Presidenti Nishani i dorëzon Bibliotekës “Mesharin”, dhuratën e Papa Françeskut

Dec 24, 2015 | 8:21
SHPËRNDAJE

Edhe pse studiuesit janë njohur shumë vite më parë me “Mesharin” e Gjon Buzukut, një kopje më pranë origjinalit do t’jua bëjë tanimë studimin edhe më të thjeshtë e ndoshta mund t’ju hapë të tjera dritare.

nishani bibloteke

Dhuruar nga Papa Françesku, në 21 shtator të vitit 2014, libri i parë i dokumentuar në gjuhën shqipe iu dorëzua dje Bibliotekës Kombëtare nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadër të 95-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Kreu i shtetit vizitoi dje Bibliotekën Kombëtare, si dhe ekspozitën “Biblioteka e bibliotekave” me librat më të vyer të fondeve private që pasuruan institucionin e të gjithëve. Dhe siç e do zakoni, ai nuk mund të shkonte duarbosh në këtë festë, por në prani të zëvendësministrit të Kulturës, Zef Çuni, drejtoreshës së Bibliotekës, Persida Asllani, ish-drejtuesve të këtij institucioni, studiuesve e akademikëve, i dorëzoi BKsë atë dhuratë të çmuar, që iu dhurua nga kreu i klerit katolik.

Kjo kopje anastatike e veprës origjinale që ndodhet në Vatikan është ekspozuar në ambientet e Presidencës, por tanimë kishte ardhur momenti që ai të zinte vendin që i takon në “shtëpinë” e madhe të librave.

Sipas tij, kjo vepër do të nxisë kërkimet e mëtejshme të akademikëve, profesorëve, studiuesve shqiptarë për të vijuar dhe çuar më tej atë bazë dhe punë të shkëlqyer që nisi gjuhëtari Eqerem Çabej.

“Sjellja e Papa Françeskut tregon rrugëtimin dhe rezistencën e gjatë që ky libër i parë në gjuhën shqipe, i shkruar nga një murg katolik i Gegnisë, më pas përmes një pune transliterimi të shkëlqyer dhe të përkorë të gjuhëtarit Çabej, e ka kthyer në një vepër të mirëfilltë bibliofilike, e cila do t’i shërbejë jo vetëm synimit dhe objektivave të Bibliotekës Kombëtare, por dhe të punës studimore-shkencore”, tha Presidenti Nishani, teksa përmendi rrugën e vështirë të këtij libri, por edhe gjuhës shqipe në historinë e saj. Ndërkohë një kopje në formë CD-je e “Mesharit” i është dorëzuar edhe Drejtorisë Qendrore të Arkivit të Shtetit.nishani tek bibloteka

HARMONIA FETARE

Për Presidentin e Republikës, “Meshari” është edhe një simbol i bashkëjetesës fetare në Shqipëri, kësaj pasurie të çmuar që e vlerësoi edhe vetë Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë. Një libër që daton në vitin 1555, i shkruar nga një murg katolik, që pavarësisht përmbajtjes së tij fetare, përbën gurin më të fortë të themelit të shqipes së shkruar e që e ndien të vetin çdo shqiptar, pavarësisht besimit.

“Simbolika e rrugëtimit shekullor të këtij libri nga Gjon Buzuku, te përkujdesja e Vatikanit dhe sjellja në Shqipëri me udhëtimin e Papës, të atij kontributi të shkëlqyer të një përkthyesi e të një gjuhëtari mysliman të Toskërisë si Çabej, simbolizon plotësisht këto parime dhe vlera të harmonisë e bashkëjetesës edhe asaj fetare, e cila, ashtu si ky ‘Meshar’, që u rezistoi furtunave shekullore, edhe besimi jo vetëm tek i Plotfuqishmi, që pa dyshim është i pazëvendësueshëm, por dhe besimi te dija dhe përparimi, u rezistoi kohërave shumë të vështira në Shqipëri.

Besoj se me këtë libër, me këtë ‘Meshar’, ne gjejmë një qetësi shpirtërore dhe krenari kombëtare të të gjithëve”, u shpreh Nishani. Presidenti nuk mund të linte mënjanë edhe një nga problematikat e momentit, atë të qasjes së të rinjve ndaj librit, si dhe për sfidat që i dalin këtij të fundit përballë zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë. Duke iu drejtuar pedagogëve e akademikëve të pranishëm në këtë ceremoni, ai u shpreh se jetojmë në një kohë kur po përballemi me “sfidat që ka sjellë modernizimi dhe përparimi me shpejtësi i teknologjisë së informacionit, i cili është një sfidë e madhe ndaj librit. Ne, institucionet shtetërore, duhet të mendojmë së bashku përmes infrastrukturës, dhe profesorët e akademikët përmes mendjes së tyre për ta rikthyer shumë më tepër vëmendjen e gjeneratës së re te libri e te studimet dhe shkrimet”.

ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura