Procesverbali/ Magjistratët, zbardhet debati në mbledhjen e KLD-së

Jun 30, 2016 | 9:30
SHPËRNDAJE

Zbardhet debati i zhvilluar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e datës 20 qershor mbi përdorimin e shortit për emërimin e nëntë gjyqtarëve magjistratë. Procedura e shortit u pretendua si e paligjshme nga gjashtë prej magjistratëve, aktualisht të dekretuar nga Presidenti i Republikës.

kld-nishani

Sipas procesverbalit të mbledhjes, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, i pari që ka propozuar procedurën e shortit ka qenë anëtari Artan Broci, propozim që ka gjetur mbështetje edhe nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Kundër tyre ka qenë anëtari Vangjel Kosta, sipas të cilit shorti do të zhvlerësonte motivimin e magjistratëve dhe ata do të mjaftoheshin vetëm me studimet të nivelit sa për të mos qenë të pakalueshëm. Në përfundim, procedura e shortit është votuar me 6 vota pro dhe 5 kundër.

DEBATI

Artan Broci: Për sa kohë që ne kemi vlerësimin “Shumë mirë” të të gjithë kandidatëve, pra nuk kemi asnjë “Shkëlqyer”, siç parashikon pika e parë e vlerësimit të magjistratëve, por kemi të gjithë me vlerësimin “Shumë mirë”, unë propozoj që të gjithë kandidatët të futen në votim për vendet e shpallura sipas Këshillit, duke i marrë me radhë dhe secili prej këtyre që merr pikët maksimale të Këshillit në votim të propozohet për vendin e parë apo për vendin e dytë. Pra, duke qenë se kemi një barazim midis kandidatëve me vlerësimin “Shumë mirë” dhe nuk kemi asnjë prej tyre “Shkëlqyer”, pse duhet atëherë që ky që ka 0.5 pikë më shumë të emërohet në Tiranë, me atë që ka 2 pikë më poshtë, në Përmet apo në Pukë dhe që realisht në vlerësimin ligjor janë të gjithë “Shumë mirë”. … Pse duhet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kur nuk kemi asnjë ekselent apo asnjë shkëlqyer të marrë për bazë dhe të noterizojë apo të certifikojë listën e sjellë nga shkolla?! O të përdoret një lloj shorti për të gjithë këta që janë me vlerësim “Shumë mirë” ose t’i nënshtrohen votimit sipas vendeve që kemi propozuar.

Gjin Gjoni: Në rastin konkret, unë bashkohem me propozimin e zotit Broci. Duke qenë se ka një vlerësim të gjyqtarëve, të cilët priten të emërohen me cilësinë e magjistratëve, në momentin aktual rezulton që diferenca në pikë është me 0.15, e para me të dytën diçka te 0.1 dhe me të fundit lëvizja është jashtëzakonisht e vogël, me 2 pikë. Kështu që po të shihet vlerësimi përfundimtar, rezulton që të gjithë të vlerësuarit nga i pari deri tek i fundit (i nënti) janë “Shumë mirë”, çka në pikëpamjen time të gjithë klasifikohen me pikën /b/ të nenit 19/ 1 të ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës” dhe do të ishte më mirë në rast se gjithmonë për sa kohë që nuk ka sipas pikas / a/, të shkëlqyer, të cilët janë edhe preferencial në zgjedhjen e tyre në emërim, ndoshta do të ishte më mirë që mbi bazën e një shorti të realizohej praktika në lidhje me emërimin e këtyre dhe që të bëhej një shpërndarje, e cila të mos i lejë subjektivizmit të shkollës.

Vangjel Kosta: Ky është brezi i 15-të i gjyqtarëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës që ne po emërojmë sot. Të gjithë brezat e deritanishëm janë emëruar me këtë procedurë që u kontestua pak më parë nga parafolësit. Jo më larg sesa 4 muaj më parë, po ky Këshill, me përbërje shumë pak të ndryshuar, emëroi brezin e fundit të magjistratëve që kishin përfunduar studimet si kandidatë për gjyqtarë me këtë procedurë që sapo po kontestohet. Natyrisht që zgjedhjet dhe opinionet janë individuale dhe unë i mirëkuptoj kolegët që flasin nga ky këndvështrim. Por ajo që dëshiroj të theksoj është që dëshiroj që të shohim pak më larg se çfarë ndodh me këtë vendimmarrje. Për shkak të mënyrës se si është interpretuar ligji nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë gjithë këtyre viteve, pra që renditja e bërë nga Shkolla e Magjistraturës është një renditje preferenciale për emërimin e studentëve gjyqtarë, në fund të fundit ka shërbyer si një stimul shumë i fortë motivues për studentët që të studiojnë sa më shumë, duke e ndier veten në garë me njëri-tjetrin. Nëse në një moment ne e zhvlerësojmë këtë motivim, atëherë studentët natyrisht që do mjaftoheshin vetëm me studimet të nivelit sa për të mos qenë të pakalueshëm dhe kjo unë besoj se do të ndikonte shumë në përgatitjen e tyre profesionale dhe për rrjedhojë edhe në cilësinë e punës së tyre të mëvonshme si gjyqtar apo prokuror (që s’i kemi). …

Artan Broci: A keni vlerësim subjektiv si pedagog në renditjen përfundimtare të pikëve? Sepse, në qoftë se ju e keni subjektivizmin tuaj dhe akuzoni Këshillin për subjektivizëm, ky është problem tjetër pastaj. Se ju paskeni të drejtë kur bëni vlerësimin përfundimtar të studentit, qenkeni subjektiv dhe keni një përqindje të caktuar sipas rregullores (në vlerësimin tuaj përfundimtar) dhe Këshilli nuk paska. Se unë marr për shembull nga lista që është depozituar. Shoh që e treta në listë, një vajzë nga Korça, ka marrë 98 pikë në vlerësimin e temës dhe del e treta. Pra, ka një diferencë me 3 pikë. A është ky subjektivizmi i pedagogëve që e ka ulur këtë vajzë dhe u ka rritur përqindjen të tjerëve? Sepse ka edhe akuza nga studentë të Magjistraturës. Unë s’jam student i Magjistraturës dhe as kam mbaruar Magjistraturën, por ato që nuk kanë kurajën t’jua thonë, po jua them unë. Ka edhe akuza për subjektivizmin dhe i bëni qëllimisht për t’i ulur pikë njërit e për t’ia rritur tjetrit. Dhe pse duhet Këshilli të bëhet noterizimi juaj i listës që paraqisni ju, kur ju vetë mbani 30% a 10%, sa e keni subjektivizmin, dhe i vendosni në fund sipas preferencave së tri viteve që janë sjellë studentët. …

Vangjel Kosta: Për sa i përket pyetjes “A është subjektiv vlerësimi që bëhet nga Shkolla e Magjistraturës”, natyrisht që unë nuk them që atje nuk ka nuanca subjektivizmi, problemi është që mekanizmat që ka ndërtuar Këshilli Drejtues i shkollës për këtë vlerësim zvogëlojnë në mënyrë të ndjeshme pikërisht këto ndërhyrjet subjektiviste për shkak se të gjithë provimet organizohen në mënyrë të sekretuar, për të zbutur sa më shumë mundësinë e pedagogëve për të qenë subjektiv gjatë vlerësimit. …

Ylli Manjani: Zoti President, që herën e fundit kur është diskutuar kjo temë, kam ngritur këtë shqetësim dhe vazhdoj të jem i bindur që të qenit gjyqtar i Republikës së Shqipërisë, do të thotë që do të duhet të kontribuosh në çdo gjykatë, kudo ku të thërret republika. Dhe nuk janë notat ato, as vlerësimi i shkollës që e bën gjyqtarin të dallueshëm nga njëri-tjetri. Vlerësimi në shkollë mund të jetë çështje CV-je. Mundet sigurisht që të japi një hint më shumë, që në karrierën profesionale një student i mirë mund të jetë edhe një gjyqtar i mirë. S’është e thënë, por ta zëmë se. Pra ka shumë premisa. Por kjo nuk mund të ndikojë kurrsesi në vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që duke pasur nota të mira, emërohesh në Tiranë dhe po s’ke nota të mira, degdisesh në Përmet. Unë mendoj që edhe Gjykata e Përmetit meriton vlerësim maksimal. Edhe Gjykata e Bajram Currit meriton një vlerësim maksimal, meriton gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë të trajnuar, të formësuar më së miri nga Shkolla e Magjistraturës dhe nuk mendoj që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në tërësinë e tij, duhet të niset nga notat. … Unë jam që të gjitha gjykatat meritojnë gjyqtarin e Republikës së Shqipërisë të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës dhe të emëruar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë … Kështu që e kam thënë që në fillim dhe për t’i vënë kapak arsyetimit tim dhe vazhdoj të jem i bindur që ndoshta një procedurë shorti, ku ne mund t’i marrim gjykatat me radhë një e nga një, fusim dorën në qyp, kujt t’i qëllojë, atij gjyqtari të shkojë te gjykata që zgjidhet dhe kjo procedurë mendoj unë mbyllet, duke ruajtur sigurisht edhe konsideratën për opinionin e zotit Vangjel Kosta që ato t’i motivonim ne në të ardhmen, juristët e rinj, që të dilnin mirë, të studionin mjaftueshëm. …

Gjin Gjoni: Ju kërkoj ndjesë që e marr fjalën përsëri, por doja të shtoja që vendimmarrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk është se ka ruajtur në mënyrë të njëtrajtshme të njëjtën formë që parafolësit thanë në lidhje me këtë. Ka pasur qëndrime, të cilat janë në varësi të vlerësimit që është dhënë nga Shkolla e Magjistraturës. Ashtu siç me të drejtë Zoti Broci e përmendi, ne jemi të detyruar të respektojmë ligjet dhe ligji e ka në mënyrë taksative. Problemi është që për sa kohë që ligji e ka të shprehur mënyrën e emërimit, unë them që mënyra më e mirë duke qenë se diferencat janë shumë të vogla, ashtu siç edhe zoti Manjani propozoi, të bëhen mbi bazën e shortit.

Bujar Nishani: Mirë atëherë, propozime të tjera, përveç kësaj të zotit Broci dhe zotit ministër për ta bërë me short, ka propozim tjetër? Kush është dakord me propozimet e zotit Broci dhe zotit ministër që t’i nënshtrohen shortit?

(Zonja Civici flet pa ndezur mikrofonin).

Artan Broci: Tërhiqem. Bashkohem me ministrin për shortin.

Bujar Nishani: Me short. Kush është dakord me propozimin që të ndahet me short? Dy, tre, katër, pesë (5). Kundër? Dy, katër, pesë (5). Atëherë, shtyhet votimi derisa të vijë edhe ministri. Pesë minuta pushim. (Rifillon seanca pas 3 minutash.) Atëherë, rihapim mbledhjen. Meqë votimi i parë doli 5 me 5, e rihedhim në votim propozimin e zotit Broci të mbështetur edhe nga ministri për ndarjen sipas shortit të emërimeve të kandidatëve/të magjistratëve. Kush është dakord me këtë propozim? Dy, katër, gjashtë (6). Kundër? Dy, katër, pesë (5). Atëherë, miratohet propozimi për ndarjen me short të këtyre kandidatëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura