Prezantohet Plani i ri Urbanistik, Tirana me 7 qendra dhe 5 unaza

May 19, 2012 | 13:22
SHPËRNDAJE

Gjatë prezantimit të djeshëm

Zbardhen detajet: Korsi biçikletash, të detyrueshme në të gjitha rrugët.

Plani i ri, Tirana me 7 pole zhvillimi e 5 unaza.

Projekti: 2 mijë blloqe banimi për 1.2 milionë banorë.

Tirana metropolitane me 7 pole zhvillimi, 5 unaza të reja dhe korsi të detyrueshme për biçikletat në të gjitha rrugët. Draft–plani urbanistik është gati.
Një formulë e re menaxhimi për pronën, e cila lë pas modelin e vjetër të procesit planifikues selektiv. Me anë të tij, një pjesë e pronave fitonte vlerë, të tjera e humbnin atë, sipas interesave të ndërtuesve. Me parimet e reja, të gjithë banorëve, pronarëve, ndërtuesve do t’u ofrohen shanse të barabarta zhvillimi të pronës së tyre. E thënë me thjesht, studimi urbanistik sjell një vlerësim të barabartë të pronës private, si në rastet kur ndërtohet pallat, ashtu edhe kur është e destinuar për lulishte apo për rrugë. I prezantuar dje nga ekspertët e urbanistikës, përballë një audience të gjerë të ftuarish nga të gjitha fushat, ky plan vjen në një hark kohor prej 10 muajsh që nga nisja e hartimit të tij.
Struktura urbane
Me këtë plan rivendoset hierarkia e strukturës urbane, që nis nga Blloku, ku parashikohen 600 blloqe banimi, kompleksi avancon me lagjet dhe përmbyllet me njësitë administrative. Bashkë me rrethinat, Tirana do të ketë 2000 blloqe banimi. Studimi urbanistik është duke projektuar ndërtimin sipas rritjes së popullatës, e cila pritet që të shkojë në 1.2 milionë banorë. Hapësirat e gjelbra zënë një vend të rëndësishëm. Përcaktohet edhe pasaporta për secilin bllok dhe formula e menaxhimit të pronës. Ky plan, i quajtur “Plani i Tiranës Metropolitane”, shtrihet në 8 njësi vendore, dy nga të cilat bashki dhe 6 komuna. “Kjo shënon një risi, një model bashkëpunimi dhe natyrisht bën të mundur, që qytetarëve t’u krijohen kushte më të mira të lëvizjes, shërbimit dhe infrastrukturë”, tha dje gjatë prezantimit të planit, këshilltari i Kryeministrit për urbanistikën, Flamur Kuçi.
Shtatë pole zhvillimi
Tirana policentrike. Pas strukturës së munguar, është konceptuar kështu zhvillimi i kryeqytetit. Plani i ri parashikon krijimin e 7 poleve të zhvillimit. Një pol zhvillimi është ai që shtrihet poshtë Stacionit të Trenit dhe që merr një hov të madh zhvillimi, me zbatimin e projektit të “Grimshaë Architects”, për bulevardin e ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Një tjetër pol, ai lindor shtrihet në zonën e spitaleve, i cili ka dimension kryesor aktivitetin shëndetësor, por natyrisht do të ketë edhe shërbime të tjera për qytetarët. Një pol tjetër do të nisë shtrirjen në Qytetin Studenti, me funksion kryesor arsimin, por plani sugjeron pasurimin e kësaj zone me shërbime të tjera rekreative, sociale dhe administrative, në mënyrë që të pasurohet dhe forcohet roli i këtij poli. Një pol i ri, ai jug-perëndimor do të krijohet rishtas, duke akomoduar shërbime që Tirana i ka me mangësi, kryesisht do të jenë shërbimet rekreative dhe sportive.
Një tjetër pol është ai që shtrihet përgjatë Fushës së Aviacionit, në të cilin planifikohen shërbime biznesi dhe rekreacioni. Gjenerimi i tij do të katalizojë dhe rizhvillimin e kësaj zone, si një nga zonat më të neglizhuara të qytetit. Në polin e Kombinatit është parashikuar dhe akomodimi i disa funksioneve sportive, me sfond olimpik. Ndërsa, poli veriperëndimor parashikon forcimin e funksionit arsimor të Kodër -Kamzës dhe pasurimin e shërbimeve dhe funksioneve në këtë zonë.
Unazat e qytetit
Tirana do të ketë një rrjet prej 5 unazash. Unaza 2 është ajo që dikur quhej Unaza e Mesme, që gjithashtu do të funksionojë me sens unik lëvizjeje, por në drejtimin e kundërt të lëvizjes me Unazën 1. Unaza 3 është praktikisht Unaza ekzistuese e qytetit, por që sugjerohet plotësimi i saj për pjesën jugore të qytetit. Plotësimi i saj në pjesën jugore është tejet i vështirë, në krijimin e një gjurme të plotë, ndaj mund të pranohet një ridimensionim i saj, duke komprometuar një pjesë të fluksit të lëvizjes. Unaza 4 është risi për Tiranën, pasi sot nuk ekziston as si gjurmë në asnjë prej planeve. Duke qenë se distanca nga Unaza 3 deri te Unaza 5 është relativisht e madhe, konsiderohet e rëndësishme që të vendoset Unaza 4, në gjurmën e së cilës mund të shtrihet dhe një nga linjat e Tramit. “Krijimi i pesë unazave të transportit publik do të çojë në zhvillimin e kryeqytetit dhe në zbutjen e përqendrimit të popullsisë në qendër, siç ka ndodhur deri tani. Në këtë mënyrë u jepet fre proceseve urbanizuese pa kriter”, tha Agron Lufi, pedagog në degën e Arkitekturës në Universitetin Politeknik gjatë prezantimit të tij.
Transporti publik
Gjithashtu, një risi e planit është edhe rrjeti i transportit publik. Linja lindje-perëndim është një nga më klasiket në qytetin e Tiranës, ndaj dhe tramvaji do ketë një linjë të tillë. Së dyti, linja veri-jug do të sigurojë shërbimet e lëvizjes së gjithë qytetit, drejt Aeroportit dhe drejt zonës ekonomike. Linjat e autobusëve do jenë komplementare me linjat e tramvajit, në mënyrë që të kapilarizohet mbledhja e flukseve të lëvizjeve. Për këtë arsye, në nivelet e tjera të unazave do të parashikohen linja autobusësh. Gjithashtu, me linja autobusësh do të mbulohen disa zona, si Shkoza, Rrapi i Treshit etj. Gjithashtu, parashikohen dhe lëvizjet interurbane. Sistemi i sugjeruar do të jetë sistem i integruar, që do të funksionojë me biletë unike, ndërsa stacionet e vendosura parashikohen që të jenë stacione të kombinuara të transportit, autobus interurban, autobus urban dhe tramvaj. Në planin urbanistik janë parashikuar 4 parqe të tjera, Farka, Kashari, Vaqarri dhe Paskuqani. Njëkohësisht do të ketë korridore të reja ekologjike që shtrihen përgjatë bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës, si dhe parashikohet rritja e biodiversitetit në korridorin e Lanës. Po kështu, të gjitha rrugët që do të ndërtohen dhe rikonstruktohen në Tiranë do ta kenë të detyruar të kenë rrjetin e korsive të biçikletave.

Pesë unazat e Tiranës me anë të së cilave qyteti arrin shtrirje policentrike në të gjitha daljet e tij. Sipas ekspertëve, krijimi i pesë unazave të transportit publik do të çojë në zhvillimin e kryeqytetit dhe në zbutjen e përqendrimit të popullsisë në qendër, siç ka ndodhur deri tani.

Ndërtimet
Me planin e ri urbanistik Tirana është ndarë në blloqe banimi. Sipas studimit urbanistik, fondi ndërtimor për një bllok banimi është projektuar mbi bazën e raportit popullatë për metër katror. Sipas prezantimit të djeshëm, rezulton se për një bllok banimi fondi ndërtimor arrin një sipërfaqe prej 324 mijë metrash katrorë. Parametrat e ndërtimit në këto blloqe nuk do të jenë më mbi bazë preferencash, por sipas një formule të barabartë.

Zonat intensive
Tipologjitë e ndërtimit janë ndarë në zona. Do të ketë zona intensive ndërtimi. Për to është parashikuar sipërfaqja minimale e një sheshi, e cila do të jetë 2500 m2. Lartësia maksimale e ndërtesave të objekteve do të jetë 18 m, ndërsa distanca 30 m2. Ka gjithashtu zona gjysmë intensive e më pak intensive. Ky intensitet vjen në zbritje nga qendra drejt periferisë. Sipas ekspertëve, zhvillimi nuk do të jetë më i fragmentarizuar.

Shtimi i popullatës, Tirana 1.2 milionë banorë
“Projektimi që ne kemi bërë në planin urbanistik, nis nga projeksioni i popullatës. Reflektimet në këtë studim na kanë shërbyer për të parë problematikat”, tha dje gjatë prezantimit këshilltari i Kryeministrit për urbanistikën, Flamur Kuçi. Sipas tij, aktualisht Tirana ka 850 mijë banorë dhe ka pasur një rritje urbane me 6-7% në vit. “Nga sa kemi analizuar, kjo rritje do të bjerë 2-3% në vit dhe Tirana planifikohet të shkojë në 1.2 milionë banorë, bashkë me rrethinat. Prej tyre, 650 mijë banorë në qendër”, tha Kuçi. Gjithashtu ai shtoi se tashmë kryeqyteti nuk do të zhvillohet më vetëm në pjesën veriperëndimore, siç ka ndodhur 15 vitet e fundit.

“Sollëm për 10 muaj planin e munguar prej 22 vitesh”

Kryebashkiaku: Tiranës s’i duhet një dokument formal, por një model zhvillimi

Basha gjatë prezantimit të djeshëm

Basha: “Merr fund vlerësimi selektiv i pronës private”
Kryebashkiaku Basha e ka cilësuar moment kulmor për zhvillimin e Tiranës planin e ri urbanistik. “Ky është një moment kulmor e historik për vetë temën që trajtojmë sot dhe problematikat që ajo mbart në këtë periudhë kohe, por një moment historik edhe për sfidat dhe problemet me të cilat përballet realiteti ynë urban.
Kjo kënaqësi e veçantë vjen pasi vetë takimi për planin urbanistik të Tiranës është përmbyllja e një premtimi të mbajtur”, u shpreh Basha. Në hartimin e këtij plani, në nivelin e grupit teknik dhe strategjik, janë përfshirë ekspertët më të mirë vendës, urbanistë, arkitektë, profesorë të universiteteve publike dhe private, publicistë, ekspertë të mjedisit dhe ekonomisë, historianë dhe studiues, por edhe studentë. Për 3 muaj plani do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë me qytetarë të Tiranës dhe grupe të interesit, për të arritur në produktin më të mirë që i përfaqëson. “Asnjëherë më parë nuk ka pasur një gjithëpërfshirje kaq të madhe, ku askush nuk është përjashtuar dhe gjithkush ka pasur rastin të përfaqësohet. Në mënyrë të veçantë, kjo është e vërtetë për forcën intelektuale të kombit, e cila gjendet pa dyshim në Tiranë, për profesionistët, intelektualët të cilët morën pjesë në diskutimet dhe vetë energjitë e studentëve të Tiranës, të cilët ishin pjesë e pandarë e kësaj përpjekjeje madhore, dhe nëse koha ka qenë e shkurtër, volumi ka qenë i jashtëzakonshëm. Volumi i prurjeve, vullneteve, volumi i dëshirës dhe pasionit të zjarrtë për Tiranën, është çelësi se pse ne arritëm ta kurorëzonim këtë ndërmarrje me sukses, brenda 10 muajsh”, u shpreh kryebashkiaku Basha. Sipas tij, ky plan ka në themel të tij parime të forta të respektimit të pronës private, mjedisit dhe zhvillimit ekonomik.
“Jemi dëshmitarë të një modeli të dështuar, që ka bërë që një pjesë e pronave të fitojnë vlerë, përmes një procesi planifikues selektiv dhe një pjesë të humbasë vlerë pikërisht për të njëjtën arsye. Kjo praktikë do të marrë fund. Plani aktual synon ta adresojë këtë problematikë, duke sjellë komponentin europian të formulës së menaxhimit, çka do të thotë, në themel të gjithë banorëve, pronarëve, ndërtuesve t’u ofrohen shanse të barabarta zhvillimi të pronës së tyre, duke ulur barrat e funksionimit të një tregu të lirë, normal në qytet”, tha kryebashkiaku. Sipas tij, zhvillimi ekonomik, mirëqenia dhe krijimi i vendeve të punës mbeten prioriteti numër një i Bashkisë së Tiranës. “Pra nuk e shohim planin thjesht si një dokument formal, por si një model pune dhe bashkëpunimi, i cili jo thjesht vendos njolla ndërtimore mbi Tiranën, por që ndërton mbi problematikat e jep skemat e zhvillimit dhe partneritetet që duhet të ndërtojmë, për të rritur cilësinë e banorëve të qytetit tonë dhe për t’iu përkushtuar me të vërtetë vizionit tonë, për një Tiranë moderne dhe europiane”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha.

Bashkëpunimi me komunat
“Plani i Tiranës Metropolitane”  shtrihet në 8 njësi vendore,  dy nga të cilat bashki dhe 6 komuna. Sipas kryebashkiakut, kjo shënon një risi, një model bashkëpunimi dhe natyrisht bën të mundur që qytetarëve t’u krijohen kushte më të mira të lëvizjes, shërbimit dhe infrastrukturës.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura