Presione për miratimin e “Vetingut” në korrik, Xhafa mbledh me e-mail deputetët

Jul 27, 2016 | 10:08
SHPËRNDAJE

Presioni i ndërkombëtarëve dhe qëndrimi i kryetarit Ilir Meta, mund të rikthejë sërish në një seancë plenare deputetët e Kuvendit për të votuar projektligjin e “Vetingut”.

Prej disa ditësh po diskutohet ideja për të zhvilluar një seancë plenare ditën e enjte, më 28 korrik, për të votuar të paktën projektligjin “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

komisioni i reformes

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, sipas “Top Channel”, kishte kërkuar në rrugë jozyrtare miratimin e ligjit të “Vetingut” brenda muajit korrik, për shkak se mund të digjej një fond i akorduar nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë që Ambasada Amerikane në Tiranë e pyetur nga “Panorama” nëse ka një kërkesë drejtuar Parlamentit, ku të enjten të zhvillohet seanca e radhës për Reformën në Drejtësi, bëri me dije se: “Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi miratimin e shtatë ligjeve dhe zbatimin e plotë të Reformës, nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent gjatë javëve që vijnë”.

KOMISIONI

Pas intervistës së Ilir Metës në “Zërin e Amerikës” se ishte i gatshëm të mblidhte në çdo moment Parlamentin, Fatmir Xhafaj është vënë në lëvizje dhe ka njoftuar deputetët për një mbledhje të mundshme të Komisionit të Reformës në Drejtësi.

Anëtarët e Komisionit të Reformës bënë të ditur për “Panorama” se janë njoftuar me e-mail për një mbledhje të mundshme, por pa caktuar një orar të saktë se kur. Burime nga Komisioni saktësuan se kryetari Xhafaj nuk ka njoftuar orarin e mbledhjes, për shkak se është në pritje të draftit të rishikuar të projektligjit të “Vetingut”, në të cilën pritet të reflektohen ndryshimet e fundit kushtetuese.

Sipas burimeve, mësohet se Euralius po punon për këtë gjë, pasi ky është një draft i hartuar nga ekspertët e Euralius dhe drejtoria e Ligjshmërisë në Bruksel, si dhe nga OPDAT- i i departamentit të Drejtësisë të SHBA!

Nga ana tjetër, dje nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, tha se socialistët po kërkojnë konflikt me thirrjen që i bëjnë Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe seancën parlamentare të enjten. Bylykbashi shpjegoi se ndryshimet kushtetuese që u miratuan me 140 vota duhet të botohen më parë në Fletoren Zyrtare.

Më pas duhet të kalojnë 15 ditë që ato të hyjnë në fuqi. Më herët, nuk mund të shqyrtohen ligje që nuk kanë bazë kushtetuese, u shpreh deputeti demokrat. “LSI nuk do t’u bashkohet socialistëve në këto procedura”, tha Bylykbashi.

GRUPET

Lidhur me këtë kërkesë, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, tha se “Kemi biseduar me zotin Ruçi dhe kemi rënë dakord që 25 korriku të jetë seanca e fundit e këtij sesioni. Në Grupin Parlamentar të PD-së, nuk ka asnjë kërkesë nga askush për të mbledhur seancën plenare”. Ndërsa, sipas Petrit Vasilit, “Më 25 korrik ishte seanca e fundit për këtë sesion.

Dakordësia ka qenë kjo: që 7 ligje nuk kanë mundësi kushtetuese të kalojnë këtë sesion dhe sesioni i radhës nis më 4 shtator”, thotë Vasili. Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, thotë se Parlamenti nuk mbyllet asnjëherë. “Parlamenti është gjithmonë i pambyllur. Ai është funksional në çdo kohë. Nëse ka emergjenca në korrik apo në gusht, Parlamenti mund të mblidhet në çdo kohë”, tha ai.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura