“Prioritet do kemi Kosovën”/ Ministrja e Jashtme flet pas zgjedhjes së Shqipërisë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit në OKB: Do të bëjmë çmos që…

Jun 11, 2021 | 18:52
SHPËRNDAJE

Shqipëria si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB do të ketë si prioritet Kosovën. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se Shqipëria do të bëjë çmos që çështja e Kosovës të rivihet në vëmendje të KS të OKB. Sipas saj, kjo çështje avancon paqen e dhe sigurinë.

olta xhacka

“Çështja e Kosovës dhe rritjes së numrit të njohjeve është objektiv strategjik dhe me interes madhor i Shqipërisë dhe politikës së jashtme të Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës është jo vetëm interes kombëtar por edhe kontribut për paqen dhe sigurinë në rajon tonë të Ballkanit Perëndimor. Ky qëndrim do të mbetet i pandryshuar dhe jo vetëm tani, por edhe gjatë 2 viteve të pjesëmarrjes në Këshillin e Sigurimit. Dua ta them se Shqipëria dhe ne do të bëjmë çmos që çështja e Kosovës të rivihet në vëmendje të KS të OKB dhe kjo do të jetë një prioritet i rëndësishëm që avancon paqen e dhe sigurinë. Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, një proces i mbështetur edhe nga BE dhe SHBA.” tha ajo për Zerin e  Amerikes.

I pyetur për urdhrin e Presidentit Joe Biden që futi Shqipërinë në listën e vendeve të Ballkanit për bllokimin e pasurive të individëve që destabilizojnë Ballkanin, Xhaçka u shpreh: “Unë nuk di se çfarë mund të bëjë SHBA pas këtij vendimi por besoj që duhet parë në këndvështrimin e një mbështetje nga SHBA për të qenë krah për krah shqiptarëve”

REAGIMI I AMBASADORES SHQIPTARE NE OKB

Përmes një postimi në rrjetin e saj social Twitter, ajo përgëzon edhe vendet e tjera që u zgjodhën këtë të premte si Brazili, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ganën dhe Gabonin.

Gjithashtu ajo shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me këto vende përballë sfidave që janë përpara.

“Urime të përzemërta edhe Brazilit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Ganës dhe Gabonit që sapo u zgjodhën në Këshillin e Sigurimit në OKB. Ne shpresojmë të punojmë së bashku” – shkruan ajo në Twitter.

ZGJEDHJA E SHQIPERISE

Me 175 vota nga 190 shtete pjesëmarrëse, Shqipëria u zgjodh si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë në OKB. Për vendin tonë kjo është hera e parë e përzgjedhjes si anëtare në një ndër organet më të rëdësishme të OKB-së.

Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Shqipëria mori 175 vota. Votimi ishte i fshehtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura