Pretenca për grupin e Shullazit/ Shtyhet seanca, prokuroria s’ka gati konkluzionet

Jun 26, 2018 | 10:25
SHPËRNDAJE

Seanca gjyqësore e sotme për Emiljano Shullazin dhe katër të pandehurit e tjerë, ku ishte parashikuar të jepej pretenca e Prokurorisë, është shtyrë. Organi i akuzës ka kërkuar shtyrjen deri në 10 Korrik me argumentin se nuk ka pasur gati konkluzionet përfundimtare.

Procesi gjyqësor për këtë grup të strukturuar kriminal përfundoi më 12 qershor.

shullazi gjyq

Nën akuzë si pjesë e grupit përveç Emiljano Shullazit janë edhe Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endri Zela. Deri më tani mund të themi se Prokuroria si provë të fortë në krah të saj ka dëshminë e Ylvi Beqes, biznesmeni që pretendon se Emiljano Shullazi e kërcënoi për ta bërë bashkëpronar te ish-hotel “Vollga”.

Për Shullazin ka pasur edhe akuza nga persona të tjerë, por që në dëshmitë e tyre në gjykatë ata janë tërhequr nga këto akuza. Bëhet fjalë për rektorin aktual Mynyr Koni, biznesmenin Jani Zakja dhe Adriatik Kërçukun.

PROVAT

Dosja hetimore përbëhet nga plot 17 fashikuj, ku në to përfshihen prova për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”, kërcënimin e rektorit Mynyr Koni, eksplozivin në parkingun e biznesmenit Jani Zakja dhe shpërthimin në një punishte duralumini në Lushnjë. Hetimet ndaj Shullazit kanë nisur në vitin 2016, kur nisën të dilnin edhe problemet e para me regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”.

Shullazi rezulton nga verifikimet se ishte bashkëpronar në këtë pronë, pronësia e së cilës ishte edhe në proces gjyqësor. Më pas vjen dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja, që pretendon se është shantazhuar dhe kërcënuar nga Shullazi për të marrë një pjesë të pronësisë së ish-hotel “Vollgës”.

Gjithashtu, si provë është paraqitur dëshmia dhe ballafaqimet e Ylvi Beqes në gjyq, tablatet telefonike të numrave të tij dhe më konkretisht, një bisedë e Beqes në “Ëhatsapp” me një person me banim në Itali, ku sipas akuzës ai i shprehte shqetësimin se ishte i kërcënuar nga Shullazi. Si prova të prokurorisë janë paraqitur edhe tërheqja bankare e shumave monetare në çeqe.

Këto shuma janë tërhequr nga Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endri Zela dhe ish-truproja i Ylvi Beqes, shtetasi R.T. Prokuroria ka si prova edhe dokumente që kanë dalë nga hetimi pasuror për të gjithë grupin e Shullazit. Sa u përket rasteve të tjera, Prokuroria paraqiti si prova kamerat e sigurisë së punishtes së duraluminit në Lushnjë në momentin e shpërthimit, tablatet telefonike dhe dëshmitë e biznesmenit Adriatik Kërçuku.

Për kërcënimin e Mynyr Konit u paraqitën si prova dëshmitë e Kules, Rrokajt etj., si edhe kamerat e sigurisë së lokalit në afërsi të të cilit mendohet se ka ndodhur kërcënimi i rektorit aktual të Universitetit të Tiranës. Deri më tani, Prokurorisë së Krimeve të Rënda i mungon dëshmia e biznesmenit Jani Zakja, për rastin e shpërthimit në parkingun e tij në Tiranë, për të cilin është akuzuar Shullazi.

Ky i fundit nuk gjendet pasi është larguar jashtë vendit. Avokatët mbrojtës të grupit kërkuan që Prokuroria të heqë dorë nga dëshmitari, ose të bëjë përpjekje më serioze për ta gjetur dhe njoftuar që të kthehet të dëshmojë. Sa u përket provave të paraqitura, të gjithë ishin të mendimit se nuk tregojnë lidhjet me akuzat dhe me të pandehurit. Përkundër akuzave, vetë Shullazi nuk e pranon se e ka kërcënuar biznesmenin Ylvi Beqja.

Ai ka thënë se Beqja i ka kërkuar ndihmë që të regjistrojë ish-hotel “Vollgën” në emrin e tij, pasi nuk po mundej të fitonte gjyqet për pronësinë e tij dhe sipas marrëveshjes, ai do të bëhej bashkëpronar nëse arrinte ta regjistronte ish-hotel “Vollgën” përmes Hipotekës së Durrësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura