Prodhuesit e mëdhenj kërkojnë ulje të çmimit të pullave fiskale. Luan Bregasi: “Birra” i ka paguar koncesionarit 60 mln € në 10 vjet

Feb 10, 2021 | 17:22
SHPËRNDAJE

Bizneset i kërkojnë qeverisë qe të rishikojë çmimin e shërbimit të pullave fiskale, disa javë përpara se kontrata koncesionare me shoqërinë “Sicpa Security Solution” të përfundojë.

bregasi-770x433

Presidenti i Biznes Albania Luan Bregasi në një intervistë për News24 thotë se çmimet e pullave fiskale në vend janë 10 fish më të larta se ato në rajon dhe vendet e Bashkimit Europian.

“Ka qenë koncesioni më korruptues në Shqipëri. Së pari qeveria ishte e gatshme të ulte akcizën që përfitonte shteti për ti dhënë këtë koncesion privatit. E dyta kosto e këtij koncesioni është gati 10-fish i kostove që kanë pullat fiskale në vendet e BE dhe rajonit. Mjafton të themi vetëm Kosovën. Ne e kemi 26 euro Kosova e ka 3 euro dhe e treta me qëllim që të përfitonte sa më shumë koncesionari u fut dhe industria e birrës. Nuk ka asnjë birrë në botë që ka pullë, por ne sigurisht e pranuam, por nuk mund ta pranojmë me kosto kaq të lartë”, deklaroi Bregasi.

Aktualisht çmimi i pullave fiskale në Shqipëri varion nga 32 euro për 1000 copë për alkoolin, deri në 14.43 euro për 1000 copë për ato të ilaçeve. Bregasi thotë se industria e birrës në vend prej 10 vitesh po i paguan kosto absurde koncesionarit që kap shifrën e 60 mln eurove. 

 

“Të negociohet me shtetin kostoja e pullës fiskale për shkak se i ka kushtuar në këto vite të gjitha industrive por në mënyrë të veçantë industrisë së birrës 60 mln euro pra në këto 10 vjet koncesionari privat na ka marr nëpërmjet të famshmit koncesion korruptiv 60 mln euro ndaj sot industria e birrës është në vështirësi të jashtëzakonshme”, deklaroi Bregasi.

Presidenti i Biznes Albania Luan Bregasi i bën apel qeverisë që të marrë parasysh kërkesat e importuesve në treg të mallrave të akcizës.

“Ne kërkojmë që çmimi i pullës fiskale të jetë afërsisht i barabartë me çmimet që kanë vendet e BE që do të thotë diku tek 3 euro për 1000 copë pulla për industrinë e birrës dhe për industritë e tjera sipas kërkesave që sot kanë bërë”, tha ai.

11 importuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj në vend të mallrave të akcizës në muajin dhjetor i dërguan një letër qeverisë ku kërkonin uljen e çmimit të pullave fiskale në nivelet që aplikohet në vendet e BE-së. Zyrtarisht qeveria dhe ministria e financave ende nuk janë shprehur por Luan Bregasi thotë se biznesi e mirëkupton mosprishjen e këtij koncesioni për shkak të kostove që i shkaktohen buxhetit por nuk mund të mirëkuptojnë që tani që ka ardhur momenti i përfundimit 10-vjeçar të koncesionit të mos negociohet me biznesin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura