Procesverbali i themelimit të PKSH/ Paskal Milo në krah të Ngjelës: Si ra në duart e italianëve

Jun 23, 2017 | 7:20
SHPËRNDAJE

Një letër drejtuar Ramiz Alisë nga avokati Spartak Ngjela prej Burgut të Burrelit, në vitin 1986, ku e informonte se ishte në dijeni të një dokumenti me vlera të mëdha historike, ka rihapur edhe një herë çështjen e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, më 8 nëntor 1941, rolin e Enver Hoxhës në të dhe të eksponentëve jugosllavë, Popoviç e Mugosha.

milo

Nëse deri më sot procesverbali i mbledhjes së famshme është konsideruar i humbur, duke u lënë shteg edhe manipulimeve të historisë, Ngjela thotë si ai procesverbal ekziston dhe ndodhet në Romë.

Sipas tij, ai ndodhet në dosjen penale të Zef Malës, i dënuar në vitet e pushtimit fashist. Për procesverbalin është shprehur në librin e tij “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” edhe historiani Paskal Milo. Në kapitullin për themelimin e PKSH-së ai tregon edhe për fatin e procesverbalit të Mbledhjes.

“Për fat të keq, dokumentet e Mbledhjes Themeluese u sekuestruan nga policia fashiste italiane së bashku me materiale të tjera, më 4 maj 1942, në një nga bazat e fshehta të PKSH-së në Tiranë, në shtëpinë e Zef Ndojës.

Emrat e pjesëmarrësve në Mbledhjen Themeluese përmenden në aktpadinë e gjykatësit hetues për dërgimin e 204 komunistëve në gjyqin e posaçëm të shtetit për aktivitet subversiv, të nxjerra nga procesverbali.

Ky është edhe burimi më i saktë”, thotë Milo. Pra, edhe Milo e pranon se ky procesverbal është përdorur në gjyqin e posaçëm kundër 204 komunistëve. Me shumë gjasë ai ekziston në arkivat italiane.

FORMIMI I PKSH

Mbledhja Themeluese e Partisë Komuniste të Shqipërisë u hap më 8 nëntor dhe përfundoi më 14 nëntor 1941. Në të, ashtu siç edhe ishte vendosur, do të merrnin pjesë nga pesë anëtarë për çdo grup, duke shtuar Koço Tashkon dhe dy delegatët jugosllavë. Ka pasur një çoroditje në historiografinë shqiptare, por edhe në atë të huaj për numrin e pjesëmarrësve në këtë mbledhje.

Asnjëherë nuk u bë e qartë zyrtarisht se sa përfaqë- sues ishin. Dikush ka shkruar për 22 veta, dikush tjetër për 20, të tjerë për 18, ndërsa Enver Hoxha në librin e tij të kujtimeve ka përmendur 14 emra. Edhe Ramadan Çitaku në kujtimet e tij përmend 14 përfaqësues, 6 nga grupi i Korçës dhe nga 4 për grupet e tjera dhe “Kur filloi mbledhja nuk pat asnjë vërejtje për këtë çështje”.

Ky konfuzion është shkaktuar kryesisht nga mungesa e burimeve të para, që në këtë rast do të ishin materialet e vetë Mbledhjes Themeluese e, në mënyrë të veçantë, procesverbali i saj. Hulumtimet tona më të fundit përfundimisht sqarojnë se në Mbledhjen Themeluese të PKSH-së kanë qenë 15 përfaqësues shqiptarë dhe dy emisarë jugosllavë. Për fat të keq, dokumentet e Mbledhjes Themeluese u sekuestruan nga policia fashiste italiane së bashku me materiale të tjera më 4 maj 1942 në një nga bazat e fshehta të PKSH-së në Tiranë, në shtëpinë e Zef Ndojës.

Shtëpia ku u themelua Partia Komuniste
Shtëpia ku u themelua Partia Komuniste

Emrat e pjesëmarrësve në Mbledhjen Themeluese përmenden në aktpadinë e gjykatësit hetues për dërgimin e 204 komunistëve në gjyqin e posaçëm të shtetit për aktivitet subversiv, të nxjerra nga procesverbali. Ky është edhe burimi më i saktë. Në qelitë e kuesturës ato ditë, në prill të vitit 1942, kishin përfunduar edhe dy pjesëmarrës në Mbledhjes Themeluese, Sotir Vullkani dhe Koçi Xoxe. Vullkani ka shkruar se janë torturuar së bashku me Koçi Xoxen për një muaj nga policia për të treguar për emrat dhe bazat e PKSH-së.

Për t’i detyruar për të dhënë informacione më të detajuara për provat, dokumentet dhe armët që kishin zënë shtëpinë e Zef Ndojës. Ja dëshmia e Vullkanit: Më treguan dy teftera të zinj që kishin mbajtur shënimet e referateve të secilit në konferencën e grupeve. Në këto tefterë ishin shënuar të thënat e mia, të Koçit, Enverit, të Pilos, Qemal Stafës, Vasil Shantos, Koço Tashkos dhe të tjerëve që merrnin pjesë në Konferencë.

Në ish-Arkivin e Komitetit Qendror ka ekzistuar prej shumë vitesh një listë prej 15 emrash të përfaqësueseve të tri grupeve kryesore në Mbledhjen Themeluese të PKSH-së, por që ka rezultuar të mos jetë e saktë. Aty mungon emri i një përfaqësuesi nga grupi i Korçës (Sotir Vani Lubonja) dhe është vendosur në listën e grupit të “të rinjve” emri i Fadil Hoxhës, gabimisht.

Përfundimisht, nga ballafaqimi i dokumenteve rezulton se në Mbledhjen Themeluese, përveç Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës, u caktuan që të merrnin pjesë 15 përfaqësues që, duke veçuar Koço Tashkon, sipas grupeve janë: Grupi i Korçës: Enver Hoxha, Sotir Vullkani, Koci Xoxe, Spiro Peristeri, Sotir Vani Lubonja; Grupi i Shkodrës: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Tuk Jakova, Kristo Melka, Sadik Bekteshi; grupi i “të rinjve”: Anastas Lulo, Sadik Premte, Ramadan Çitaku dhe Elhami Nimani. Grupi i “të rinjve” është përfaqësuar me një njeri më pak, sepse në listën e tyre ishte emri i Sadik Stavelecit, i cili për shkak të sëmundjes nuk mori pjesë, por as edhe u zëvendësua.

Dyshime ka pasur për pjesëmarrjen e Sadik Bekteshit në Mbledhje. Në listë, emri i tij është i shënuar. Kjo vërtetohet nga procesverbali i Mbledhjes Themeluese, i cituar në aktakuzën e gjykatësit hetues kundër 204 komunistëve në vitin 1943, por edhe në dokumentin e ish-arkivit të Partisë së Punës.

Këtyre fakteve u shtohet edhe një tjetër. Enver Hoxha, në një mbledhje të Byrosë Politike, më 2 maj 1955, e përmend edhe një emër tjetër që nuk ishte zënë në gojë më parë, Kozma Nushin. Të ketë qenë harresë apo lajthitje e Enver Hoxhës 14 vite pas themelimit të PKSH-së? Anëtari i grupit të Shkodrës, Kristo Themelko, në kujtimet e tij thotë se Sadik Bekteshi nuk ka qenë në Mbledhje.

Burime të tjera thonë se ai ka marrë pjesë, por ka shkuar me vonesë. Këtyre mëdyshjeve u jep zgjidhje dosja personale e Sadik Bekteshit, e cila ruhej në ish-arkivin e KQ të PPSH-së. Në një nga autobiografitë e tij, në atë të 7 qershorit 1951, Sadik Bekteshi ka shkruar me dorën e tij: “Kam marrë pjesë në konferencën e grupeve komuniste më 8 nëntor 1941. Mbas konferencës jam dërgue në Shkodër për organizimin provizor të komitetit qarkor dhe të organizatave bazë…”

Në ditën e parë të Mbledhjes ka munguar edhe Koçi Xoxe. Nga pikëpamja sociale, 8 përfaqësues të grupeve ishin punëtore dhe 7 intelektualë. Në mungesë të procesverbalit të Mbledhjes, nuk ekziston një informacion i qartë se si është zhvilluar mbledhja. Enver Hoxha nuk jep detaje për mënyrën se si ka funksionuar mbledhja. Ai e ka veprimtarinë e pjesëmarrësve të tjerë, ose i ka bërë objekt kritike ata pa dhënë informacione të drejtpërdrejta për qëndrimin e tyre.

Enver Hoxha nuk i referohet asnjë dokumenti për çka ai ka folur e diskutuar në mbledhje. Kujtesa, edhe sikur të ishte fenomenale, pas 40 vitesh vështirë se mund të riprodhonte në atë mënyrë si janë shkruar mendimet e qëndrimet e tij e, aq më tepër, detaje të Mbledhjes. Rindërtimi i asaj çfarë ka ndodhur midis 8 dhe 14 nëntorit 1941 në shtëpinë e Xhemal Canit e Zylfije Tominit, është tepër e vështirë të bëhet edhe për shkak se pjesëmarrësit e tjerë në Mbledhjen Themeluese, ose nuk kanë lënë kujtime, ose nuk kanë guxuar t’i shkruajnë e t’i publikojnë ato.

Disa prej tyre u vranë në luftë (Qemal Stafa, Vasil Shanto, Anastas Lulo), të tjerë u eliminuan fizikisht pas lufte ose u burgosën (Koci Xoxe, Tuk Jakova). Disa të tjerë heshtën dhe u konfirmuan me variantin e tregimit të Enver Hoxhës nga frika e persekutimit (dënimi i Tuk Jakovës për këtë çështje shërbeu si mësim) e dy-tre të tjerë (Ramadan Çitaku, Kristo Themelko etj.) kanë lënë disa shënime të pakta në formë kujtimesh për atmosferën e Mbledhjes dhe disa çështje teknike dhe aspak për zhvillimin e saj, për diskutimet e debatet që janë bërë. I vetmi që ka shkruar kujtime të gjera ka qenë Koço Tashko.

Një bllok blu, i ngjeshur me shkrimin e tij të dorës për themelimin e PKSH-së dhe për vitet e Luftës, u dorë- zua prej tij si kujtime në vitet 1960, kur ishte në internim dhe që nga ajo kohë nuk dihet se në çfarë vendi apo në çfarë duarsh ka përfunduar. Sadik Premte, i ndodhur jashtë vendit, tentoi dhe la disa kujtime modeste për Mbledhjen Themeluese të PKSH-së.

Edhe Miladin Popoviçi, përmes letrave e shënimeve, por dhe Mugosha përmes kujtimeve, ndihmojnë në mënyrë po kaq modeste për ndriçimin e së vërtetës, sepse edhe ata ishin nën trysninë e interesave të PKJ-së, por edhe të vetë paragjykimeve të tyre. Shqyrtimi i dokumenteve të reja arkivore, apo edhe i atyre pak kujtimeve të disa prej protagonistëve të atyre ditëve, jep mundësinë që të ecet më tej në ndriçimin e të vërtetave.

Procesverbali i Mbledhjes në tri fletore është mbajtur nga Qemal Stafa. Dushan Mugosha jep të kuptohet se ka pasur në Mbledhje një referat nga Qemal Stafa për situatën politike në botë e në Shqipëri dhe për nevojën e krijimit të PKSH-së që për ta shkruar e ka ndihmuar Miladin Popoviçi. Ky fakt nuk përmendet nga të tjerët e nuk ka lënë gjurmë dokumentare. Ndofta ka qenë fjala për diskutimin që Qemal Stafa ka mbajtur në emër të grupit të Shkodrës.

Asnjë nga dy grupet e tjera, veçanërisht ai i Korçës, nuk do të pranonin që përfaqësuesi i grupit të Shkodrës të mbante referatin kryesor. Është e provuar se fjalën e hapjes në Mbledhjen Themeluese e ka mbajtur Miladin Popoviçi.

Ai foli si përfaqësues i Kominternit, qëndroi mbi grupet, nënvizoi gabimet që ato kishin bërë: zbutjen e luftës dhe të punës ilegale në dëm të punës revolucionare (ilegale), lidhjet e dobëta me masën e punëtorëve dhe dobësitë në përgatitjen teorike me ideologjinë marksiste-leniniste. Popoviçi shtroi si detyra kryesore para grupeve fillimin e një lufte kundër fashizmit, likuidimin e luftës midis grupeve dhe të fraksioneve dhe riorganizimin e lëvizjes punëtore në përputhje me objektivat e luftës për të ardhmen.

Ata pak pjesëmarrës që kanë lënë dëshmi tregojnë se Mbledhja gjatë e pas paraqitjeve të çdo grupi u shoqërua me diskutime të nxehta. Sipas Sadik Premtes, ato shpesh degjeneruan edhe në sulme personale duke manifestuar frymën e vjetër të luftës mes grupeve. Dushan Mugosha thotë se “pati shumë debate të zhurmshme, nervozizëm dhe mosmarrëveshje”. Edhe Enver hoxha përmend shkëmbimin e replikave me tone të larta, por vetëm midis Anastas Lulos dhe Sadik Premtes nga njëra anë e thuajse gjithë të tjerëve nga ana tjetër, por në veçanti me Koço Tashkon.

Në aktpadinë e prokurorit fashist kundër 204 komunistëve, referuar procesverbalit të Mbledhjes, thuhej se “aty u diskutua gjithçka, qoftë edhe në mënyrë të parregullt dhe në mënyrë joreale, sepse secili mundohej të fshihte gabimet e veta dhe të vinte në dukje gabimet e të tjerëve”. Përmbajtja e diskutimeve në përgjithësi nuk njihet. Enver Hoxha ka “riprodhuar” in extremis diskutimin e ndërhyrjet e tij në Mbledhje e pjesërisht të Miladin Popoviçit e të Qemal Stafës.

Për të tjerët ka parapëlqyer të sjellë dialogë e debate të pakta. Sadik Premte është përpjekur të japë substancën e diskutimeve të tij e të Anastqas Lulos, por ka vlerësuar se ata nuk u pritën mirë dhe për hir të tyre, Miladini e Dushani i morën me sy të keq. Për të kuptuar më mirë frymën e diskutimeve në mbledhje ndihmon aktpadia e policisë dhe pjesë të procesverbalit të sekuestruar në shtëpinë e Zef Ndojës.

Aty në shumë raste janë përmendur emrat e Dhimitër Fallos, Zai Fundos, Zef Malës, Aristidh Qendros, Andrea Zisit etj. Duket që këta kanë qenë objekt i kritikave të ashpra si trockistë e arkeomaksistë, dy nga epitetet më të përdorura gjatë diskutimeve në përgjithësi në ato ditë, por edhe më vonë. Nga ato pjesë të procesverbalit të mbledhjes që janë të njohura hidhet dritë edhe për një nga çështjet e diskutuara e që mori shkas nga fjala e Miladin Popoviçit: raporti që duhej të ekzistonte në parti midis punës legale dhe ilegale të saj. Tuk Jakova, duke kritikuar mënyrën se si Miladin Popoviçi e parashtroi këtë çështje, solli si një shembull pozitiv të punës legale në Shkodër, Selim Shpuzën, ishkomunist i grupit të Moskës, por anëtar i grupit “Zjarri”.

Në shënimet e panjohura deri tani të Popoviçit, ai vetë ka shtruar pyetjen: “Pse Selimi mbetet në pozitat e “Zjarrit”? Dëshira e tij ka qenë që Selim Shpuza të përfshihej në procesin e formimit të PKSH-së. Ndaj, edhe kritika e Tuk Jakovës nuk u pëlqye e u kundërshtua nga Enver Hoxha e Pilo Peristeri, por u propozua që debate rreth saj të bëheshin më vonë, pas paraqitjes së qëndrimeve të grupeve.

Mungesa e procesverbalit ka penguar njohjen e plotë të përmbajtjes së diskutimeve në Mbledhje. Megjithatë, aq sa është përcjellë nga aktpadia e prokurorit, jep disa informacione për mënyrën se si janë zhvilluar dhe për frymën që i ka karakterizuar. Edhe këto elemente, sado modeste, nuk do të ekzistonin po të ishte dëgjuar Koço Tashko që kërkoi që të zhdukej procesverbali i Mbledhjes Themeluese të PKSH, por që u kundërshtua nga të tjerët. Në përfundim të diskutimeve, Mbledhjes i erdhi radha të miratonte dy dokumente të rëndësishme: Rezolucionin e PKSH dhe Thirrjen drejtuar shqiptarëve ku shpallej themelimi i saj.

Ngjela, letër Ramizit për procesverbalin në 1986

“Po ju njoftoj se procesverbali i mbledhjes së themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare (nëntor 1941), i cili deri tani është konsideruar i humbur, ekziston. Bashkë me të gjendet edhe një material prej disa qindra faqesh, që ka të bëjë me veprimtarinë e grupeve komuniste para themelimit në fjalë”.

Spartak Ngjela
Spartak Ngjela

Kështu i shkruante, ndër të tjera, i burgosuri Spartak Ngjela Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror, Ramiz Alisë, në vitin 1986, prej Burgut të Burrelit. Vendndodhjen e procesverbalit të mbledhjes së themelimit të PKSH-së, avokat Spartak Ngjela, e ka mësuar prej Zef Malës, një nga eksponentët e rëndësishëm të Partisë Komuniste, në vitet e para të themelimit të saj, më pas i dënuar, bashkëvuajtës i tij në Burgun e Ballshit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se ky procesverbal ka qenë edhe amaneti i Malës, lënë me gojën e tij, para se të vdiste.

Ndërsa i kishte treguar për mbledhjen dhe përplasjet që kishin ndodhur atje, i kish rrëfyer edhe për procesverbalin. “Procesverbali i themelimit është në dosjen time penale në Romë. Nuk ka zot që ta humbasë, dhe nuk e kanë vrarë mendjen italianët që ta kërkojnë. Ai procesverbal i duhet historisë. Mbaje si fakt dhe përdore, edhe për të siguruar veten, por edhe që ta nxjerrësh në kohën e duhur; sepse unë të kërkoj një kusht thelbësor: ai dokument nuk duhet të bjerë në dorë të jugosllavëve, domethënë të Beogradit”, i kishte thënë Mala në burg.

Më 5 mars 1986, Ngjela i nis një letër Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror, Ramiz Alisë, i cili pasi mori një raport nga ministri i Brendshëm Hekuran Isai, sipas të cilit i burgosuri nuk donte të bashkëpunonte me Sigurimin, jep urdhër për mbylljen e kësaj çështjeje. “Mos u merrni më me këtë armik, sigurisht bllofon”, i shkruan ai Isait.

Si u gjet procesverbali në shtëpinë e Zef Ndojës

Në veprën e tij “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore I”, historiani Paskal Milo sqaron edhe çështjen e zhdukjes së procesverbalit të Mbledhjes së Themelimit të PKSH-së: “Historia e dekonspirimit të bazave ilegale të PKSH-së në Tiranë dhe të sekuestrimit të procesverbalit dhe të dokumenteve të tjera të Mbledhjes Themeluese të PKSH-së është e lidhur me arrestimin e komunistit Ludovik Nikaj në Shkodër, më 2 maj 1942, dhe kallëzimi i tij dy ditë më vonë në kuesturën e këtij qyteti.

Ludovik Nikaj ishte anëtar i një celule të PKSH-së në qytetin e Tiranës dhe i afërt i Zef Ndojës, punonjës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shtëpia e të cilit ishte një nga bazat kryesore të PKSH-së në Tiranë. Aty ishin strehuar dhe ishin bërë shumë herë takime të rëndësishme të eksponentëve kryesorë të PKSH-së, Vasil Shanto, Qemal Stafa, Enver Hoxha, Koço Tashko, Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Nexhmije Xhuglini, Liri Gega, si dhe Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha e shumë të tjerë.

Në një vend sekret të kësaj banese ishte krijuar një depo, në të cilën ishin fshehur një sasi armësh dhe municionesh të kalibrave të ndryshëm, procesverbali i mbajtur në Mbledhjen Themeluese të PKSH-së, dokumente të tjera të saj, si dhe dy blloqe shënimesh në gjuhën serbo-kroate që i takonin Miladin Popoviçit.

Policia arrestoi Zef Ndojën, në prani të këtij këqyri dhe sekuestroi të gjitha materialet e ndodhura. Zef Ndoja tentoi të largohet, por u godit dhe u plagos nga policia. Më 25 maj 1942 ai kallëzoi në kuesturën e Tiranës fakte të tjera. Nga këto kallëzime u zbuluan edhe dy baza të tjera ilegale të PKSH-së në Tiranë, shtëpia e Shyqyri Këllezit, trakte, mjete të prodhimit e të shumëfishimit të tyre etj.”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura