Priapizmi dhe politika

Sep 17, 2017 | 12:37
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Edmond-Tupja

Shkrimtari francez bash këkohor Daniel Pennac, në librin e tij “Journal d’un corps” (Ditari i një trupi), që jam duke e përkthyer, i sjell publikut analizën e tij të disa bisedimeve zyrtare ku mori pjesë për 17 orë rresht:

“Në këtë lloj sporti, – vëzhgon ai – gjëja më e vështirë nuk është përpjekja për të mbajtur mend shumë mirë gjithçka ti di për dosjet që diskutohen, as vëmendja e madhe ndaj argumenteve të të tjerëve as kthimet prapa në këtë apo atë pikë në dukje tashmë të sqaruar, madje as koha që kalon pa asnjë mundësi për të bërë pak pushim, jo, gjëja më rraskapitëse është barra e frenimit te të gjithë këta njerëz me temperament priapik.

Sepse atyre u rri vazhdimisht i ngrehur, të gjithëve pa përjashtim. Është pikërisht falë kësaj ngrehjeje të pandërprerë që ata janë bërë njerëz me pushtet. Ata nuk munden dot më tek shohin t’u fryhen pantallonat pa pasur mundësi ta nxjerrin palloshin për të theksuar me forcë bindjet e tyre. Ata sfiliten duke bërë dredha diplomatike, ndërkohë që ëndërrojnë t’ia rrasin njëri-tjetrit nga prapa pa vazelinë. Në zyrat e tyre, është tjetër gjë, ata mund t’ua derdhin në fytyrë vartësve të vegjël pa pasur pasoja, kurse këtu…

Çdo figurë politike është priapike si përkufizim.” Çdo figurë politike është priapike si përkufizim… Kjo fjali më kumboi gjatë në mendje dhe, detyrimisht, i bëra vetes këtë pyetje: Të jenë vallë të tilla figurat madhore të politikës në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike? Ah, një mijë herë ndjesë lexueseve dhe lexuesve të mi të nderuar që nuk u kam shpjeguar – të paktën atyre që nuk e dinë – kuptimin e fjalës “priapik”, megjithëse ka fort të ngjarë që ta kenë kuptuar nga vetë termat erotikë të përdorur prej Daniel Pennac-ut. Sidoqoftë, sa për kulturë, fjala “priapik” vjen nga emri Priap, në greqishten e vjetër Priapos, perëndia e pjellorisë, i biri i Dionisit dhe i Afërditës, i cili kishte lindur me një penis të stërmadh që i rrinte përherë i tendosur. Fjala “priapik” ka dhënë termin mjekësor “priapizëm”, që përkufizon një gjendje patologjike të karakterizuar nga tendosje të penisit që zgjasin, shpesh të shoqëruara me dhimbje, por që nuk janë pasojë e ndonjë eksitimi seksual. Gjithsesi, përshkrimi që Daniel Pennac-u u bën njerëzve zyrtarë, pra që janë të veshur me njëfarë pushteti, është aq i frikshëm sa i vërtetë. Psikanaliza e Frojdit dhe e pasuesve të tij e konfirmon më së miri këtë. E konfirmon më së miri edhe vetë fjala shqipe “pushtet”, e cila fillon me fjalën “pusht” (që, në “Fjalorin e gjuhës shqipe”, Tiranë 2006, ka dy kuptime: 1. kurvar, 2. maskara) dhe mbaron me fjalë gege “et”, d.m.th. “etje”, çka mund të interpretohet si “etje për pusht… llëqe”. E konfirmon gjithashtu edhe proverbi i pashkruar i popullit tonë “Politika është kurvë”, një kurvë aq e dëshirueshme, aq e lakmueshme, aq e pallueshme, saqë pas asaj vrapojnë, turren e dynden gjithë ata kurvarë, të tipit homo politicus, të tërë me pallën e tyre të tendosur për t’ia futur sa më thellë njëri-tjetrit në të gjitha vrimat e mundshme e të imagjinueshme, pa vazelinë, pa gjalpë, pas vaj, pa margarinë, pas asnjë lloj lubrifikanti, siç po ndodh ende para syve tanë të zgurdulluar që nga fushata e zgjedhjeve të fundit kuvendore.

Çdo figurë politike është priapike si përkufizim… Oh, pavarësisht prirjeve apo simpative të mia politike, më duhet të pranoj me keqardhjen më të sinqertë se, në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, më i fituari në këtë mes, tani për tani, ka dalë zoti Rama, i cili, ua hodhi zotërinjve Basha e Meta. (U lutem kryesisht lexueseve dhe veçanërisht lexuesve të mi të nderuar të vënë re se sapo përdora foljen “hedh” që do t’ua vrasë veshët e moralshëm shumë më pak sesa folja “rras”, që përdor Daniel Pennac-u në fragmentin e mësipërm).

Çdo figurë politike është priapike si përkufizim… Po, kjo ia bën muuuuuu (pa “t” në fund, për momentin të paktën), por ata që e hanë më keq në këtë mes nuk janë politikanët tanë priapikë, që, në fund të fundit, e hanë nga njëri-tjetri (u bëftë mirë!), por njerëzit e thjeshtë e të pafajshëm, njerëzit e dhimbjes e të dëshpërimit, njerëzit e zhgënjyer, madje të neveritur nga ata politikanë që i qeverisin sa vjen e më… priapikisht!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura