Procesi i Berlinit/ “Në tryezë për herë të parë, jo për t’u vrarë e prerë”- Rama: Kushdo që do marrë stafetën e Merkel, të mos i kthej kurrizin….

Sep 14, 2021 | 15:12
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama, duke folur për procesin e Berlinit, shprehet se për herë të parë liderët e Ballkanit Perëndimor janë ulur në një tryezë bashkëpunimi me negocimin e Gjermanisë.

 

Në një konferencë të përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, Rama deklaroi se për herë të parë në historinë e këtij rajoni, liderët e Ballkanit Perëndimor nuk janë ulur për të luftuar, por për të parë drejt të ardhmes.

Kreu i qeverisë, duke falenderuar kontributin e Merkelit në rajon, deklaron se edhe pas largimit të saj, Ballkani Perëndimor ka bërë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit rajonal përmes nismës Ballkani i Hapur.

“Unë besoj që do duhet të shikojmë të gjithë këtë proces në një kontekst historik, kur Kancelarja gjermane na ka ftuar në Berlin në 2014-ën, ishte hera e parë në historinë e këtij rajoni, në historinë shekullore që liderët e të gjitha vendeve uleshin në një tryezë jo për t’u vrarë, as për t’u therur dhe as për të folur për të shkuarën por për të folur për të ardhmen.

Ky proces i hapi rrugë një vendosjeje të një komunikimi mes Shqipërisë dhe Serbisë në funksion të zhvillimit rajonal në kushtet kur pavarësisht distancës së afërt, nuk ishin takuar kurrë. Procesi i Berlinit ka nevojë për kohën e vetë. Mekanizmat janë të avashtë, por edhe Ballkani i Hapur që e kemi si një nismë të 3 vendeve, që synon të përfshijë të 6 vendeve, është rezultat i këtij procesi. Ky proces na ka dhënë mundësinë të kuptojnë që nga ndërveprimi mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Edhe konfliktet e trashëguara me vite, në atmosferën e krijuar nga procesi i Berlinit ka më shumë mundësi zgjidhje.

Unë besoj që në historinë e këtij rajoni, këtë gjë e kam më të lehtë ta them kur nuk është prezente zonja, ky nuk është kompliment, Angela Merkel ka vendosur një gurë kilometrik për gjenerata të tëra. Natyrisht që është legjitime që t’i duan gjërat të bëhen më shpejt, por duhet të kuptojmë që jemi duke kapërcyer qindra vjet histori. Unë jo vetëm që nuk e quaj dështim por realisht një vizion afatgjatë që do të kalojë nga një qeveri në tjetrën për të realizuar në rajonin tonë, atë që kancelarja ka paraparë. Kancelarja vjen nga një e shkuar e ngjashme me tonën.

Qasja e kancelares dhe Gjermanisë të jetë një qasje unikale. Kushdo që të marrë stafetën të mos i kthejë kurrizin rajonit. Sido që të shkojë situata në Gjermani, ne e kemi marrë kthesën dhe Ballkani i Hapur është vetëdija se ne do i çojmë gjërat përpara duke bashkëpunuar me BE dhe Gjermaninë”, tha Rama.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura