Problemi nuk është Kombëtarja, por rënia e sportit shqiptar

Oct 16, 2018 | 12:54
SHPËRNDAJE

BESNIK DIZDARI/ Të hënën që shkoi, Kombëtarja e Shqipërisë u mund 0-2 nga Izraeli, për ate që është premiera më e re e futbollit të Europës, shqip “Liga e Kombeve të Europës”, ndonëse në Shqipëri braktisësit e gjuhës shqipe e përmendin vetëm në anglisht: “UEFA Nations League”. Është një veprimtari, ndër shpikjet ndoshta më të panevojshme të UEFA-s, e cila, dihet, prej kohësh është shndërruar në një ndërmarrje gjigante e biznesit të futbollit.
besnik dizdari

Shqipëria, e cila bën pjesë në kategorinë e tretë të kësaj gare të një skeme, që përveç të tjerave ka komplikuar sa s’ka ku shkon më kualifikimet e Kampionatit të Europës, në 3 ndeshjet e saj, ka humbur 2, por matematikisht ende ka shpresa, ndonëse të vakëta, për kualifikim.

Ajo që ka më tepër rëndësi nga e gjithë kjo, më duken se janë përmasat po gjigante të trajtimit të kësaj humbjeje. Dhe me pak përjashtime ndien përballë fytyra të zymta “analistësh”, gazetarësh e pseudogazetarësh, diskutime të zjarrta të njëkohshme rrjetesh televizive, me një larmi “etnografie” pjesëmarrjeje kompetentësh të shumtë, jo pak fytyra krenare, e thuajse asnjë e përulur, qoftë dhe në modestinë që kërkon profesioni ynë. Dhe shumica të rreptë, mendime të skajshme e “dituri” të pafund, që duan të të bindin se Kombëtarja e futbollit të Shqipërisë, që mesatarisht kurrë nuk zhvillon më tepër se nja 6 apo 7 ndeshje në vit, qenka gjëja më e rëndësishme në jetën sportive të Shqipërisë. E kësisoji, ajo u dashka të sundoka deri në skajshmëri të pamat, “propagandën” sportive shqiptare, sidomos ate televizive, madje gati-gati deri në shpëlarje truri. Besoj se e shihni që ekrani i vogël në shtatë ditë të javës, diku – diku 24 orë rresht, të mbyt kryesisht me futboll. Dhe aq e rëndësishme është bërë kjo dukuri e “Kombëtaro-Propagandës”, sa që, bie fjala, edhe njerëzit që janë ngarkuar për të drejtuar sportet në radiotelevizionin publik, sa herë që luan Kombëtarja, udhëtojnë me te thjesht për të intervistuar me mikrofon në dorë, protagonistët – një rast ky krejt i pangjashëm me asnjë lloj “lidershipi” të pasqyrimit të sporteve në një televizion publik europian. Edhe ky rast, vetvetiu, hyn te rëndësia e jashtëzakonshme apo te pesha tejet rënduese që paska në jetën shqiptare Kombëtarja e futbollit. Dhe asnjë trajtesë problematike kësisoji prej këtij lidershipi për gjendjen e sporteve në Shqipëri.

Kështu, Kombëtarja e futbollit e vetëm 7 ndeshjeve në vit është bërë çështje kaq parësore në krejt sportin shqiptar, sa që ndeshjet e saj pra, i transmetojnë deri dy televizione njëkohësisht, njeri me pagesë e tjetri pa pagesë! Nuk të mbetet gjë tjetër, veçse të pranosh që Shqipëria ka vetëm një “lloj sporti”: Kombëtaren e futbollit. E cila, përveç të tjerave, në 99.99 për qind përbëhet me djem që nuk i ka lindur e formuar futbolli i tokës së Republikës së Shqipërisë.

DHE JA KU SHPËRTHEJNË “HISTORITË” APO DUKURITË E TJERA.

Një peshëngritës shqiptar – Kampion i Europës, kërkon shpërblimin monetar, simbas ligjit, e suksesit të arritur. Ende nuk ia japin. Në kampin tjetër, futbollistët e një prej skuadrave më të famshme shqiptare, Vllaznia e Shkodrës, që sapo ka rënë në Kategorinë e Dytë, deri para pak, siç njoftohej, kishin nja pesë muaj që nuk merrnin rroga. Skuadra tjetër e famshme, Sportklub Tirana, që sapo ka ardhur nga Kategoria e Dytë, rrezikon përsëri të bjerë, teksa ndodhet në vendin e 7-të me vetëm 2 pikë larg vendit të 9-të përjashtues. Këto vetëm sa për fillim. Dhe vazhdojmë më tej:

Kampionatet Kombëtare të volejbollit dhe të basketbollit mezi kanë nga 7 apo 8 skuadra pjesëmarrëse. Në muajt e javët që kaluan, volejbolli dhe basketbolli shqiptar kanë zhvilluar 60 ndeshje për Kampionatet Europiane të të gjitha moshave dhe kanë humbur plot 48, me gjithë shkënditë e një kthese të volejbollit. Ndërkohë, që 65 e më vjet të shkuara, më 1955 e 1958, Kombëtarja e Shqipërisë për meshkuj me vetëm 10 vjet volejboll të organizuar, është renditur në vendet 10-11 në Europë, duke lënë mbrapa më shumë se gjysmën e shteteve të kontinentit. Nuk po ngjitemi te sukseset e volejbollit të viteve ’80, që sa më shumë që kalon koha, aq më legjendare bëhen Dinamo-t në katërshe të Europës e Shqipëria – Kampione a Nënkampione e Ballkanit. Ndërkohë që të vjen në kujtesë Partizani i basketbollit i 50 vjetëve më parë (1968), që barazonte me Kampionen e Italisë “Oransoda” (temë e madhe për pak më vonë), pra, të një prej shteteve më baskebollistike të Europës, siç ishte Italia. Kur sivjet, më 2018, pati Kombëtare të Republikës së Shqipërisë që humbën ndeshje deri me rezultate të shifrave të tilla si 37-122 apo 43-139!

Duke iu kthyer Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë në futboll , këtij 2018-‘19, ai ka deri tani e pakta 80 futbollistë të huaj mesatarë a më poshtë se kaq, duke çuar dëm miliona, pa shndritur asnjeri prej tyre dhe duke penguar në mënyrën më drastike përfshirjen e futbollistëve vendës të talentuar shqiptarë në Kampionatin Kombëtar. Dhe ndërsa Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, e cila luajti ndeshjen e fundit me Skocinë, ndër 14 pati vetëm 2 lojtarë që i ka nxjerrë futbolli i Republikës së Shqipërisë, po kaq, vetëm dy, ajo pati edhe në ndeshjen e së hënës me Izraelin.

Kështu, ndodh që ish-trajnerë shqiptarë të shndërruar në “analistë”, meqë ka humbur 0-2 Shqipëria me Skocinë britanike – çka është krejt normale – i sulen trajnerit të Kombëtares. Në vend që t’i sulen FSHF-së, e cila edhe ekipet Kombëtare të Shqipërisë NEN 17, NEN 19 e NEN 21 mbi 80 për qind i ka me lojtarë që nuk i ka lindur e formuar Shqipëria. E edhe pse me lojtarë shqiptarë “europianë të huaj”, këto Kombëtare po humbasin rregullisht edhe në ndeshjet e fundit. Kjo po ndodh pikërisht në 35- vjetorin e vitit 1983, kur Shqipëria NEN 21 ishte në 8-she të Europës, e përbërë e gjitha me lojtarë të Kampionatit të Shqipërisë! Vetëm në ndeshjet kualifikuese të vitit 2017, Shqipëria NEN 19 dhe ajo NEN 17 humbën 5 nga 6 ndeshjet e luajtura. Ndërsa javën që shkoi, Shqipëria NEN 19 i humbi të dyja ndeshjet e saj kualifikuese, ndonëse luajti në fushën e vet “atdhetare” shqiptare. Plot 4 humbje rresht sapo ka pësuar edhe Shqipëria “NEN 21”.

TË VAZHDOJ MË TEJ?… 

Dhe shkoj te peshëngritja – sporti më i përparuar i Shqipërisë – për fat të keq, sot jo pak i dopinguar, që ka shkarë keqas. Shqipëria është i vetmi vend ballkanik, që për muaj të tanë nuk e përmend fjalën gjimnastikë, sport i cili përveç të tjerave, deri dhe në gjimnazet e kohës së Mbretërisë, ka qenë një sport shkollor. Vërtet, a arrijnë ta kalojnë kalin gjimnastikor (atë të voglin) gjimnazistët tanë të sotëm…?

Qitja – sporti që i ka dhënë Shqipërisë Kampionet e para të Europës – qysh 40 vjet më parë, nuk dihet se ku ndodhet. Ose më mirë me thënë, nuk dihet nëse ekziston më apo jo! Shqipëria – dikur fuqi ballkanike dhe europiane e qitjes – sot nuk ka asnjë poligon olimpik. Kur në kampin tjetër, Tirana është i vetmi kryeqytet i Europës pa pistë atletike. Teksa me atletikën bashkohet edhe noti. i cili gjithashtu në Shqipëri nuk ka asnjë pishinë olimpike. Dhe ende 27 rekorde kombëtare të atletikës së lehtë, i përkasin shekullit të kaluar. Që do të thotë. se mbeten në këmbë prej 30 e më vjetësh. Ndonëse për fat, kjo atletikë me mungesa pistash e pedanash olimpike, prapë ia ka arritur të ketë dy atletë të nivelit europian – çka tregon se po të ketë kushtet e duhura, do të mund të shpërthejë në talente.

Shqipëria është i vetmi shtet në Europë, që nuk ka asnjë pallat sporti modern, sepse ai i sapondërtuar i Tiranës është thjesht një palestër e mirë dhe vetëm kaq. Por që ndoshta mjafton, përderisa edhe kur luajnë ekipet kombëtare të volejbollit a basketbollit, nuk shkojnë më shumë se 100 a 150 spektatorë.

Duke iu kthyer stadiumeve të futbollit, edhe ata janë pothuajse të boshatisur. Shihni tribunat e boshatisura nga ekranet e TV-ve që transmetojnë!… Megjithëse të dhënat tona na thonë se as 10 për qind e amatorëve, publikut të futbollit, nuk denjon t’i shohë ndeshjet e Kampionatit Kombëtar as në TV, që për çudi jepen në një TV me pagesë. Më është bërë rutinë, që kur ulem në kafenenë pranë shtëpisë sime, shumë prej atyre që më njohin, më pyesin “si dolën ndeshjet e Kampionatit?”, ndërkohë që ky publik “snob” mbush lokalet për të ndjekë kampionatet e shteteve të tjerave krejt i marramendun prej propagandës së pamëshirshme, turbulluese, naive, europërulëse, mashkullore e femërore, plot modë apo dhe kritikë “autoritare” shqiptare, që mund të çudisë vetë gazetarinë europiane.

Ndërkaq, Qeverisë, Ministrisë, Komitetit Olimpik, Shtetit shqiptar duket që nuk iu bën aspak përshtypje që futbolli i rangut kampional, po merr fund në Shkodër, Kavajë, Elbasan, Berat – skuadra e qytete historikë të sportit, të futbollit, të kulturës e qytetarisë së hershme. Dhe të cilave organizimet e qëllimshme tejet të prapambetura, kanë bërë të mundur që ato të mos marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar të Futbollit, por në atë të Kategorisë së Dytë (për të cilin ju, mbasi keni nënshtruar edhe vërtetësinë e terminologjisë së gazetarisë së sotme, vazhdoni të qëndroni te rrênat e t’i thoni “Kategori e Parë”). Ndërkaq, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë sundohet në 40 për qind (Krujë, Laç, Kamzë e Kukës) prej skuadrave, të cilat në mbi 90 për qind luajnë me lojtarë që nuk i kanë formuar qytetet e tyre.. Që do të thotë, se 40 për qind e futbollit të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë zotërohet prej katër qendrave të banimit që nuk e kanë asesi të zhvilluar te rinia e tyre këtë sport. Madje, që as nuk jetojnë në qytete që përfaqësojnë. Në këtë artificialitet kemi mbërritur. Dhe Federata Shqiptare e Futbollit nuk nxit asesi formimin e Ligës Kombëtare të Futbollit, ndonëse edhe në faqet e kësaj gazete “Panorama”, kemi tre vjet që e argumentojmë simbas përvojës së të gjithë shteteve të Europës, të cilët prej vitesh e kanë këtë Ligë. (Do t’i kthehemi prapë kësaj, sigurisht, nuk e harrojmë).

Ndërkaq, për shahun – sportin e mendjes që ka nderuar Shqipërinë në Olimpiadat botërore, gjithashtu është tejet vështirë të gjesh një lajm rreth tij. Kur sporti i çiklizmit që i ka dhënë Europës Rrethin e Parë për amatorët, sot zhvillohet në një kilometrazh që është sa gjysma e Rrethit Çiklistik të vitit 1937. Nuk i duhet vënë fort faj, sepse sot ai e ka tejet të vështirë të gjejë terrenin e stërvitjes. Rrugët e bukura që janë ndërtuar janë të pamëshirshme ndaj tij dhe nuk i japin hapësirë. Kuptohet, edhe ngaqë ky sport nuk ka mbështetjen e duhur dikasteriale a qeveritare.

Nuk mund të thuhet diçka e veçantë optimiste as për sportin e mundjes, që i pat blatuar Bullgarisë një Kampion të Botës.

Më 28 nëntor 2018, Shqipërisë Sportive i bëhen bukur 60 vjet që ka themeluar Komitetin Kombëtar Olimpik – gjashtë muaj më vonë anëtar i CIO-s – histori që duke lënë mënjanë modestinë, autori i këtushëm po iu kujton se e ka shkruar deri në hollësi, pa ngjallur asnjë interes thuajse prej askujt. E aq më pak te ndonjë lloj ministrie, që e ka sportin në emërtim e ngarkim shtetëror. Nuk di nëse ky përvjetor do të bëhej shkas jo për ta festuar me pompa qeveritare të panevojshme këtë përvjetor, por për të tronditur sportin shqiptar në luftë me katastrofën drejt së cilës ai po rrezikon të rrëshqasë. Dhe me urimin që më në fund amatorët e sportit në Shqipëri të mësojnë emrat e drejtorëve apo inspektorëve që përgjigjen për sportet në dikaster, pra jo për të shfrytëzuar orët për shkrime historike apo pseudohistorike në shtyp, çka vërtet është për t’u studiuar se ku i gjejnë orët për punë të pagueshme ministrore. Se për t’i quajtur punë atdhetare, kjo është fjalë e madhe.

Duke kaluar te pavarësia e Federatave Sportive prej Ministrisë përkatëse, Qeverisë apo Shtetit – kjo situatë është vërtet për t’u stërstudiuar. Me sa duket, Qeveria hesht ngaqë kështu i intereson, ndoshta për të mos konsumuar fort fonde e kohë. Nga ana tjetër, federatat e pranojnë këtë pavarësi, për të mos i hapur punë vetes në marrëdhënien me Ministrinë, Qeverinë a Shtetin.

Ndonëse ka ndonjë zë që kërkon ta prishë këtë pavarësi të rrejshme, siç ishte rasti i kohëve të fundit i një presidenti të një Federate, i cili në dy shkrimet e tij kritike tejet të argumentuara ndaj përgjegjësive qeveritare apo shtetërore për sportet, duhej të trondiste gjithë këto institucione të mësipërme për indiferentizmin që tregojnë ndaj fuqizimit financiar të sportit kombëtar. Nuk po ia përmend emrin për t’i dhënë një kuptim jo të përveçëm, por, si të thuash, më universal këtij shkrimi problematik, teksa vendosa që të mos përmend asnjë emër. Dhe interesant vërtet, asnjëherë nuk guxojnë t’i trajtojnë me shkrime a gazetari të folur televizive këto probleme, njerëzit që marrin rroga dikasteriale për këto probleme, për të cilat ata përgjigjen shtetërisht. Vazhdoni t’i paguani e mos ua matni kurrsesi rendimentin në kryerjen apo moskryerjen e detyrave të tyre. Kur nga ana tjetër, në shoqata, federata, forume të sotme sportive shqiptare, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk shohim fort që të bëjnë pjesë figura të shquara e ekspertë të sportit shqiptar, dituritë dhe përvojat e të cilëve duket se janë zhdukur prej çdo historie. Siç nuk i përmendet kurrë emri Këshillit Kombëtar të Sporteve, që e patëm themeluar qysh më 1992-1993, simbas përvojës së themeluesit që është Britania e Madhe, ajo që i kanë dhënë njerëzimit shumicën e sporteve. Kohët e fundit kam pa ndeshje futbolli të Kategorisë së Dytë, transmetuar në RTVSH, pra në televizionin publik, i cili nuk është i zoti të bëjë të tijin transmetimet e Kampionatit Kombëtar. Bukur, megjithatë! Këte e thua në çastin e parë. Por rrufeshëm më erdhi në mend se ky transmetim duhet ndalë, teksa vëren se ai paraqet tribuna e fusha që nuk mund të krahasohen as fotopamjet e Kampionatit anglez të viteve ‘800 të dy shekujve më parë, kur për njerëzimin niste futbollin. Me fushat e rrënuara, me tribunat arkaike kolkoziane si ato menjëherë të Mbasluftës së Dytë, ato i thonë botës së këtij shekulli XXI, se Shqipëria Sportive qenka për t’u qa. Ku ta gjesh Shallvaren e Tiranës e Fushën e Vjetër të Shkodrës të Kampionateve Kombëtare të Luftës (1939, 1940, 1942)! E pra, nëse ka mbetur diku një qelizë e vetme atdhetarie, të paktën përderisa këto të ashtuquajtura stadiume (pseudostadiume) të rregullohen, për hir të një dinjiteti sado të vogël kombëtar, të mos transmetohen ndeshjet në to.

Dhe po e mbyll me këtë shembull të freskët: Në Lojërat e Mesdheut që u zhvilluan këtë vit, Shqipëria u rendit e 20-ta, gati pesë herë më keq se në pjesëmarrjen e saj të parë të 31 vjetëve të shkuara, më 1987. Ia kaloi edhe debutuesja me emrin Republika e Kosovës, që u rendit e 14-ta me 3 medalje ari përballë vetëm 1 të Shqipërisë. Kaq për kësaj here, sepse siç e shihni, këtu temat e problemet janë edhe për nja njëzet shkrime të tjera. Ndoshta dikush mund t’i bashkohet gjithë kësaj, për t’i trajtuar me synimin për të ndalë katastrofën e sportit shqiptar. Ndonëse e kemi kuptuar se trimat guximtarë që drejtojnë e paguhen për drejtimin e sporteve në Shqipëri, mund të vënë buzën në gaz me kësisoj shkrimesh. Jo vetëm që nuk kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk kuptojnë, por ngaqë nuk ka burra që t’iu tregojnë vendin. E, siç thoshte Fishta: “Nuk ka ma burra që me dërrasë krahnorit me i dalë zot Shqipnisë!”

Sportit shqiptar i janë tronditur keqas themelet.

Nuk di nëse me këto radhë iu binda që problemi nuk është Kombëtarja e futbollit, por është rreziku i katastrofës së sportit shqiptar.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura