Prilli muaj i zi, më pak tregti, kredi e të ardhura

May 30, 2015 | 21:34
SHPËRNDAJE

Muaji prill duket të jetë më problematiku deri tani sa i përket ekonomisë. Fillimisht ishin shifrat e të ardhurave, ku mungonin 85 milionë dollarë në arkën e shtetit krahasuar me planin dhe më pas rënia e eksporteve me 10 për qind.

Të dyja këto janë sinjale të forta se ekonomia nuk po jeton ditët e saj më të mira, madje krejt e kundërta. Tani këtyre treguesve u bashkohen edhe shifrat e Bankës së Shqipërisë, që reflektojnë për një rënie të kredisë në muajin e katërt të vitit. 

RËNIA E KREDISË

Bankat kanë shtrënguar dorën për kreditimin e biznesit, duke e ulur atë me gati 8 milionë dollarë në muajin prill. Kjo, nëse krahasimin e bëjmë me një muaj më parë, marsin. Totali i kredisë në prill shënoi 556.6 miliardë lekë, ndërkohë që një muajin mars ishte 557.4 miliardë lekë.

Në fakt, një situatë e tillë me rritje dhe ulje të vogla ka nisur qysh në muajin janar, kur ishte edhe rënia më e theksuar e kredisë me 22 milionë dollarë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2014. Gjithsesi, shifrat e Bankës së Shqipërisë reflektojnë një total kredie më të lartë në harkun janar-prill 2015, krahasuar me janarprill të një viti më parë.

KREDIA NË LEKË

Në gjithë këtë panoramë pesimiste duket se e vetmja gjë që ka filluar të funksionojë, është rritja e kredisë në lekë. Shifrat e kësaj të fundit tregojnë se kredia e re në lekë në muajin prill ishte 49 milionë dollarë, të paktën ajo me afat deri në 6 muaj. Kjo në një kohë kur për tre muajt e më- parshëm kredia në lekë me afat deri në gjashtë muaj ishte respektivisht 16 milionë dollarë për janarin, 10 milionë dollarë për shkurtin dhe 16 milionë dollarë për marsin.

Gjithsesi, për kredinë afatgjatë ka një rënie të sasisë së kredisë së re në muajin e katërt të vitit. Për kredinë me afat mbi 5 vjet në prill u dhanë 22 milionë dollarë, ndërsa në mars 30 milionë dollarë.

NGA NERTILA MAHO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura