Prisni se s’ka dalë sondazhi!

Apr 17, 2015 | 12:24
SHPËRNDAJE

EDMOND ARIZAJ

   Përse u vonuan kaq shumë daljet e emrave të kandidatëve për kryetarë bashkish nga partitë tona? Ankthi i atyre që u ishte thënë se janë kandidatë, padurimi i atyre që u kishin thënë se mund të jenë kandidatë, adrenalina e atyre që mendonin se mund të ishin kandidatë, përkonin fare mirë me ankthin, padurimin dhe adrenalinën e zgjedhësve, sipas afërsive dhe synimeve që kishin. Pra, ata që i vonuan, që debatuan, që diskutuan, që u konsultuan (nuk po i fus në thonjëza të gjitha, se diku edhe mund të jenë bërë) për këta emra, nuk kishin problemin me ankthin, padurimin dhe adrenalinën e zgjedhësve, por të kandidatëve dhe mbështetësve të tyre. Ky natyrisht nuk është një zbulim i bërë sot, por zbulimi është se edhe një herë, më keq se herët e tjera, zgjedhësit nuk i pyeti njeri. Cili nga emrat erdhi nga zgjedhësit? Cili nga emrat konkurroi publikisht? Kush nga 2 milionë zgjedhësit mund të thotë se ai di për qytetin e tij një ofertë, një plan, një ide, të dhënë paraprakisht? Edhe një zgjedhës që voton duke ngjyer gishtin në bojë, e di se për një muaj askush nuk është i aftë të bëjë një strategji fitoreje, të paraqesë një vizion për qytetin e ri (me ndarjen e re). Partitë thjesht kanë luajtur, si përherë, me zgjedhësit. E dinë se sado të zhgënjyer, sado të mërzitur, sado krenarë, e sado qejfmbetur, sërish do të përplasen tek to, sepse nuk kanë asnjë alternativë tjetër. Madje, së fundmi, as atë të largimit nga Shqipëria. Partitë, kryetarët, e ata që janë pranë dhe shumë pranë tyre, janë të qartë se me zgjedhësit mund të bëjnë ç’të duan, votat sërish do t’i marrin, madje që herët në mëngjes. Madje, janë kaq të sigurt për këtë, sa zgjedhësit nuk i shohin të aftë as t’i pyesin për emrin që e kanë zgjedhur vetë. Ua prezantojnë dhe presin duartrokitje. Kaq. Cili emër erdhi nga zgjedhësit pasi debatoi me ta për të ardhmen e qytetit?! Asnjë. Të gjithë u vendosën në Tiranë. Sigurisht që nuk mund të kërkojmë idealen kur s’kemi elementaren, por të paktën për zgjedhjet lokale duhet një farë vlerësimi për zgjedhësit. Nuk po zgjidhen 10 deputetë, ku dhe po doli njëri “burrë i keq”, janë nëntë të tjerët. Flitet për kryeqytetarët, që për herë të parë do të drejtojnë 61 superbashkitë me superbuxhetet dhe me superinvestimet. Nuk dua kurrsesi të paragjykoj se parashtesa “super” mund të vazhdojë me fjalën “vjedhje”. Por diçka nuk shkon në këto superdebate me dyer të mbyllura të javëve të fundit për nxjerrjen e emrave të kandidatëve, e ku për herë të parë ikin kaq masivisht deputetët për të kandiduar në bashki. Nuk kuptohet kjo energji e shpenzuar me tepri për të gjetur emrin, i cili do të jetë i lidhur jo me bashkinë, por me kryetarin dhe partinë. Ëndërr e kemi prej 25 vjetësh të shohim një kandidat për kryetar bashkie që shpalos ca letra, ca vizatime, ca ndërtime, ca kanalizime, ca sistemime, e t’u thotë qytetarëve të tij: zotërinj, ky është vizioni im për të ardhmen e qytetit tonë. Jo. E sigurt është që do të dëgjojmë shumë…
Të kthehemi te zgjedhësit. Çfarë u lanë në dorë? Asgjë. Hiç. Do nisë fushata. Propaganda pak nga pak do ta mbysë logjikën dhe natyrisht edhe zgjedhësit, shumica, do ta harrojnë që i trajtuan si dele. E kanë harruar përherë, pse duhet të jetë ndryshe këtë herë?! Janë të njëjtët zgjedhës për të cilët kanë thënë: mjafton të var xhaketën dhe ata votojnë për mua. Janë të njëjtët zgjedhës, të cilët kanë thënë: nuk duam asgjë, vetëm ju bashkohuni. Pra, zgjedhësit dhe të zgjedhurit janë në harmoni të plotë në Shqipëri. Ata që u fyhet inteligjenca me arrogancën e partive, me talljen e kryetarëve dhe moskokëçarjen e atyre që rrinë pranë dhe shumë pranë kryetarëve, thjesht janë jashtë kohës. Ndërsa shumica e zgjedhësve shqiptarë, në gjithë këto vite fushatash, zgjedhjesh, kandidatësh, në analizë të fundit të lënë të kuptosh se u pëlqen që partitë, kryetarët e ata që u rrinë pranë e shumë pranë kryetarëve, të mos i pyesin, t’i tallin nga pak, t’i trajtojnë si gaztorë. Pa u shkuar aspak në mendje se ata janë fuqia e vërtetë. E përderisa atyre nuk u shkon në mendje se çfarë fuqie kanë, atëherë është më se e drejtë që edhe kandidatët të dalin nga vezët e furriqeve të kryetarëve. Pas së sotmes, askush nuk ka të drejtë të ngrejë më zërin për padrejtësi, fyerje etj. si këto. Zgjedhësve u dhanë një listë, e votuan. U dhanë ca emra, i votuan. U dhanë të panjohur, i votuan. U dhanë me dosje, i votuan. Edhe tani do të votojnë. Për të gjithë emrat. Në rresht. Pa ankesa. Pa asnjë dyshim. Sepse “ata lart” ua dinë mendjen “atyre poshtë” dhe “ata poshtë” kanë treguar se bëhen urë që “ata lart” të hedhin lumin. E megjithëse për 25 vjet, pasi kanë hedhur lumin u kanë sharë kalin, zgjedhësit kanë harruar, me apo pa dashje. Prandaj edhe nuk i llogarit askush. Prandaj edhe nuk i trajton njeri si përzgjedhës, por vetëm si zgjedhës. Dhe sot jemi në situatën e fabulës së bretkosave që kuakën edhe për një dru si drejtues. Përmbledhja e gjithë sa më sipër është shprehur këta muaj me shprehjen “Prisni se s’ka dalë sondazhi”. Dhe, siç thoshte plaku Mere te “Njeriu me top” i Dritëroit: “Tani na mbetet vetëm të qeshim, të qeshim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura