Producentja e projektit në ndihmë të grave të dhunuara, Anna di Lellio: “Në çdo kohë, secila prej nesh mund të jetë viktimë”

Jun 1, 2015 | 15:09
SHPËRNDAJE

Presidentja Jahjaga duke ndihmuar në mbledhjen e rrobave në Prishtinë
Askush nuk e di nëse ndonjëherë të dhunuarat seksualisht të çdo vendi e çdo lufte do t’i rikthehen vetes së tyre të mëparshme. Lufta e tyre, tashmë pa armë, është e vazhdueshme, është e përditshme. Po t’i takosh, sado të mos e artikulojnë vuajtjen e brendshme, e kupton menjëherë. Kushdo që ka punuar me to, në përpjekje për t’i rimëkëmbur, e ka kuptuar. “Mendoj për ty”, quhet instalacioni i artistes kosovare Alketa Xhafa Mripa. Por, mendimi mbështetës i këtyre grave që e kanë ende nën lëkurë pasojën e luftës së Kosovës, duhet të jetë i të gjithëve ne. Ky instalacion, me producente Anna Di Lellio, u dedikohet grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe është pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit të organizuar nga Këshilli Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, i themeluar dhe i udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Qëllimi është të portretizohet pafajësia e grave, të cilat kanë qenë viktima dhe tani kanë nevojë për njohjen dhe mbështetjen e të gjithë shoqërisë. Instalacioni do të shërbejë për të risjellë në vëmendjen e publikut dhe të shtetit nevojën e madhe për ndihmë që kanë ende gratë që u bënë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Shqipëria, përmes Delina Ficos, i është bashkuar kësaj nisme duke mbledhur fustane e funde që do të jenë pjesë e instalacionit, në shenjë solidariteti.
Mund të dhurohet një fund ose fustan, duke e depozituar të hënën deri të premten, datë 1 deri më 5 qershor, në dyqanin “Women we love” në rrugën “Pjetër Budi”.
Presidentja Atifete Jahjaga duke i dhuruar një veshje artistes kosovare Alketa Xhafa, realizueses së instalacionit “Mendoj për ty” dhe producentja Anna Di Lellio
Si lindi ky projekt, me ç’qëllim?
Ideja për këtë instalacion lindi marsin e këtij viti, në Londër, gjatë një vizite në ekspozitën “You just don’t talk about it” të Alketa Xhafës, një artiste nga Prishtina, që tani jeton në Londër. Në ekspozitë ishte një dhomë e vogël, dedikuar pikërisht grave që kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Në këtë dhomë, ishin disa fustane të vendosura si tesha që varen për t’u tharë, metaforikisht për të simbolizuar dy gjëra: të lash rrobat e pista në publik (të flasësh për gjëra private në publik) dhe të varësh rroba të pastra (gratë janë të pastra, nuk kanë faje). Unë mendova menjëherë që ky instalacion duhet të ishte parë në Kosovë, ku viktimat kanë pasur shumë probleme në të pranuarit publikisht të përvojës së tyre dhe Alketa më tha se kjo kishte qenë gjithnjë ëndrra e saj dhe se do të kishte dashur ta bënte instalacionin në stadium. Folëm përgjatë gjithë pasdites se si mund ta realizonim këtë projekt dhe unë i propozova zyrës së Presidentes Jahjaga, që udhëheq Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës gjatë luftës. Ideja u pëlqye dhe ja ku jemi.
Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit, në mbështetje të projektit. U bashkuan
gjithashtu burra të tjerë që në shenjë solidarizimi sollën fustane të grave apo motrave të tyre
Sa do të përfshihen gratë e dhunuara në realizimin e së gjithës dhe çfarë parashikoni të ndikojë për mirë te to?
Grave të mbijetuara u pëlqeu kjo ide. Nuk kemi folur me shumë prej tyre, sepse, siç thashë, kërkojnë ta mbajnë private këtë gjë. Instalacioni quhet “Mendoj për ty” dhe synon të afrojë shoqërinë me të mbijetuarat, që do t’i bëjë ato të ndiejnë solidaritetin e njerëzve dhe, siç thotë presidentja Jahjaga “nuk ka ne dhe ato, jemi një, jemi bashkë”. Për shumë kohë këto gra janë braktisur nga shoqëria bashkë me turpin dhe traumat e tyre. Por nuk duhet të harrojmë se disa organizata grash janë gjithnjë në krah të tyre. Kjo gjë i ka ndihmuar të mbijetojnë. Ideja e artistit, e presidentes dhe e Këshillit Kombëtar, që përfshin organizata që kanë punuar me viktimat në heshtje prej vitit 1999, është që të vënë në dukje problemin dhe t’i bëjnë këto gra të ndihen të pafajshme dhe te pranuara nga shoqëria.

Ju vetë, pse e keni mbështetur dhe konkretisht si jeni bërë pjesë  e këtij projekti? Çfarë ju lidh me historinë e këtyre grave?
Është një pyetje sa e lehtë, aq edhe e vështirë për t’u përgjigjur. Unë nuk kam asnjë përvojë personale pune me këto gra, por të qenët grua dhe të qenët njeri më bën të përfshihem në mbështetjen e viktimave të këtij krimi. Janë me mijëra viktimat në Kosovë dhe Bosnjë për të folur për këtë çështje, por janë edhe më tepër gjithandej nëpër botë, kudo ku ka konflikte. Është e rëndësishme të tërheqësh vëmendjen, ta “rithërrasësh” për të evituar ato çka mund të vijnë më pas. Nëse unë apo ju do jetonim në një zonë lufte, do të ishim ne viktimat e këtij krimi.

Kur keni mësuar për herë të parë për luftën e Kosovës? A jeni përfshirë edhe më parë në ndihmë të të njëjtit qëllim?
Për herë të parë kam hyrë në Kosovë më 13 qershor të vitit 1999, nga Kukësi, ku punoja në kampet e refugjatëve si zëdhënëse e Programit Botëror të Ushqyerjes. Prej atëherë, jam kthyer gjithnjë, kam punuar në Kosovë me OSCE, ONU, kam dhënë mësim, kam bërë kërkime mbi politikën dhe kulturën e Kosovës. Kjo është hera e parë që angazhohem direkt në temën e dhunës seksuale gjatë luftës. Është përvjetori i 16-të i përfundimit të saj. Më 12 qershor të 2015, mijëra veshje do të përkunden nga era në Prishtinë, në stadiumin e qytetit. Lufta ka kohë që ka mbaruar, por lufta e të mbijetuarave, për të rifituar paqen e tyre, nuk ka mbaruar ende. Duhet t’i ndihmojmë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura