Prof. Dr. Mahir Hoti, studiuesi dhe gjeografi pasionant i Shkodrës

Apr 12, 2018 | 10:29
SHPËRNDAJE

sokol axhemiPROF. DR. SOKOL AXHEMI

Pak ditë më parë u nda nga jeta prof. dr. Mahir Hoti, ish-Rektor i Universitetit të Shkodrës. Pa dyshim, është një humbje e madhe për familjarët e tij, miqtë e dashamirët e shumtë, kolegët e tij gjeografë dhe hapë- sirën akademike mbarëkombëtare. I lindur dhe i edukuar në një nga familjet e vjetra qytetare shkodrane, gjatë gjithë jetës së tij, ai ka paraqitur dhe prezantuar pikërisht modelin e qytetarit shkodran, dimensionin e respektit, mirënjohjes dhe vlerave që bart qyteti i tij.

Prandaj, ndarja e tij nga jeta është një humbje e rëndësishme për qytetarinë shkodrane. Ato ishin mësuar që zëri i tij publik të ishte pjesë e rëndësishme e mjaft çështjeve dhe problemeve që kalonte Shkodra në periudha të ndryshme. Figura dhe dimensioni i prof. dr. Mahir Hotit duhet parë në disa drejtime.

Së pari, ai përfaqësonte një pjesë të rëndë- sishme të shkollës gjeografike të Shkodrës. Së bashku me kolegë të tij, ai është themelues i departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Shkodrës.

Në këtë departament, të cilin ai e drejtoi për afro një dekadë, dha një kontribut të vyer si lektor i mjaft lëndëve bazë, hartues i mjaft planeve e programeve mësimore, organizator dhe realizues i mjaft konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, promovues i rëndësishëm i stafit akademik të këtij departamenti, që ndikuan dukshëm në rritjen e autoritetit dhe pozicionit të kësaj strukture akademike. Prof. Hoti duhet vlerësuar në raportet dhe komunikimet me studentët e tij.

Tërësia e kësaj jete të gjatë akademike ka bërë të mundur që studentët e Profesorit të nderuar, të shihnin tek ai jo vetëm lektorin e pedagogun, por edhe shokun e prindin e tyre në hallet, shqetësimet dhe problemet që patën. Në mjaft raste gjatë aktiviteteve shkencore apo ekspeditave mësimore shkencore në zona të ndryshme të Shqipërisë, por edhe në trojet tona, studentët e vlerësonin dhe mikprisnin një figurë të tillë akademike dhe mjaft të dashur për ta.

Së dyti, figura e nderuar e prof. dr. Mahir Hotit duhet vlerësuar edhe në rolin dhe kontributin e tij shkencor. Gjatë jetës së tij akademike, ai realizoi mjaft libra e tekste mësimore universitare dhe të cikleve të tjera në fushën e gjeografisë. Njëkohësisht, mjaft referime shkencore dhe botime në revistat shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, që ndikuan dukshëm në rritjen e autoritetit të tij shkencor e akademik, duke bërë të mundur edhe ecurinë në karrierën akademike.

Kontributi i tij shkencor njeh arritje të rëndësishme në studimin e një sërë çështjeve, të cilat kishin të bënin me fushën e gjeografisë fizike, gjeomorfologjisë, mjedisit, turizmit, etj., për të cilat kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij kanë evidentuar seriozitetin dhe skrupulozitetin shkencor, argumentin dhe analizën e thelluar, metodikën bashkëkohore të përdorur dhe rezultatet e arritura.

Së treti, prof. dr. Mahir Hoti duhet vlerësuar për pasionin shkencor e studimor ndaj tematikave të ndryshme gjeografike, që kishin të bënin me Shkodrën. Në studimet e punimet e tij shkencore për qytetin e lindjes, ai na paraqitet me një dimension mjaft solid për të evidentuar e qëmtuar deri në detaje çështjet gjeografike të Shkodrës, ku mbizotëronte pasioni dhe detyrimi intelektual si një mundësi që respekti ndaj tij, nga shkodranët e tij në breza, të gjente shlyerjen në këtë kontribut shkencor. Prandaj, duhen vlerësuar një sërë botimesh të tij për Shkodrën, mjaft referime shkencore ndërkombëtare mbi Shkodrën të mbajtura në Universitete të ndryshme europiane dhe më gjerë.

Kontribut me vlerë në jetën shkencore e kulturore të Shkodrës pati edhe Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”,në të cilin ai ishte për mjaft vite bashkorganizator dhe drejtues i seksionit të gjeografisë. Tërësia e këtyre elementëve e kanë shndërruar profesorin tonë të nderuar në studiuesin dhe pasionantin shkencor ndaj Shkodrës së tij. Dimensioni i figurës së nderuar të prof. Hotit nuk mund të shmanget nga roli dhe kontributi i tij në karrierën administrative dhe akademike. Si Rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ai punoi pa reshtur për t’i dhënë rolin dhe vizionin që duhet të kishte një universitet bashkëkohor.

Së bashku me stafin akademik të këtij universiteti dhe kolegët e tij, janë bërë të mundura, përgjatë viteve të ndryshme, hapja e mjaft degëve dhe strukturave të reja universitare, krijimi dhe nënshkrimi i mjaft programeve kërkimore dhe marrëveshjeve e protokolleve të përbashkëta me universitete homologe në Europë dhe më gjerë, të cilat e kanë pasuruar në përmbajtje dhe mision këtë institucion të respektuar të dijes sonë kombëtare. Ai do të mbahet mend dhe vlerësohet si drejtues i aftë dhe menaxher efikas në sfidat e rëndësishme që pati universiteti.

Jeta publike e Shkodrës e njohu prof. dr. Mahir Hotin edhe si themelues dhe drejtues i shoqatës së miqësisë ShqipëriAustri, që në fillimet e viteve 1990. Me mjaft intelektualë shkodranë dhe nga qytete të tjera të vendit, bëri të mundur ngritjen dhe institucionalizimin e një marrëdhënieje mjaft serioze dhe konkrete me institucione të ndryshme austriake. Ndikimi dhe roli i tij ishte konkret në fusha të rëndësishme të bashkëpunimit si në arsim, ekonomi, turizëm, etj. Organizimi i eventeve të ndryshme në bashkëpunim me institucione të shumta austriake gjallëroi dukshëm edhe jetën social-ekonomike, kulturore të Shkodrës.

Gjate gjithë jetës së tij, për kontribute të veçanta ai është vlerësuar me medalje e dekorata nga më të ndryshmet, të cilat i bëjnë nder atij, familjes Hoti dhe qytetit të Shkodrës. Prof. dr. Mahir Hoti do kujtohet e mbahet mend si qytetari dinjitoz i qytetit fisnik të Shkodrës, si mësuesi e pedagogu i nderuar për breza e breza të tërë studentësh, si kontributori e studiuesi evident i gjeografisë, si kolegu ynë i respektuar, si miku e dashamiri i të gjithëve. Pa dyshim, që është një humbje e madhe për familjen e tij, për gjithë miqtë e kolegët, një boshllëk i pazëvendësueshëm, por njëkohësisht kam bindjen e besimin se do e kemi gjithnjë pranë, për gjithçka që ai dha gjatë gjithë jetës së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura