Princesha sqaroi firmën për shembjen e Teatrit, regjisori i përgjigjet: Po përfitoni nga afria me pushtetin

Jul 9, 2018 | 22:31
SHPËRNDAJE

Regjisori Kastriot Çipi nuk ka mundur të mos i kthejë një përgjigje Elia Zaharia Zogut, pas reagimit të saj mbi firmën e hedhur për shembjen e Teatrit Kombëtar. Çipi merr me radhë argumentet që Zaharia rendit në sqarimin e saj, por më shumë se për të “hedhur poshtë” argumentet e saj, Çipi i drejton disa pyetje, duke “i hapur sytë” në një farë mënyre mbi dëgjesat e kryebashkiakut Erion Veliaj me artistët.

Kastriot Çipi
Kastriot Çipi

Duke e akuzuar se Familja Mbretërore “përfiton”, duke e mbajtur mirë me pushtetin, Çipi i drejtohet asaj, por edhe gjithë artistëve që kanë nënshkruar peticionin: “Nëse një ditë pendoheni për qëndrimin tuaj, letra e hapur e artistëve që kërkojnë ndërtimin e teatrit të ri, paralelisht me restaurimin apo rindërtimin e teatrit të vjetër, do të jetë e hapur për firmat tuaja”.

KASTRIOT ÇIPI

“KEQKUPTIMET” SI ALIBI E PERSONAZHEVE TË RRESHTUAR PËRKRAH QEVERISË

Kolegia Elia Zaharia, një nga 64 firmëtarët e letrës së hapur, të nisur nga kolegu Artan Imami, është orvatur sot, përmes një statusi në profilin e saj në “Facebook”, të sqarojë “keqkuptimet” mbi zgjedhjen e saj.

Me këtë shkrim, po i jap shansin t’i sqarojë vërtet të gjitha keqkuptimet e mundshme, duke e ftuar t’i përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta. Ajo thotë se është kundër shembjes së ndërtesave të vjetra dhe për këtë sjell si shembull Piramidën (që në fakt është ndërtesë e re, vetëm 30- vjeçare) dhe thotë madje se në këtë rast opinioni i saj është i kundërt me atë të bashkëshortit, Princit Leka.

Do të ishte interesante të dinim mendimin e Princit Leka për çështjen e Teatrit Kombëtar, por ai ka zgjedhur të heshtë. As bashkëshortja e tij nuk na e thotë. Më tej, ajo na siguron se do të ndiejë dhimbje kur të shembet Teatri Kombëtar, njësoj siç deklaronte pak ditë më parë edhe nismëtari i letrës në fjalë, kolegu Imami dhe po ashtu, njësoj si ai, e ve theksin te degradimi i ndërtesës.

Çuditërisht, kolegia Zaharia shprehet e vendosur pro dialogut mes palëve pro e kundër shembjes, por nuk ka asnjë opinion për Kryeministrin që i thirri artistët, ndër të cilët edhe kolegen Zaharia, në Kryeministri dhe u tha: “Teatri Kombëtar do të shembet. ‘Mbledhja’ që ka nisur para 20 vjetësh, mbaroi sot”! Vallë ky është dialogu tek i cili beson kolegia Zaharia?! Pse nuk thotë një fjalë kolegia Zaharia për talebanen që kemi për ministre Kulture, që ka plot 5 muaj (8 shkurt–8 korrik) që refuzon të takohet me kolegët e saj? Nëse është pro dialogut, si ka mundësi që ka firmosur një letër të hartuar pas një dëgjese të vetme me artistë (Dhe asnjë dëgjese me qytetarë!), ku thuhet se: “Prej momentit kur mendimi i ekspertizës institucionale që ka lidhje me arkitekturën, inxhinierinë e ndërtimit, zjarrfikësit etj., është shprehur në formë të qartë në lidhje me këtë çështje, çdo ditë që kalon është thjesht humbje kohë me debate, të cilat mund t’i shërbejnë kujtdo, por jo interesave të publikut dhe Teatrit Kombëtar”?

Kjo është ftesë për dialog apo kërkesë për mbylljen e dialogut, pa nisur mirë? Ku janë ekspertizat zyrtare që provojnë se ndërtesat e TK e TKE nuk mund të rindërtohen apo restaurohen? Kolegia Zaharia na qenkësh entuziazmuar nga dëgjesat farsa të kryebashkiakut, me drejtorë institucionesh, klientë bashkie e artistë të mirëfinancuar me projekte nga Ministria e Bashkia.

Ajo e quan moment entuziazmi edhe takimin e tre kolegëve me kryebashkiakun, por nuk na sqaron ku bazohet kur thotë se ata “ishin deleguar për të filluar negociatat, bashkëbisedimet konstruktive në emër të komunitetit”?! Atë që u trumbetua nga makina gëbelsiane e propagandës Rama-Veliaj si “marrëveshja me komunitetin e artistëve”, kolegia Zaharia e përshkruan si “një rreze dielli në horizontin e trazuar të muajve të fundit”. Si ka mundësi që nuk është njohur me deklaratat e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE), ku ajo zyrtarisht është ende anëtare?

Si ka mundësi që nuk i ka dëgjuar zërat e kolegëve, me qendër zëri në sheshin e Teatrit, që ndodhet vetëm 50 metra në vijë ajrore nga Pallati Mbretëror? Më tej, kolegia Zaharia bën një “ngatërrim të rëndë teksti”, nga ata që u ndodhin ndonjëherë aktorëve në skenë dhe që e lenë “pa tekst” partnerin.

Ajo thotë se, vetëm pasi u arrit kjo “marrëveshje” mes Veliajt dhe “komunitetit të artistëve”, kolegu Imami përpiloi letrën e hapur. Në fakt, “teksti i autorit” thotë se kolegu Imami e lexoi letrën e hapur në fillim të dëgjesës së përbashkët me artistë e arkitektë, më 25 qershor, ndërsa “marrëveshja” me tre “përfaqësuesit e komunitetit” u arrit më 27 qershor. Duke cituar pikë për pikë deklaratën e Veliajt për “marrëveshjen” në fjalë, kolegia Zaharia thotë se: “Artistëve iu premtua që asnjë centimetër nuk do të prekej nga sipërfaqja e teatrit… u fol për dy përfaqësues nga komuniteti, të cilët do të ndiqnin zhvillimet e mëtejshme… bashkia u zotua të kërkonte modifikimet e duhura në interes të teatrit nga projekti i propozuar… të diskutohej integrimi apo ruajtja e pjesëve identifikuese si fasada apo rindërtimi i skenës sipas modelit të saj aktual”. Le të supozojmë për një çast se kolegia Zaharia dhe kolegë të tjerë të rreshtuar përkrah Qeverisë, janë keqkuptuar apo mashtruar nga deklarata e z. Veliaj e mesditës së 27 qershorit. Atëherë, pse nuk reaguan kur projektligji u miratua nga Qeveria po atë mbrëmje?

Të nesërmen, projektligji u bë publik dhe u depozitua në Kuvend. Ku janë në tekst zotimet e kryebashkiakut? Si ka mundësi që projektligji nuk ka as hartë, as referenca për sipërfaqet që do të negociohen? Veliaj, Kumbaro e më pas Ahmetaj kanë folur për 1156 m2 ndërtim të Teatrit Kombëtar.

E beson vërtet kolegia Zaharia dhe kolegët e tjerë se sipërfaqja e Teatrit Kombëtar është kaq? Më e vogël se ajo e Turbinës? Po sipërfaqja e Teatrit Kombëtar Eksperimental, sa është? Po oborri, pishina dhe zdrukthëtaria? Po trualli i parkingut të bashkisë? Po “Fusha shpk”, me sa m2 truall po investon në këtë sipërmarrje? Po vlerën 30 milionë euro të teatrit të ri, kush e llogariti?

Duke iu rikthyer letrës së hapur të kolegut Imami, kolegia Zaharia na thotë se, “Asnjë rresht në letrën e tij të hapur nuk përmend shembjen e teatrit… Nuk mendoj se është mëkat të kërkosh parametra dhe kapacitete europiane në një teatër dinjitoz kombëtar… Nëse është e mundur të ndërtohet ky teatër i ri modern dhe krahas tij të restaurohet apo rikonstruktohet ai ekzistues, kjo do të ishte një zgjidhje ideale dhe ne të gjithë do të ishim shumë të lumtur!”

Pyetja në këtë rast është, pse kolegia Zaharia dhe 63, 66 apo 67 kolegët e tjerë nuk e nënshkruajnë letrën e hapur të 130 kolegëve të tjerë që kërkojnë pikërisht këtë gjë: ndërtimin e teatrit të ri dhe rindërtimin apo restaurimin e teatrit të vjetër? Së fundi, nuk mund të lë pa përmendur aspektin ligjor të kësaj afere mafioze. Edhe për këtë do të doja një përgjigje nga kolegia Zaharia, këtë herë në cilësinë e saj si Princeshë e Kurorës. Nëse Shqipëria do të ishte mbretëri dhe ajo do të ishte mbretëresha e Shqipërisë, a do të dekretonte ajo një ligj special, me procedurë të përshpejtuar, që anashkalon katër ligje të tjera, MSA dhe Kushtetutën e Shqipërisë?

Kam frikë se po, nëse është e vërtetë ajo që thuhet në media, se familja princërore ka marrë një leje ndërtimi në sheshin midis Hotel “Dajtit” dhe Katedrales së Shën Palit. E dashur kolege Zaharia, të dashur kolegë që keni nënshkruar apo jeni shprehur publikisht pro ligjit special antikushtetues të Qeverisë, mos u fshihni prapa gishtit. Keni pranuar që ndërtesat historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental të shemben, që 8 mijë m2 truall publik të shkëmbehen me një ndërtim që vlen shtatë herë më pak, që vendimet për trashëgiminë historike dhe kulturore t’i marrë një individ i vetëm: Kryeministri!

Shkurt, keni pranuar që Shqipëria të jetë diktaturë apo monarki absolute, cilindo term të keni më për zemër. Nëse një ditë pendoheni për qëndrimin tuaj, Letra e Hapur e artistëve që kërkojnë ndërtimin e teatrit të ri, paralelisht me restaurimin apo rindërtimin e teatrit të vjetër, do të jetë e hapur për firmat tuaja. Deri atëherë, shijoni përfitimet që ju jep afërsia me pushtetin dhe kursejini alibitë e rreme me keqkuptime e keqinterpretime.

Shumë sinqerisht, Kastriot Çipi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura