitetit dhe i vazhdimësisë, duke promovuar në këtë mënyrë respektin për diversitetin kulturor dhe kreativitetin njerëzor”, siç e përcakton tekstualisht Konventa e UNESCO për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e 17 tetorit 2003, e nënshkruar edhe nga Shqipëria. Në këtë kuptim angazhimi i arkeologjisë shqiptare në sqarimin e vazhdimësisë ilire-shqiptare nuk është një shpikje e arkeologëve tanë, sepse u promovua së pari nga suedezi Thunmann që në vitin 1774, për gjuhësinë, apo nga Artur Evansi i madh në vitin 1884 për arkeologjinë.

Ka qenë shkolla arkeologjike shqiptare e viteve ‘50-‘80 një vegël e Partisë në pushtet në ndërtimin e ideologjisë së saj nacionalistekomuniste, siç e akuzojnë “New Archaeologist”-ët? Natyrisht që jo! Veprimtaria e tyre në të gjitha drejtimet dëshmon në radhë të parë ndërgjegjen dhe ambicien e pastër profesionale, po aq sa edukatën dhe përkushtimin profesional. Duhet të kujtoj këtu përballimin e Selim Islamit dhe Gani Strazimirit me Kryeministrin e asaj kohe, Mehmet Shehun, në Apoloni, ku kundërshtuan (me rrezik të akuzoheshin si sabotatorë të mbrojtjes nga sulmi imagjinar i NATO-s!) kërkesën e tij këmbëngulëse për të vendosur bunkerët në sitin arkeologjik. Ishte ajo pavarësi intelektuale dhe soliditet shkencor, që i dhanë mundësi Selim Islamit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë ta hapnin arkeologjinë shqiptare ndaj kontakteve dhe marrëdhënieve me studiuesit dhe shkollat arkeologjike më të shquara të Europës, edhe në kohën që Shqipëria komuniste vetëmbyllej në një izolim absurd.

Ishin pikërisht ato marrëdhënie që i dhanë mundësi brezit të ri të arkeologëve të specializohej jashtë shtetit menjëherë pas rrëzimit të diktaturës dhe të kalonte krizën e institucioneve shkencore shqiptare në sajë të bashkëpunimit ndërkombëtar. Për këtë arsye është paradoksale të anatemohet si prodhim i regjimit komunist krijimtaria shkencore në fushën e arkeologjisë, në një model që është i ngjashëm me anatemimin e së ashtuquajturit “regjim feudo-borgjez” i Zogut, pavarësisht se atëherë u krijua shkolla kombëtare e Normales së Elbasanit, Institutit Qiriazi, Shkolla Mbretërore të Vajzave apo letërsia e Migjenit, Fishtës, Poradecit etj. Kjo lloj dikotomie e kulturës, shkencës dhe e artit është një tipar i zhvillimit të qytetërimeve në të gjitha periudhat dhe Akademia e Shkencave gjatë dy dekadave që përjetoi në regjimin komunist ishte padyshim një histori suksesi në sajë të emrave të mëdhenj që e krijuan dhe formuan sfondin kombëtar dhe ndërkombëtar të saj.

Pavarësisht se nuk u fut në 25 emrat tepër të kufizuar e të kontrolluar të asaj Akademia, prof. Selim Islami ishte padyshim i denjë për formatin e saj, si specialist, intelektual dhe njeri. Përkujtimi i tij në 100-vjetorin e lindjes është një moment reflektimi dhe mirënjohje për gjithçka që bëri prof. Selim Islami në 50 vitet që i kushtoi plotësisht arkeologjisë, por edhe një shprehje e detyrimit për të plotësuar botimin nga Akademia e Shkencave të punës më të gjatë dhe më të kujdesshme të jetës së tij, që është vëllimi mbi burimet e autorëve antikë mbi ilirët dhe Ilirinë me tekstet origjinale në greqishten e lashtë dhe latinisht. Është një amanet i tij, të cilin na e ka transmetuar edhe Moikom Zeqo në artikullin “in memoriam” ditët e ndarjes nga jeta të Selim Islamit, të cilin e përmbyllte me fjalitë lapidare:

“Ai meriton post mortem titullin akademik. Ai është një ilirolog, pionier i shkencës shqiptare. Ai ishte i tillë, sepse ishte një shqiptar pikërisht siç e cilësonte Naim Frashëri, me trup dhe me shpirt,…një njeri jo i zakonshëm. Harresa është e pafuqishme të gërryejë emrin e tij të mirë e plot dinjitet!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura