Primitivizmi politik ballkanik

Aug 8, 2018 | 19:18
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHUTritan-Shehu

Mund të japësh plot shem buj për të konfirmuar pikërisht këtë, faktin që në Rajonin tonë politika e veçanërisht ajo e jashtme është e mbushur më shumë tipare të përbashkëta, që, fatkeqësisht, në një shumicë do të cilësoheshin primitivizma, n.q.s do të analizoheshin nën këndvështrimin e një politike perëndimore.

Dëshira dhe këmbëngulja për ta përdorur këtë pjesë të politikës për interesa personale, apo obligime a detyrime të tilla, edhe kur këto, se paku, nuk përputhen me interesat e vendit a rajonit, gafat formale dhe etike gjatë saj e artikulimeve etj. ngelin dëshmi e këtij fenomeni, gjë që padyshim dëmton rëndë hapësirën tonë.

Të kërkosh të japësh shembuj për të argumentuar këtë mendim është ekstremisht e lehtë, se ato ndeshen rëndom në qëndrime të tilla, duke krijuar dëme e probleme serioze. Ishin të asaj natyre p.sh ato të Gruevskit në Maqedoni, që i sollën një vonesë të madhe anëtarësimit në NATO të atij vendi apo dhe në integrimin europian, aq sa sot janë vënë në dyshim, qoftë edhe nga një vazhdimësi e ngjashme e Presidentit Ivanov.

Një lojë e tillë obstruksioniste u luajt dhe në Kosovë p.sh për “demarkacionin” me Malin e Zi, duke bërë që ai vend të vazhdojë të paguajë akoma një çmim për ato “lajthitje”. N.q.s treni të ikën një herë, është më e vështirë dhe e gjatë rruga për ta arritur më tej atë.

Në vendin tonë, shembuj të tillë janë me “tonelata”. Ndonjëherë ato kanë dhënë vonesa e probleme serioze, si ndodhi p.sh kur Rilindja përdori “Fierin” për të bllokuar Statusin Kandidat të Shqipërisë. Fatmirësisht, çadrat nuk arritën të bëjnë këtë gjë me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Nga ana tjetër, Shqipëria u përfshi në skandale të vërteta ndaj ShBA-ve në Konferencën Islamike dhe Asamblenë e OKB, vetëm sepse, siç duket, nuk mund të largohej nga kondicionime nga palë të treta, shumë larg interesave tona kombëtare ato.

Pra, të tilla simptoma, të lidhura me mentalitete primitive, mungesa vizioni, apo “prangosje” personale janë të shumta dhe të ripërsëritura, duke vazhduar e u paraqitur në forma nga më të ndryshmet, filluar kjo nga vendime të rrezikshme, hapa aventureske, një mungesë e thellë transparence e argumentimi të qëndrimeve e deri te reagime konfuze korrigjuese, që shpesh thellojnë dëmin e parë e të bëjnë të humbësh çdo kredibiletet. Dhe këtu në krye të kësaj liste janë marrëdhëniet tona me Greqinë, prej vitit 2013. Mbasi këto marrëdhënie u shkatërruan me koshiencë e aventurizëm nga Rilindja, më tej kërkohet të rindërtohen nga pozitat kapitulluese dhe të gjitha këto hapa së bashku, nën një fshehtësi të plotë.

Në ditët e fundit kjo tabloja pasurohet,duke u përsëritur qoftë në iniciativa pa asnjë themel e argument, te fshehtësia e hapave, aventurizmi në lëshimin e ideve, arroganca e deklaratave dhe deri te tërheqja si skutha prej atyre mbas presionit të brendshëm apo të jashtëm. Këtë e kemi takuar disa herë në Tiranë në këto 5 vite, jo vetëm ndaj Greqisë; kjo u vu re dhe ditët e fundit në një “platformë”, që, për mua, nuk lindi e izoluar vetëm në Prishtine apo në Tiranë dhe si e tillë bëhet më e rrezikshme.

Nga Kosova, z.Majko deklaron në emër të Kryeministrit të tij se prej 1 janarit do të bjerë kufiri Shqipëri-Kosovë. Këtë deklaratë shumë serioze, me përgjegjësi e pasoja të mëdha, n.q.s do merrej seriozisht, veçanërisht nga komuniteti ndërkombëtar, ai e publikon të shoqëruar me një foto ku shfaqej me disa VIP-a dhe Presidentin e Kosovës përpara një grumbulli shishesh birre, gjë që më bëri ta quaj atë “platforma e festës së birrës”. Por siç duket, partnerët tanë tashti kanë filluar të na njohin dhe heshtën, ndoshta dhe prej birrave mbi tryezë. I vetmi reagim erdhi nga Beogradi, edhe ky “i çuditshëm” e artificial, kur kërkonte të na bindte që Serbinë vetëm Enver Hoxha e ka trembur me idenë e “Shqipërisë së tij madhe”, një megagënjeshtër kjo. Unë nuk e di nëse kemi të bëjmë me një rastësi apo jo këtu, por, në fakt, kjo deklaratë serbe kondicionoi me një fushatë të orkestruar meskine në Shqipëri për ta vënë përsëri Hoxhën në piedestalin e patriotizmit shqiptar!

Sidoqoftë, mbas këtyre “fishekzjarrëve të lëshuar gjatë birrës”, heshtje e plotë nga Tirana dhe Majko vetë, asgjë…!

Por, ndërkaq, Presidenti Thaçi lëshon “bombën” e tij, nuk e di në prezencë të Majkos apo jo, por brenda harkut kohor e disa “këndvështrimeve” të “platformës së festës së birrës”. Ai lëshoi idenë e ndryshimit të kufijve, duke kërkuar bashkimin e trojeve shqiptare, që janë në Serbi dhe çuditërisht pa dhënë asgjë në kompensim! Një deklaratë kjo ekstremisht serioze, potencialisht me pasoja të thella e të rrezikshme, por përsëri, sipas zakonit rajonal, pa asnjë argumentim dhe pa asnjë konsultë qoftë edhe me opozitën e atyshme (së paku siç ajo pretendon). Elemente të përbashkëta këto me veprimet e Rilindjes sonë. Në fakt, kjo deklaratë ka dhe diçka tjetër të përbashkët me qëndrimet surrealiste të qeverisjes në vendin tim. Edhe Rilindja këtu deklaron se Marrëveshja e re e Detit me Greqinë do të jetë veçse në favorin tonë, duke dashur të nënkuptojmë se grupi ynë negociator, pasi i detyroi kolegët grekë të pranojnë se kishin gabuar rëndë e na kishin bërë padrejtësi me marrëveshjen e 2012, tashti ata të penduar jo vetëm po na kthejnë gjithçka që na “rrëmbyen a ia shiti Berisha”, por për ndjesë e pa pagesë po na dhurojnë disa qindra kilometra katrore det e depozita gazi nën atë! Dhe kjo ndodh, megjithëse ne u kthyem në atë dialog me “bisht ndër shalë” e kredibilitet zero, prej çfarë katranosi me pesë vite kjo Rilindje! Në këto linja duken edhe deklaratat e Presidentit kosovar, që vetëm thotë se çfarë do t’i “marrë” ai Serbisë, pa asnjë çmim…, sikur ajo në çast është kthyer në një lepurush të butë e dorëshpuar! Për çudinë më të madhe, si për të na bindur neve në forcën e tij “qiellore realizuese” të kësaj mrekullie, apo për të “trembur” Beogradin, ai lëshon prej majës së Olimpit të gjitha rrufetë mbi Berishën, duke e anatemuar atë dhe “harruar” sa shumë ka bërë ai për Shqipërinë, Kosovën e rajonin.

Por të nesërmen… si me magji (jo për magji, por prej mekanizmave të primitivizmit ndoshta) ky tërhiqet, tërheq akuzat e ofendimet, deklaron që nuk do ketë ndryshime të kufijve, por vetëm “rregullim të tyre”, sikur deri një ditë më parë u fol veçse për ngjyrën e piramidave kufitare. Po të kthehesh pak mbrapa në kohë e vend, këtë manovër bëri dhe Tirana kur mbasi akuzoi për tradhti opozitën; edhe marrëveshjen teknike me Greqinë për piramidat deshte ta shiste si definim kufiri, në realitet i përfunduar ky në Firence që më 1925-n. Më pas bëri marsh mbrapa!

Të gjitha këto oshilacione, kontradiksione, aventurizma nuk mund të mos të të bëjnë të mendosh për shkakun që i prodhon. Unë nuk besoj që është vetëm “birra”, megjithëse si ide të gjitha janë të përafërta me “platformën e festës” së saj. Ndodhin këto, nga mendjelehtësia, dëshira për protagonizëm, egoja personale, përfitime personale, kondicionime prej borxheve individuale, apo nga detyrime të krijuara nga prapësitë dhe iligjimiteti i veprimeve individuale apo në grup (gjithmonë gjërat shkruhen e fotografohen diku, ngelin e mund të përdoren ato)?

Unë do them që janë të gjitha këto bashkë, ndoshta edhe më shumë, duke përbërë kështu simptomat e një sëmundje serioze të politikave tona të jashtme, të pasqyruara më tej me jostabilitetin e saj, oshilacionet e mëdha e dëmtuese, konfuzionin e një “feste birre”, por që çojnë në vonesat e proceseve tona të emancipimit, zhvillimit e integrimit europian. Është shumë më racionale e produktive për të gjithë, që, në vend që të ngremë kështjella në rërë, të fabrikojmë “megaplatforma” në boshllëk, për shkaqet që përmenda, të ulemi e të punojmë konkretisht e me transparencë mbi projekte reale, në pamje ndoshta dhe më të vogla, por të sigurta e të qarta për të ardhmen tonë europiane. Në fakt, jo rrallë të tilla “vizione” të mëdha me origjina të paqarta e surrealiste, sado të “ëmbla” mund të duken në pamje të parë, fshehin në vete vetë premisat për aventurizma e konflikte të tjera të mundshme në rajon, me një çmim këto shumë të lartë e tragjik për të gjithë ne, që jetojmë në këtë gadishull.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura