Prodhimtaria, FAO: Shqipëria po humbet më shpejt në tokën bujqësore

Jan 21, 2022 | 17:46
SHPËRNDAJE

Prodhimtaria e tokës ka rënë në dy dekada edhe në një pjesë të sipërfaqes së vendit tonë por më shpejt kjo po shfaqet tek toka bujqësore.

prodhim

Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë pranë Kombeve të Bashkuara (FAO) vlerëson se sipërfaqja që ka shfaqur rënie apo “stres” në prodhimtari është 206 mijë hektarë.

“Dinamika e prodhimtarisë së Tokës 2001-2020: Pjesa më e madhe e vendit paraqit rritje (53 përqind) ose tokë të qëndrueshme (40 përqind) sa i takon dinamikes së produktivitetit mes 2001-2020 duke treguar nivele më të ulëta të zonave me rënie produktiviteti sesa rajoni. Nga  206 mijë hektarë në vend që paraqesin produktivitet në rënie ose të stresuar (7 për qind), 55 000 hektarë i përkasin pyjeve, 67 mijë hektarë kullota dhe 65 hektarë toka bujqësore.

Tokat bujqësore paraqesin tendencë më të rëndë dhe më afatgjatë në rënie sesa kategoritë e tjera të mbulimit të tokës që mund të përkeqësohen nga përdorimi i zjarrit” thuhet në dokumentin e rishikuar në fund të vitit 2021 nga FAO.

Ky i fundit nënvizon edhe ndikimin që ka Shqipëria nga ngjarjet ekstreme të klimës duke nënvizuar se edhe në raport me rajonin humbja e tokës nga erozioni i ujit është më i lartë.

“Shqipëria është një vend i vogël malor i vendosur në Evropën Juglindore përballë detit Adriatik, me një biodiversitet jashtëzakonisht të pasur. Shumica e popullsisë jeton në zonat rurale, ku bujqësia përfaqëson burimin kryesor të të ardhurave dhe varfëria është shumë më e lartë se në kryeqytetin, Tiranë. Topografia e pjerrët e bën vendin më të prekshëm ndaj ngjarjeve ekstreme të klimës dhe degradimit të tokës.

Humbja e tokës nga erozioni i ujit në Shqipëri është më e lartë se në shumicën e vendeve të rajonit dhe ka pasur një efekt të rëndësishëm negativ në kapacitetin mbajtës të kullotave dhe rendimentit bujqësor” thuhet në dokument.

Rreziku nga ndryshimet klimatike dhe efektet që mund të ketë ajo në afatgjatë në sektorë të ndryshëm si bujqësia, turizmi, peshkimi apo tregu i sigurimeve tashmë po lakohen më shpesh dhe vazhdimisht nga organizmat ndërkombëtarë duke kërkuar veprim dhe masa konkrete nga shtetet globalisht për të minimizuar pasojat. /Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura