Pro Europa – e lirë, paqësore, e bashkueme

Jun 23, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

sami_repishtiSAMI REPISHTI

Kohët e fundit, nji lëvizje e re me rrjedhime të paparashikueme po zhvillohet në Mbretninë e Bashkueme të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Kjo Lëvizje e njohun me emnin “Brexit” synon “daljen e Mbretnisë së Bashkueme nga Bashkimi Europian (BE), grupimi i 28 shteteve europiane në nji asosiacion me karakter politik, ekonomik e kulturor, synimi i të cilit ashtë ruejtja e paqes në Europë, demokratizimi i shteteve dhe i shoqënive europiane, prosperiteti ekonomik i anëtarëve, dhe kultivimi matëjshem i vlerave morale të lirisë, dinjitetit dhe të “drejtave të njeriut”.

Të gjitha këto vlera e parime janë themelore për nji shoqëni të qytetnueme. Deri tani, udhëtimi drejt këtyne objektivave ka qenë i vendosun, por i ngadaltë, dhe plot momente krize që kanë vue në sprovë aftësitë ekzekutive të BE, por jo vlerat e parimet bazë të ekzistencës së tij. Lëvizja “Brexit” që na paraqitet sot nuk ashtë e para, as pritet të jetë e fundit, krizë që përballon BE. Marrëdhanjet ekonomike, tronditjet monetare të valutës “euro”, kolapsi grek, emigracioni i pakontrollueshëm dhe synimet agresive të Rusisë së sotme janë disa prej tyne.

Në kampin e BE megjithatë, ruhet nji farë optimizmi. “Mbas çdo krize, BE del ma i fortë”, mendojnë ekspertët, sepse pajisemi me eksperiencë. Por “frika” e nji përçamje me përpjestime historike nga mundësia e nji suksesi të “Brexit” në Britaninë e Madhe shqetëson shumë mendje të ndrituna, sidomos mbas eksperimentit të fundit me miljonë refugjatë sirianë e tjerë, nga njëna anë, dhe nga Afrika qendrore e lindore nga ana tjetër.

Këto lëvizje masive popullsishë kanë tronditë ekuilibrin e shumë vendeve europiane, sidomos Italinë, Spanjën dhe vendet ballkanike, kryesisht Greqinë. Nji barrë e madhe ka ra edhe mbi vendet kufitare të konflikteve në Lindjen e Mesme, kryesisht mbi Libanin, Jordaninë dhe Turqinë që strehon ma shumë se dy miljonë refugjatë.

Më kujtohet tashti shprehja e shqetësimit të Papës Françesku, muejin e kaluem me rastin e marrjes së “Prix Charlemagne” – që u jepet atyne personave që ndihmojnë në procesin e unifikimit europian: “Çfarë ngjau me ty, o Europë e humanizmit, kampione e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe lirisë?”, raporton shtypi amerikan.

E vazhdon: “Çfarë ngjau me ty, o Europë, nana e popujve dhe e kombeve, nanë e burrave dhe grave shpirt-mëdhaj që ruejtën, edhe me sakrificën e jetës, dinjitetin e vëllazënve dhe motrave të tyne?”. Shumica e klasës politike dhe e elitës intelektuale britanike janë KUNDËR “daljes”, dhe për vazhdimin e anëtarsisë në BE. Me qëllim ndërtues, nga mbrenda, argumentojnë ata, do të jemi në gjendje me përmirësue veprimtarinë e BE. Kundërshtarët që kërkojnë “daljen” nga BE tregohen ma shumë emocionalë se racionalë.

Ky emocionalizëm prodhoi krimin e javës që shkoi me vrasjen e deputetes laburiste Ms. Jo Cox, 41-vjeçare, nga nji ultranacionalist i dehun me idenë “Britannia first” – “Britania para së gjithash!”, nji thirrje që nxori nga goja krimineli në momentin e vrasjes. Vlen të theksohet reagimi i bashkëshortit të viktimës Ms. Brandon Cox: “Bashkëshortja e ime do të kishte dëshirue tani dy zhvillime mbi të gjitha: i pari, që fëmijtë tonë të çmueshëm të mbështjellen me dashuni gjatë jetës së tyne, dhe, e dyta, të gjithë të bashkohemi me luftue urrejtjen që vrau atë”.

Nji reagim ma njerëzor, ma europian nga ky britanik ashtë e vështirë me u konceptue. Presidenti Barak Obama e citoi këtë reagim si shembull qytetnimi të naltë. Europa e Bashkueme ka kalue nji dekadë të vështirë, të pikëzueme me kriza të natyrave të ndryshme: lëkundjet strukturore të monedhës, nji reagim i ngadaltë dhe i pamjaftueshëm me përballue krizën e viteve 2007- 8, vështirësi të vazhdueshme me absorbue ekonomitë e shkatërrueme të ish-vendeve komuniste në Europën Lindore, dhe tani së fundi krizën e valës përmbytëse të refugjatëve sirianë.

Për kritikët e BE ashtë e lehtë me harrue të kaluemen jo të largët. BE ka qenë dhe mbetet nji eksperiment i guximshëm politik në përpjekjet “me pastrue ajrin” nga antagonizmat e L2B, dhe me ndërtue nji Europë të re –të lirë, paqësore, dhe të bashkueme, që duhet të përfshijë të gjithë vendet e kontinentit europian, nji ndërmarrje akoma e papërmbushun, megjithëse në përgjithësi, e suksesshme.

Bashkimi i kombeve europiane mbas katastrofës së konflikteve të viteve 1914-18 dhe 1939-45, kërkonte hudhjen poshtë të rivaliteteve të së kaluemes, sidomos në mes të Gjermanisë dhe Francës, dy shtete kryesore të BE-së, nji sukses i plotë që filloi në vitet e para të 1950-s me krijimin e përbashkët të Komisionit për Qymyr dhe Çelik në krahinën e Ruhr-it, elemente kryesore të industrisë luftarake.

Me formimin e NATO-s (1949) u hodhën bazat e sigurimit kombëtar kolektivisht, dhe me ndërmarrjen e BE u hodhën bazat për nji organizim ekonomik që do të sjellte krahas paqes edhe prosperitetin ekonomik dhe respektin kolektiv të vlerave dhe idealeve të përbashkëta europiane.

Popuj me kulturë, gjuhë dhe ekonomi të ndryshme gjetën gjuhën e përbashkët, dhe arritën suksese të dukshme. Sot, udhëtohet lirisht në të gjithë Europën, gjenden vende pune dhe mundësi arsimimi edhe në vendet e tjera, gëzohet nji prosperitet i panjohun ma parë, dhe ma e randësishmja jetohet në paqe. Për fat të keq, friksioni i pritun në mes të autoriteteve qendrore të BE dhe qeverive kombëtare të vendeve të ndryshme anëtare ka karakterizue bashkëpunimin e deritanishëm. Ka arsye me besue se këtu qëndron edhe fryma e re për “dalje” nga BE që dëshmojmë sot hapun në Britaninë e Madhe.

* * *

Të enjten, më 23 qershor 2016, do të zhvillohet Referendumi popullor në Britaninë e Madhe – Angli, Wales, Scotland, edhe Irlanda e Veriut. Nëse britanikët votojnë për “daljen”, ekspertët mendojnë se do të jetë rezultati i nji fryme të fortë anti-europiane, sidomos në Angli dhe Wales, me divorcue Anglinë nga Kontinenti.

“Këtu, shkruen Steven Erlanger, popullsia ashtë shumë angleze, shumë konservative dhe shumë “pro-Brexit”, dhe shumica e tyne mendojnë se sovraniteti dhe identiteti i tyne janë dobësue nga nji BE që ka dështue dhe nga nji emigracion i pakontrollueshëm. Ky “nacionalizëm” po tregohet se ashtë elementi kryesor i kërkesës për “dalje” nga BE. Lindë pyetja: Sa damtim ekonomik janë të gatëshëm “Bretexiteers” me pranue si rrjedhim i “daljes” nga BE? Si do të kontrollojnë valën e refugjatëve? “Momenti për nji vendim jetësor, po afrohet me shpejtësi”, shkruen gazeta “The New York Times” në editorialin e saj.

Shumica e studimeve serioze kanë ardhë në përfundimin se “dalja” nga BE do të jetë e damshme politikisht dhe ekonomikisht për Britaninë e Madhe. Nji mendim i këtill ashtë çfaqë edhe nga Presidenti Obama i SHBA-së, IMF dhe Qeveria gjermane. Ekspertët pranojnë se BE ashtë sot nji institucion me të meta të mëdha, dhe kritikohet sepse vepron si nji grup që nuk ka dijeni për gjendjen e vendeve të ndryshme, e drejtohet nga nji elitë jo-demokratike.

Përsëri, nuk duhet të harrojmë suksesin e madh të BE. Ky institucion me të meta ka pasë sukses me zëvendsue grindjet e përgjakëshme ndër-europiane në nji treg unik, me vlera të përbashkëta, udhtime të lira dhe lëvizjen e lirë të punës dhe kapitalit. Për “Bretexiteers” që kërkojnë “daljen nga BE, votimi i së Enjtes ka fitue nji peshë emocionale të pabesueshme. “Zoti ka hapë kanalin (e Manshit) për ne; e pse na përpiqemi ta mbyllim atë”, deklaronte nji veteran.

“Britain first” ashtë nji slogan që frikëson, sepse të kujton sloganin nazist “Deutschland ueber alles” (Gjermania mbi të gjithë). Ata kërkojnë “sovranitet absolut” – nji ide e parealizueshme në botën ku jetojmë e që ndërlidhet në çdo drejtim. Ata dëshirojnë marrjen në dorë të kontrollit të pushtetit pa asnji ndërhymje europiane, si dhe kontrollin e plotë të kufijve shtetnorë – nji qëndrim i kundërt me parimin e BE për lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallnave për tregti.

“Stop emigracionin!”. Vitin e kaluem 333.000 emigrantë, shumica nga Europa, kanë hy në Britani. Nuk ashtë nji invasion! Duket se “Brexit” ashtë nji ide kryesisht e “anglezve”, sepse shumica e Skotëve dhe banorëve të Irlandës së Veriut janë kundër “daljes”. Nji pakënaqësi e këtill shkakton zemrim, që i përkthyem në vota, don të thotë, pavarësi nga Mbretnia e Bashkueme.

Nji komentator e përshkruente: “Nga nji Britani e Madhe në nji Angli të vogël!”. Qeveria e re britanike që mund të vijë në fuqi do të detyrohej me përballue probleme shumë të vështira me “daljen” nga BE: legjislacion të ri, burime financiare me zëvendsue humbjet e “daljes” dhe nji BE kundërshtar. Akoma ma shumë: izolimi i Britanisë së Madhe do të krijonte nji situatë të vështirë politike, gjithashtu. SHBA do të detyrohej me ridrejtue politikën e tyne europiane drejt BE.

Nji zhvilim i këtill do të vinte Gjermaninë në qeder të fuqisë së institucionit europian. Ka mundësi që boshti Washington-Londër do të zëvendsohet me nji bosht të ri WashingtonBerlin, nji humbje e pazëvendsueshme për Britaninë e Madhe. Në vitet e izolimit të para L2B, Britania e Madhe e gjeti veten të izolueme para sulmit hitlerian.

“Brexit”, në nji analizë finale, ashtë nji frustracion i padefinuem mirë dhe i mbushun me kompleksitetet e nji Europe në zhvillim e sipër, nji frustracion me klasën politike të vendit dhe me ekspertët, si dhe nji kompleks nostalgjik për të kaluemen e lavdishme …”Rule Britannia!” në nji kohë kur shtetet e ndame ishin të aftë me farkëtue fatin e tyne, dhe me përjashtue të huejtë që kërkojshin azil nga persekutimet…! “Brexit” mund të jetë nji dizastër, për Mbretninë e Bashkueme….!

Përkundrazi, nji humbje e “Brexit”-it do të konfirmonte vendosmëninë e qytetarëve të Britanisë së Madhe me vazhdue eksperimentin historik të BE në nji Europë pa kufij, me nji treg 500 miljonë konsumatorësh, në nji konglameracion vendesh të lira që gëzojnë nji prosperitet ekonomik sidomos mbas hymjes së Britanisë së Madhe në European Economic Community, 1973, si dhe do të lehtësonte aftësitë e njohuna britanike me vazhdue nji rol udhëheqës në BE- në vend që të jetojë si nji fuqi e izolueme përtej detit La Manche.

Nji botë me horizonte të gjana dhe me dimensione botënore që përfshinë edhe Britaninë e Madhe, për mendimin e ekspertëve do të shpëtojë ata nga reduktimi në nji “Angli të vogël”. Britanikët do të vazhdojnë me përfitue edhe nga ndihmat e BE, “grant”-et për fermerët britanikë, subvencione për zonat e pazhvillueme britanike, dhe ndihma për shkolla e universitete që qeveria e vendit nuk ashtë në gjendje me ndihmue.

Dhe, nëse Britania e Madhe do të vazhdojë rrugën e BE, ajo mund të dalë në skenë si nji forcë impresive, me autoritetin e duhun me prodhue ndryshimet e duhuna për Blokun europian të BE, e që analistët mendojnë se ashtë i nevojshëm për sukses.

* * *

Prezenca e Britanisë së Madhe në BE siguron edhe nji funksionim të vazhdueshëm të këtij institucioni pa ndërpremje dramatike. Shqipëria duhet të mirëpresë me gëzim nji rezultat të këtill. Nji BE pa trazime dhe lkundje të mbrendshme do të gjejë kohën dhe mënyrën e inkuadrimit të vendeve akoma jashtë kësaj suaze, siç ashtë rasti i Shqipërisë e Kosovës.

Natyrisht, nji anëtarsim ashtë i kondicionuem; por nji gjendje politike kaotike në vendin tonë, të krijueme dhe të ushqyeme nga elitat politike për interesa meskine personale ose partiake do të ishte me të vërtetë fatale për vendin tonë.

Nji gja ashtë e qartë për elitën politike të vendit: pa pastrimin rranjësor të administratës dhe të organeve të nalta shtetnore nga korrupsioni pervaziv, nepotizmi, fraksionizmi partiak, dhe përpjekjet dredharake me mbajtë pushtetin me çdo mjet, nuk do të ketë të ardhme për qytetarët shqiptarë sot, as për fëmijtë e tyne nesër. Ky skenar tragjik nuk duhet lejue nga asnji qytetar shqiptar i ndershëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura