Prifti i kishës së Vlorës tregon momentet e tmerrit: Si e gjetëm autobusin

May 28, 2016 | 8:37
SHPËRNDAJE

At Sotiraq Prifti i kishës “Shën Theodhori” e ka mësuar nga Vlora se çfarë kishte ndodhur me kolegët e tij dhe me besimtarët në qytetin e Krujës. Sipas tij, ky udhëtim nuk ishte i pari që realizohej nga kisha.

kruje3

Këtë herë, besimtarët, bashkë me 3 klerikët, kishin si qëllim një ekskursion dyditor, i cili do të niste nga Vlora për të vazhduar me një vizitë në Krujë, në Lezhë, në Shkodër dhe në Ulqin të Malit të Zi.

Nisja u bë mëngjesin e djeshëm dhe kthimi do të ishte mbrëmjen e sotme, por kjo nuk ka ndodhur për Violeta Gjikajn, ndërsa të tjerët janë në rrezik për jetën. At Sotiraq Prifti tregon për gazetën se si u bë organizimi dhe si e mori vesh ngjarjen e rëndë.

At, si e mësuat lajmin e rëndë të djegies së autobusit me besimtarë?

Pak minuta pas ngjarjes së rëndë më mori në telefon njëri prej stafit të kishës, i cili më informoi për çfarë kishte ndodhur. Më pas kërkova saktësisht se sa ishin dëmtuar dhe sa viktima kishte. Me shpejtësi erdha në ambientet e kishës sepse isha pak larg dhe më pas kërkova më shumë detaje ndaj këtij udhëtimi, për personat që ishin në autobus dhe detaje të tjera për viktimën.

Sa persona ishin në autobus dhe ku do të shkonin për ekskursion?

Në autobus, sipas listës, kanë qenë 30 besimtarë, me gjithë tre priftërinj, të moshës nga 20 deri në 80 vjeç, të cilët janë nisur nga Vlora në orën 06:00 të mëngjesit me destinacion: Vlorë, Krujë, Shkodër, Mali i Zi, ku dhe do të rrinin dy ditë, që të gjithë besimtarë të kishës. Kishit organizuar dhe herë të tjera ekskursione të tilla? Po, por asnjëherë nuk kemi pasur probleme, gjithmonë kanë qenë ekskursione të suksesshme, edhe pse shumë prej pjesëmarrësve kanë qenë të moshuar.

Kush e ka gjetur autobusin me të cilin po udhëtonin besimtarët?

Autobusin e kanë gjetur kolegët e mi, në bashkëpunim me besimtarët. Kanë ardhur familjarë të të dëmtuarve, besimtarëve apo të viktimave në kishë, pas ngjarjes? Jo, asnjë prej tyre. Të gjithë kanë shkuar në Tiranë për të parë të afërmit e tyre, pasi të gjithë ishin të alarmuar.

Si mendoni, çfarë ka ndodhur dhe pse autobusi ka marrë flakë?

Nuk e di! Unë jam shumë i tronditur nga çfarë u informova, si dhe jam në merak për kolegët e mi dhe për besimtarët tanë, sepse pak a shumë njihemi me ta personalisht. Sipas informacionit, më thanë se autobusi ishte përfshirë nga flakët shumë shpejt dhe se besimtarët nuk kanë pasur mundësi të dalin nga autobusi. Ata janë përfshirë nga flakët, por falë zotit, banorë të zonës kanë ndërhyrë dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e shumë prej besimtarëve nga autobusi, sepse pa ndihmën e tyre, bilanci i viktimave do të ishte më i madh.

Cila është kompania që ka siguruar autobusin për ekskursion të besimtarëve?

Nuk e di! Sepse e kanë siguruar kolegët e mi me besimtarët, por di vetëm që gjithçka është bërë konform rregullave dhe dokumentacioneve përkatëse, si dhe ekziston lista me të gjithë emrat e besimtarëve që kanë shkuar për ekskursion, listë e depozituar në dosjen e kishës. Tashmë s’na ngelet gjë tjetër, veçse të lutemi për besimtarët e plagosur, për një shërim sa më të mirë dhe më të shpejtë. Ndërsa, kisha do të mbështesë dhe ndihmojë besimtarët, me çdo gjë që do të ketë detyrim institucional dhe moral, për të kthyer sa më shpejt besimtarët pranë familjeve të tyre, si dhe u shprehim ngushëllimet tona familjarëve të viktimës, e cila ka humbur jetën në mënyrë tragjike.

QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura