Presidentit i miratohet vetëm gjysma e fondeve

Nov 23, 2017 | 12:15
SHPËRNDAJE

Maxhoranca në Komisionin e Ligjeve i ka miratuar institucionit të Presidentit vetëm gjysmën e kërkesës për shtim fondesh. Dje relatori i buxhetit, deputeti Bashkim Fino, tha se presidentit do t’i jepen 30 milionë lekë.

meta per qeverine ramna

Por ndërkohë Presidenca kishte kërkuar 60 milionë lekë shtesë në buxhetin e ri. Fino ka paraqitur dhe kërkesat që Komisioni i Ligjeve ka vendosur të pranojë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

“Presidenca ka bërë dy kërkesa dhe ne i kemi dhënë 20 milionë shpenzime operative dhe 10 milionë për investime. Kemi rënë dakord me ata. Kemi rakorduar me Ministrinë e Financave. Zyrës së administrimit të pushtetit gjyqësor i kemi dhënë shtesë 10 milionë lekë për investime dhe 22 milionë lekë për shpenzime operative. Avokatit të Popullit i kemi dhënë 2 milionë lekë për shpenzimet operative. Gjykata Kushtetuese ka një sërë kërkesash, por ne ramë dakord t’i shtojmë 8 punonjës, do t’i shtojmë 4 milionë për shpenzime operative, 7 milionë lekë investime, të ndara për fondin e bibliotekës. 5 milionë për blerje automjetesh”, tha dje Fino.

Më tej socialisti theksoi se ILDKP-së iu miratua kërkesa për shtim 4 milionë lekësh, Autoritetit të Dosjeve do t’i jepen 30 milionë për rikonstruksionin e godinës së re. Shkollës së Magjistraturës do t’i jepen 24 milionë, një pedagog dhe dy punonjës, ndërkohë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do t’i jepeshin 15 milionë lekë shtesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura