Opozita, protestë në Prishtinë: “Hajnat ne burg, jo në Qeveri”. Lyejnë me bojë të zezë ndërtesën e Kushtetueses

Apr 18, 2015 | 14:16
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i NISMËS, Fatmir Limaj edhe lideri i Lëvizjes vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë Qeveria e Kosovës ka dy javë kohë për përmbushjen e kërkesave të Opozitës dhe e ka shpallur të përfunduar protestën e sotme. Ai ka thënë se nuk do të lejojnë që SHIK-u dhe agjendët e tij të kërcnojnë qytetarët e Kosovës.

“Thaçi e Mustafa nuk kundërshtojnë asnjëherë Serbinë e ndërkombëtaret e tash kërcënojnë protestuesit, sepse këta nuk janë burra shteti por burrec pushteti”, ka thënë ai.

Protestuesve në Prishtinë u prinë përfaqësuesit e partive opozitare, të cilët nga Sheshi “Zahir Pajaziti” u nisën drejt ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, të cilën e kanë lyer me bojë të zezë.

Protesta ne Prishtine

4:32 


Protestuesit nuk janë ndalur në pjesën ku i ka pritur Policia e Kosovës, para hyrjes së ndërtesës, e cila edhe ishte mbyllur me dryn, por kanë dalë në pjesën mbrapa kah parkingu aty. Aty ka folur eksperti kushtetues, Riza Smaka, që është pjesë e AAK-së.

Ndërkohë, një kamionetë e vogël është ndalur para ndërtesës dhe kanë lyer me ngjyrë të zezë objektin e Gjykatës Kushtetuese. Pjesa ballore e ndërtesës ka marrë tashmë ngjyrë të zezë. Ky është aksioni i parë i protestuesve, që kanë paralajmëruar disa të tilla në protestën e sotme.

14:14
Të prirë nga Visar Ymeri, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e të tjerë figura të partive politike opozitare në vend, protestuesit janë nisur në drejtim të Gjykatës Kushtetuese.

Meqë protestuesit janë duke ecur, nuk mund të flitet me saktësi për numrin e protestuesve që janë përgjigjur thirrjes së opozitës për protestë.
Më herët, përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizjes Vetëvendojse si dhe të NISMA-s për Kosovën, u mblodhen në sheshin “Zahir Pajaziti”, pak minuta para se zyrtarisht të fillonte protesta e paralajmëruar nga partitë opozitare me moton “Kundër shkapjes së shtetit”.  

Opozita e Kosoves ne proteste

Ndryshe nga herët e tjera, deputetët dhe anëtarët e opozitës nuk janë veshur me rroba serioze por me ato sportive. Veçohet Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj, Anita Haradinaj, Time Kadrijaj etj.


Po ashtu në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës janë mbledhur forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, mediat e Kosoves raportojne se në oborrin e Qeverisë ka edhe mjaftë vetura të Njësisë Speciale. Po ashtu forca të shumta të Policisë janë edhe në ambientet e Gjykatës Kushtetuese. 

Prishtinë, protestë kundër “kapjes” së shtetit. 
Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën do të protestojnë sot kundër “kapjes” së shtetit.


Shkaqet kryesore që kanë nxitur thirrjen për protestë, sipas tyre, janë dështimi i sistemit të drejtësisë, Gjykata Speciale, shtrenjtimi i energjisë elektrike, fakti që Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të operojnë në Mitrovicën Veriore, çështja dhe statuti i Trepçës etj.

Protesta që sipas “Opozitës së Bashkuar” konsiderohet si protestë gjithë popullore pritet të fillojë në orën 14:00.

Dihet se marshi fillon në sheshin “Zahir Pajaziti”, vazhdon drejt Gjykatës Kushtetuese, KEDS-it, pastaj te RTK-ja dhe në sheshin “Skenderbeu”.

Policia e Kosovës njofton se ka bërë të gjitha përgatitjet në lidhje me protestën e cila pritet të mbahet sot në orën 14:00 në Prishtinë.

“Si pjesë e planit operativ, janë bërë planifikimet për ri-orientimin e trafikut në rrugë alternative përgjatë kohës sa protestuesit shfrytëzojnë kalimin e tyre në rrugë, ku për këtë Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim dhe apelon tek qytetarët që të shmangin vozitjen gjatë kohës së protestës në akset rrugore ku zhvillohet protesta”, thuhet në komunikatë.

Gjatë kësaj kohe do të jenë të bllokuara për vetura rrugët, “Garibaldi”, “Gjorgj Bush”, “Luan Haradinaj”, “Robert Doll”, “Kosta Novakoviq”, Bill Klinton”, “Eqrem Çabej”, “Agim Ramadani”, “Xhemajl Prishtina”, “Ilaz Agushi” dhe “Ilir Konushevci”.

Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura