Priska digjej…Por kush krihej?

Sep 20, 2020 | 11:45
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

Edmond-Tupja-1

Të gjithë ishim e jemi dëshmitarë pamorë, falë medieve elektronike, të zjarreve që përfshinë para disa ditësh fshatin Priskë në faqe të malit Dajt, tymnaja e të cilëve shquhej qartas me sy pa pasur nevojë për dylbi a teleskop. Të gjithë dëgjuam ankesat e banorëve të atjeshëm për vonesën e ndërhyrjes së autoriteteve shtetërore, të cilëve do t’u duhej të rrëmbenin kazma, lopata e mjete të tjera rrethanore për të frenuar përhapjen e zjarreve.

Para gati dhjetë vjetësh i kam shkelur ato zona të gjebëruara, me ajër të pastër, kam kaluar pranë atij fshati mikpritës jo larg të cilit, diku në fshatin  Surrel, banon kryeministri – apo kryekomandanti ? – Rama. Fatmirësisht (dhe kjo sa për t’ua hequr çdo merak si krerëve kryelartë, ashtu edhe anëtarëve të thjeshtë të Partisë Socialiste lidhur me shëndetin e prijësit të tyre kokë e këmbë legjendarisht rilindas), tymnaja e zjarreve të Priskës zhvendosej në drejtimin të kundërt me Surrelin dhe nuk përbënte asnjë rrezik për organet e frymëmarrjes kryeministrore, por ama e pafalshme më duket vonesa e organeve shtetërore përgjegjëse për shuarjen e menjëhershme të zjarreve në fjalë  : Përse, duke pasur parasysh terrenin e vështirë të pushtuar nga zjarret, Ministria jonë e Mbrojtjes nuk mori masat e duhura për të dërguar atje pa vonesë forcat e saj me helikopterë?

Po sikur befas era të kishte ndërruar drejtim dhe, në bashkëpunim hileqar me opozitën, të ishte orvatur pabesisht të asfiksonte kryeministrin Rama? Madje, meqë jemi vend anëtar i Natos, përse ajo, Ministria e Mbrojtjes, pra, nuk kërkoi ndihmën e kësaj? Shteti ynë vetëm një kryeministër ka dhe atë duhet ta ruajë (jo ta rruajë) si ujin e pakët në shkretëtirë! Megjithatë, edhe sikur dhjetë të tillë të kishte në stolin e tij të rezervave politike, ai nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë ndonjëherë rilindas mav(r)i si Edi Rama!

Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, sipas meje të paktën, Partisë Socialiste i duhet të mbledhë urgjentisht forumin e saj më të lartë për të vënë para përgjegjësisë atë që ka vonuar shuarjen e zjarreve në Priskë dhe ta dënojë siç e meriton, madje edhe ta ndëshkojë rreptësisht, duke i propozuar paraprakisht Këshillit të Europës dhe organizmave të tjera europiane t’i lejojnë me këtë rast të rivendosë për një ditë të vetme dënimin me vdekje!

Gjithsesi, dje paradite, pasi e vura në dijeni për thelbin dhe titullin e këtij shkrimi që ju, zonja e zotërinj të nderuar, po lexoni në këtë çast, ish-kolegu dhe miku im Françesk Armadhi, si amator i ethshëm proverbash kombëtarë, ndërkombëtarë dhe mbase ndërplanetarë që është, më tha se e kishte një ide lidhur me frymëzuesin apo, më saktë, frymëzuesen e zjarrvënies në shkurrnajat e Priskës. Meqë ai nuk pranonte të ma shpjegonte në telefon, madje as me postë elektronike, u ndjeva kokë e këmbë kureshtar dhe e ftova për kafe apo çaj në një lokal krejt të zakonshëm, ku u ulëm pasi konstatuam se ishim të rrethuar nga njerëz të cilët na u dukën krejt anonimë.

Sipas atij, çelësin e misterit ia kishte dhënë proverbi ynë i vjetër “fshati digjet, kurva krihet”! Mbeta pa gojë e gati pa mend: Një kurvë që, për t’u krehur, paska pasur nevojë për zjarr në mes të vapës! Por unë do të mbetesha edhe më shumë pa gojë e gati pa mend pas disa çastesh, kur Françesk Armadhi do të thyente heshtjen për të më mësuar, duke nënqeshur në mënyrë kuptimplote, se vrimën ku duhej të fuste çelësin e misterit ia kishte sugjeruar një tjetër proverb i vjetër me kombësi e nënshtetësi të mirëfilltë shqiptare: “Politika është kurvë”!

Po, ish-kolegu dhe miku im kishte vërtet të drejtë: Politika shqiptare, sidomos, kryesisht e në veçanti ajo e këtyre viteve  të fundit, po vazhdon të djegë krejt shkurrnajën shqiptare jo vetëm duke krehur flokët, por gjithashtu duke rruajtur mjekrën dhe duke shkulur tërë qimet e trupit të saj leshtor deri në lebeti.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura