Prishja e pazareve të drogës/ Parandalohet atentati mafioz ndaj vëllezërve në Kamzë! Familja nga Lezha kishte krijuar një bazë me armë dhe lëndë eksplozive

Dec 9, 2021 | 8:43
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Policia e Lezhës ka parandaluar një vrasje mafioze, duke prangosur në flagrancë tre persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim si organizator të atentatit.

Në sfond të një vrasjeje ishin pazaret e drogës jashtë vendit. Në kuadër të operacionit të koduar “Mataro”, përfunduan në pranga shtetasit Mark Lamkja, 27 vjeç, banues në fshatin Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali, Nikoll Marku, 62 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Marie Marku 60 vjeçe, të dy banues në lagjen “Varosh”, Lezhë.

Gjithashtu, është bërë shpallja në kërkim e shtetasve Edmir Vlashi 31 vjeç dhe Hektor Ndoka, 31 vjeç, baxhanakë midis tyre.

“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale në fushën e krimeve kundër personit e pronës, mbajtjen dhe trafikimin e armëve të zjarrit apo lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se disa shtetas po organizonin të kryenin një vrasje, duke përdorur mina me telekomandë dhe armë zjarri, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Mataro”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. L., 27 vjeç, banues në fshatin Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”; N. M., 62 vjeç dhe M. M., 60 vjeçe, të dy banues në lagjen “Varosh”, Lezhë. Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasve E.V., 31 vjeç dhe H.N., 31 vjeç, persona me precedentë të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri ta lartë shoqërore, të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës”, sqaroi Policia.

PLANI I VRASJES

Nga hetimet paraprake dhe informacionet e grumbulluara rezulton se shtetasit Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës jashtë vendit.

Këta shtetas, si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe restorantit të vjehrrit të tyre shtetasit Nikoll Marku. Ndërkohë, Mark Lamkja dhëndri i shtetasit Nikoll Marku është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë.

SEKUESTRIMET

Në kuadër të operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe ato operacionale të DVP Lezhë, ushtruan kontrolle të menjëhershme në ambiente, mjete dhe banesa të dyshuara. Si rezultat i kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë; 88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit, 2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatorë, fitil zjarrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrësedhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, kapjen e personave të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Vjedhja e një sasie droge prapa atentatit të tretë ndaj vëllezërve Paluca

Sipas të dhënave të Policisë, vëllezërit Preng dhe Ndoc Paluca ishin shënjestra të atentatit me mina me telekomandë që ishte planifikuar të kryhej në Tiranë, ku ata banojnë. Shkak për organizimin e atentatit dyshohet për prishje të pazareve të drogës në Belgjikë. Dyshohet se dy personat e shpallur në kërkim, baxhanakët Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, të jenë personat që kanë pasur probleme në lidhje me shitjen e lëndëve narkotike në shtetin belg. Dyshohet se Edmir Vlashi është përfshirë në konflikte me vëllezërit Paluca, të cilët banojnë në zonën e Kamzës në Tiranë, për shkak të humbjes së një sasie të konsiderueshme droge.

Konflikti ka si zanafillë vjedhjen e lëndës narkotike nga Edmir Vlashi shtetasit Prend Paluca. Shtetasit Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, 31-vjeç, të dënuar më herët në Belgjikë për grabitje me armë e drogë, besohet sipas policisë se po e ndiqnin këmba këmbës objektivin e tyre, Paluca, dhe po prisnin momentin për ta ekzekutuar. Mesa duket ky i fundit e kuptoi që ishte vënë në shënjestër dhe informoi Policinë.

Nga hetimet u zbulua se për të realizuar planin, Ndoka dhe Vlashi përdorën si bazë për armët restorantin e Nikoll e Marie Markut në Lezhë, dhe dhëndrin e tyre Mark Lamkja si bashkëpunëtor për realizimin e planit. Çifti Marku dhe dhëndri i tyre, i cili u arrestua me pistoletë në brez, gjatë ndërhyrjes së Policisë tentuan të fshihnin provat.

Hetimet zbuluan gjithashtu se Edmir Vlashi kishte tentuar edhe më parë të hakmerrej ndaj familjes së Prend Palucës, për shkak se dyshohet se ka vendosur lëndë eksplozive në banesën e Ndoc Palucës në Kamzë. Ndërkohë që Preng Paluca dhe bashkëshortja e tij i shpëtuan një atentati të organizuar mirë pak kohë më parë, që ndodhi në sy të vajzës së tyre të mitur.

© Panorama.al

Te lidhura