Presidenti Meta vlerëson tre gazetare: Shembuj të duhur të kulturës së punës dhe përkushtimit

Mar 8, 2021 | 20:00
SHPËRNDAJE

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne, tre zonja gazetare të spikatura, Afërdita Selimajn, Violeta Durin dhe Iva Hoxhën.

f6829c9b-75c0-457a-9a99-e0cbec6be8c1

Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zonjën Afërdita Selimaj, me motivacionin: “Me mirënjohje për kontributin e vyer si gazetare dhe drejtuese e Departamentit të Informacionit në ‘Radio Tirana’. E para grua në krye të Lidhjes së Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë, e cila me zërin e  saj të spikatur dhe aftësinë në drejtimin e emisioneve të lajmeve, u shndërrua në njërën prej figurave më të ndjekura në valët e ‘Radio Tiranës’, brenda dhe jashtë vendit.

Zonja Violeta Duri, u nderua gjithashtu me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të merituar për punën dhe angazhimin profesional si gazetare radiofonike. Një nga profesionistet më të dashura për dëgjuesit e ‘Radio Gjirokastra’ në jug të vendit, si dhe për kontributin e spikatur në fushën e gazetarisë, jo vetëm nëpërmjet edukimit universitar të brezave më të rinj, por dhe për gjurmët e lëna në shtypin e shkruar, përmes artikujve të botuar dhe punës si redaktore e shumë emisioneve radiofonike. 

Ndërsa zonja Iva Hoxha u çmua me Titullin ‘Naim Frashëri’, me motivacionin: “Me mirënjohje për prezantuesen ikonë përgjatë tri dekadave të ‘Televizionit Publik Shqiptar’, Me aftësitë e saj shprehëse dhe shqiptimin e pastër, hyri jo vetëm në shtëpitë e çdo shqiptari, por edhe në zemrat dhe mendjet e tyre, duke u shndërruar në simbolin e emisioneve të përditshme informative.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë të jemi sot së bashku, në 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, për të dhënë një vlerësim të merituar për tre zonja të nderuara, që kanë lënë mbresa në kujtesën e çdo shqiptari.

Mënyra më e mirë për të nxitur guximin dhe kulturën e punës, veçanërisht tek vajzat dhe brezi i ri është përmes dhënies së shembujve.

Ju keni pasur këmbënguljen të shpaloseni me zërin, figurën dhe personalitetin tuaj përpara shoqërisë, duke përmbushur një mision fisnik, atë të informimit të qytetarëve.

Këtë mision e keni përmbushur në kohë jo të lehta, para viteve `90-të, kur nuk kishte as lehtësira teknologjike dhe as lirinë  e sotme në përhapjen e lajmeve, por përkundrazi të njëjtin mision e vazhduat, me po të njëjtin përkushtim, edhe pas viteve `90-të, në një periudhë po të vështirë të tranzicionit dhe për këtë meritoni veçse mirënjohje.

Sot është një ditë e veçantë, ku ne ju shprehim mirënjohjen për punën dhe kontributin tuaj, përmes këtyre vlerësimeve.

Por, sot është dhe dita juaj, si gra dhe nëna. Kur gjithë bota ndalet dhe ju uron për jetën tuaj, për faktin se përditë keni kontribuar për të bërë më të lehtë jetën e familjarëve, miqve e kolegëve tuaj.

Gazetaret që nderojmë sot, janë një krenari e komunitetit të gazetarëve. Ato shërbyen mbi tre dekada në misionin e shenjtë, atë të informimit të publikut, duke përçuar anë e mbanë vendit, por dhe jashtë kufijve, qëllimin sublim: për informimin e qytetarëve.

 Sot, në këtë ditë të shënuar për gratë dhe vajzat e mbarë botës, kam nderin të vlerësojë 3 zonja shumë të nderuara:

Ikonë e ‘Radio Tiranës’, Afërdita Selimi, që me punën e saj të shkëlqyer si gazetare terreni dhe dëshmitare e shumë ngjarje historike, që shënjuan Shqipërinë e pas Viteve 90’ dhe ajo diti të ishte një profesioniste e shkëlqyer.

Violeta Durin, gazetaren e ‘Radio Gjirokastrës’, një zë dhe figurë e dashur për jugun e vendit, e cila nëpërmjet valëve të radios diti të hynte në shtëpitë e çdo gjirokastriti, por jo vetëm. Shkrimet e saj në gazetën ‘Drita’ ishin ushqimi i çdo njeriu për t’u informuar.

Iva Hoxhën, ikonën e Radio Televizionit Publik Shqiptar, që me zërin, thjeshtësinë dhe me elokuencën e saj, mbërthente para ekranit të vogël mijëra shqiptarë në orët e mbrëmjes.

Edhe një herë Gëzuar festën e 8 Marsit dhe të punojmë të gjithë për fuqizimin e gruas, nënës dhe vajzës shqiptare në shoqërinë tonë, që të jemi një shoqëri e vërtetë europiane!”

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura