Probleme me të dhënat në Gjendjen Civile? Korrigjimi tani, brenda javës. Ja si ta bëni

Nov 1, 2019 | 10:23
SHPËRNDAJE

Lleshaj duke raportuar në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian

Korrigjimi i të dhënave të gjendjes civile tashmë mund të bëhet brenda ditës dhe maksimumi mund të zgjasë vetëm një javë, ndërsa qytetarët nuk do të kenë më nevojë për një “mal” me dokumente për të provuar identitetin e tyre. 

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Plarent Ndreca, dhe drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, zhvilloi dje një interpelancë me një grup qytetarësh, të interesuar drejtpërdrejt për çështjet që kanë të bëjnë me korrigjimin e të dhënave të gjendjes civile, të hedhura gabim në sistem gjatë transkriptimit.

Interesi kryesor i qytetarëve kishte të bënte me afatet dhe procedurat e korrigjimit të “gabimeve materiale” siç emërtohen, për të cilat Lleshaj ka nxjerrë një urdhër në gusht të këtij viti, i cili përshpejton afatet dhe thjeshton procedurat e gjendjes civile për saktësimin e të dhënave.

Njëherësh lehtëson barrën e qytetarëve për të siguruar dokumente që provojnë identitetin e tyre real. Deri më sot, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ishte i vetmi autoritet që mund të merrte vendime mbi këto problematika.

Tashmë, sipas urdhrit, një pjesë e vendimmarrjes bëhet në zyrat lokale, nga punonjësit e çdo zyre të Gjendjes Civile, sipas një procedure strikte dhe transparente, duke eliminuar çdo mundësi abuzimi të çfarëdo natyre. Qytetarët që kanë pasur probleme në marrjen e dokumenteve biometrike, për shkak të “gabimeve materiale” të tilla si emër, mbiemër, datëlindje etj., tashmë kanë mundësi të bëjnë korrigjimet në një kohë shumë më të shpejtë dhe me procedura mjaft të thjeshtuara.

“Një ndër objektivat kryesore të qeverisë lidhet me lehtësimet e shërbimeve ndaj qytetarëve, lehtësime të cilat duhet të rrokin të gjithë gamën e shërbimeve. Në rastin konkret, ne kemi të bëjmë me çështje që lidhen me Gjendjen Civile. Dimë që Gjendja Civile është një nga zyrat më të vjetra të shtetit, një nga zyrat themelore të shtetit, në fakt, ku qytetarët ruajnë identitetin e tyre dhe shumë gjëra që lidhen me të. Dihet, po ashtu, se për arsye të kalimit në sistemet kompjuterike gjatë transkriptimit, ka pasur shumë probleme për arsye të kohës, në të cilën këto transkriptime kanë ndodhur. Pra, gabime materiale quhen, dhe këto kanë krijuar vështirësi për shumë qytetarë, të cilët janë përballur me humbje kohe me probleme të tjera të mëdha. Të ndërgjegjshëm për këto gabime ne kemi ndërmarrë disa hapa, të cilat synojnë ta lehtësojnë në thelb barrën e qytetarëve, të cilët kërkojnë një gjë të thjeshtë, të saktësojnë emrin dhe të dhënat e tjera që lidhen me të. Në thelb të qasjes Sonë është ajo qasje, e cila tashmë ka filluar të aplikohet në të gjithë administratën. Shteti nuk duhet t’u kërkojë qytetarëve dokumente, të cilat i ka vetë. Ky është parimi”, u shpreh Lleshaj përballë qytetarëve.

Sipas tij, shpeshherë ka ndodhur që qytetarit i kërkohet: “Ik merr vërtetim te zyra filan, ose vërtetim te zyra tjetër. Sill këtë shkresë, sill këtë dokument”, dokumente, të cilat, në fakt, shteti i ka vetë. “Qytetari ka vetëm një detyrë, të shkojë të paraqesë kërkesën apo ankesën e tij te zyra përkatëse dhe të presë nga një deri në shtatë ditë që t’i mbyllet çështja”, tha ministri i Brendshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura