Prezantohet projekti/ “Itinerari fishtian”, rrugëtim në jetën e Fishtës

Oct 24, 2019 | 10:57
SHPËRNDAJE

Një rrugëtim fizik dhe shpirtëror në vendet ku ka jetuar, shërbyer e krijuar At Gjergj Fishta.

Ministrja Margariti, dje në Lezhë
Ministrja Margariti, dje në Lezhë

Pas ndërhyrjesh restauruese, vendosjesh sinjalistikash, pllakash përkujtimore etj., ky rrugëtim do të presë e përcjellë pelegrinë, për t’u rrëfyer më shumë për klerikun, poetin e atdhetarin. Dje, në ditën e lindjes së Fishtës, Bashkia e Lezhës organizoi një ceremoni përkujtimore, ku merrnin pjesë studiues, poetë e politikanë.

Të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deputetja Lindita Nikolla, poeti Preç Zogaj. Kumtuan mbi figurën e Fishës studiuesit Frano Kulli, Tonin Çobani e Nevila Nika, ndërsa aktori Mirush Kabashi interpretoi dy poezi të poetit.

Pas përshëndetjes së rastit të kryetarit të bashkisë, Pjerin Ndreu, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, prezantoi për të pranishmin “Itinerarin kulturor fishtian”, ku përfshihen ndërtesa e vende ku ka jetuar e punuar Fishta. Ajo vlerësoi figurën e tij, duke e quajtur domosdoshmëri njohjeje për brezat e rinj.

“‘Tash që u ba Shqypnia, duhet me u ba shqyptart’. Duket sikur edhe sot na kumbon zëri i tij, teksa kërkon jo vetëm zgjim, por edhe ndërgjegjësim kombëtar, edukim.. Sot është radha jonë që të mbajmë ndezur pishtarin që ai na la, të transmetojmë stafetën e atdhedashurisë dhe vetëdijes nga njëri brez në tjetrin dhe këtë duhet ta bëjnë, duke njohur ata burra e gra, që u kushtuan jetën qëllimeve të larta kombëtare”, tha Margariti. “Të flasësh për Fishtën, duhet të njohësh jetën e tij, e që të njohësh jetën, duhet të prekësh dhe të shkelësh vendet ku ai ka shkelur. Të rrugëtosh në një itinerar sa fizik, aq edhe shpirtëror, që lidhen me momente kyçe të jetës së tij, që nga lindja deri në vdekje, nga thirrja hyjnore te shërbimi kishtar dhe vendet ku shkroi kryeveprat e tij letrare. Ndaj, edhe lidhja e këtyre nyjave, përmes një rruge, merr një tjetër rëndësi dhe një tjetër vlerë”, tha ajo..

ITINERARI

Në “Itinerarin fishtian” përfshihet: ish-banesa ku ka lindur At Gjergj Fishta, më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, Lezhë. Dikur aty ngrihej një godinë reale, e shpallur monument kulture, por që nuk i mbijetoi dot zulmës së ndryshimit dhe u shkatërrua e sot na ka mbetur vetëm një kryq dhe një libër simbolik. “Atje ku dikur ishte shtëpia e lindjes së tij, sot është një livadh, që quhet Çarja e Gegë Pjetrit”; banesa ku ka banuar vitet e para të jetës At Gjergj Fishta (1874-1877), monument kulture i kategorisë së dytë, po në fshatin Fishtë; Kuvendi, kisha dhe Shkolla Françeskane, ku mori studimet e para; Kuvendi i Troshanit, monument kulture, ku kaloi një periudhë të gjatë të kohës së tij si mësimdhënës e ku do të kthehej pas studimit në Bosnje, si meshtar; Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë, ku shërbeu si kapelan (1896-1897).

Një ndërtesë që u shkrumbua nga zjarri, shërbeu si spital, stallë e ofiçinë mekanike, për t’u rikthyer në jetë në fillim të viteve ’90; Kisha famullitare e Gomsiqes në Pukë; Selia e Shoqërisë “Bashkimi”; Kuvendi, kisha dhe Shkolla Françeskane, ku si i pari drejtor shqiptar i saj, ndërmori iniciativën e vendosjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi, pasi në Shkodër, asokohe, synohej ndjekja e shkollave në gjuhët italisht, frëngjisht, turqisht. Jeta dhe veprimtaria e Fishtës lidhet edhe me Kongresin e Manastirit ku ishte kryetar, edhe me Konferencën e Paqes në Paris (1920), edhe Parlamentin shqiptar, ku ka qenë nënkryetar dhe momente kyçe të jetës politike në Shqipëri (1921), edhe me Revolucionin e Qershorit…

Vitet e fundit të jetës do ta gjejnë në Troshan, për të ndërruar jetë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit, në Shkodër, në 30 dhjetor 1940. “I gjithë ky udhëtim jetësor lidhet me vende e godina konkrete, të cilat të gjitha kanë nevojë për prekje për restaurime, rivlerësime të statusit të tyre si monumente kulture, ngritje kënde të posaçme dedikuar At Gjergj Fishtës, në mënyrë që ato të jenë gati për të pritur vizitorë, të cilët në to të mësojnë jo vetëm për jetën dhe veprimtarinë e tij, por të gjejnë pse jo paqe shpirtërore, një vend meditimi dhe reflektimi”, tha ministrja e Kulturës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura