Problemet e ndryshimeve të hartës së re gjyqësore

Oct 14, 2021 | 15:07
SHPËRNDAJE

lulzim-alushaj-590x354

Nga Av. Dr. Lulzim Alushaj

Mund të flasim pa fund për drejtësinë, mënyrën si po riformohet dhe cilësinë e saj në vend por nga ana tjetër nuk mund të mos flasim për qëllimin e vërtetë të saj. Dhënia e shërbimeve që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe dhënia e drejtësisë.

Në terminologjinë e përditshme rutinore dëgjojmë shpesh frazën “reforma në drejtësi” duke mos i dhënë saktësisht qëllimin që kjo frazë ka patur në fillimet e saj. Reforma si në ligje ashtu edhe në burimet njerëzore, që duhen për të garantuar një sistem garantist të së drejtës, duhet të ketë qëllim madhor dhe prioritet garantimin e aksesit të personave në shërbimet gjyqësore apo aspekte të tjera asistence që kanë lidhje me të.

Këto pak rreshta do ti dedikoj për një problematikë që na përket të gjithëve dhe nuk mund të jetë vetëm “detyrë” e disa institucioneve kolegjiale të ngarkuara nga ligji për të vepruar, bëhet fjalë për hartën e re gjyqësore ose e thënë më shkoqur mbi sa do të jetë numri i Gjykatave dhe ku do të veprojnë ato në territorin kombëtar. Ka një projekt aktual që po diskutohet nëpër institucione për ndryshimin e hartës gjyqësore që mbyll disa Gjykata dhe cakton vetëm një Gjykatë Apeli në rang kombëtar me seli në Tiranë.

Ka një thënie të Presidentit aktual të USA Joe Biden “Drejtësia i shërben popullit, nuk mbron të fuqishmit” nga ku mund të kuptohet edhe vetë qëllimi i këtij shkrimi që i përket qasjes dhe aksesit të qytetarit te drejtësia.

Fillimisht, për një arsye të bashkërendimit institucional dhe ndarjes territoriale, nuk mund të ketë një hartë të re gjyqësore pa u ndërthurur dhe bazuar në ligjin që ka ndarë territorialisht vendin. Një gabim i tillë do të passillte probleme të koordinimit dhe mbingarkese në Gjykatat e reja si për çështjet e vjetra por më keq për ato të filluara pas ndryshimit. Shkëputja e Gjykatës nga realiteti social i vendit ku qytetari kërkon drejtësi është një tjetër problem që duhet të analizohet, simodos për çështje të së drejtës civile dhe familjare apo më tej akoma me përfshirjen e minorëve.

Së dyti një projekt i tillë nuk mund të konvertohet në projekt ligj pa u debatuar me aktorët e tjerë që veprojnë në Gjykatë, të tillë si Avokatët, ekspertët, sindikatat e punonjësve që preken nga kjo reformë. Një vendimarrje e tillë, nqs do të kalojë, nuk mbyll vetëm një apo disa Gjykata por shkëput dhe detyron një pjesë të mirë të profesioneve që veprojnë aty të mbyllin aktivitetet e tyre dhe të lenë një boshllëk duke detyruar më tej që kjo pjesë e profesioneve të falimentojnë ose ata me më shumë fat të “emigrojnë” brenda territorit të vendit aty ku është Gjykata më e afërt. Mbyllja e një Gjykate do të thotë edhe më pak kontroll institucional mbi veprime apo mosveprime të administratës apo çështje të tjera që prekin të drejtat apo interesat e qytetarit, pasi shumica e qytetarëve të atyre qyteteve nuk do të jenë më afër Gjykatës por do tu shtohen kosto transporti dhe kohe që askush nuk i merr parasysh. Detyrimisht do të bëhen më neglizhentë ndaj fenomeneve dhe kështu padrejtësitë sdo të kenë shans të gjykohen ndonjë herë zyrtarisht. Të mos harrojmë që trajtohet mbyllja e disa Gjykatave që kryesisht janë në qytete të vogla (kryesisht të veriut të vendit) por me probleme sociale të mëdha për shkak të papunësisë, aksesit në shërbime apo pozicionit gjeografik.

Çfarë kanë më pak qytetarët e Matit, Laçit, Tropojës, Pukës dhe Përmetit, që ashtu si edhe thashë kanë probleme të mprehta sociale, që të mos kenë mundësi të aksesit në drejtësi në qytetin e tyre por duhet të spostohen në një qytet tjetër? A do të kenë mundësi të barabarta aksesi në drejtësi të gjithë këta taksapagues, njësoj si qytetarët e Durrësit, Vlorës, Tiranës etj., apo do t’ju njihet e drejta e zbatimit të ndihmës juridike shtetërore?

Tashmë në të gjithë territorin po shndërrohet në “modë” që te quhen reforma çdo ndërhyrje apo modifikim në cilësinë e shërbimeve publike, kështu mbyllen ambulanca se ska me pacientë, mbyllen çerdhe, kopshte e shkolla se ska më fëmijë, mbyllen zyra shërbimesh primare se nuk justifikohet mbajtja hapur, nuk bëhen projekte zhvillimi se ska më banorë, mbyllen Bashki e bashkohen me të tjera. Kjo është një temë jo vetëm me impakt në organizimin e organeve gjyqësore por me një pasojë dramatike për pjesën social – ekonomike të vendit. Reflektimi mbi këto pika, duke mos hequr por shtuar shërbimet, ndoshta shpëton emigrimin  masiv edhe të atyre familjeve që me sakrificë qëndrojnë në ato rrethe.

Së fundmi një thirrje për kolegët Avokatë, dhomat e Avokatisë në rrethe dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë apo edhe shoqatat e Bashkive te cilët duhet të pretendojnë të jenë aktorë të këtij procesi dhe të propozojnë apo kontestojnë me argumenta një lajthitje të tillë. Heqja e shërbimeve gjyqësore në disa rrethe nuk është vetëm problem i qytetarëve të atyre qyteteve por ka impakt kombëtar, pasi çdo pakësim shërbimi shtetëror do të shoqërohet me pasoja të rënda sociale dhe ekonomike në statistikat kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura