Presidenti Meta vlerëson karateistin Enver Cakiqi me titullin “Mjeshtër i Madh”: Talenti dhe thjeshtësia e tij, frymëzim për brezat e ardhshëm

Jan 24, 2021 | 17:17
SHPËRNDAJE

ilir-meta-enver-cakiqi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi karateistin, Enver Cakiqi me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për pasionin, përkushtimin dhe karrierën e suksesshme si sportist i karatesë; për arritjen e rezultateve të larta ndërkombëtare dhe angazhimin në themelimin dhe zhvillimin e sportit të karatesë në Shqipëri. Respekti, miqësia dhe thjeshtësia janë shembull frymëzimi për karateistët e ardhshëm”.

Në fjalën përshëndetëse Presidenti Meta tha se shembulli i punës dhe suksesit të Enver Cakiqit është një burim frymëzimi, sidomos për më të rinjtë, duke theksuar se sporti jo vetëm ju zhvillon, por ju ofron mundësi të shpalosni talentin tuaj.

“Kam kënaqësinë të vlerësoj në këtë ceremoni  kontributin e madh në themelimin, masivizimin dhe rezultatet e këtij sporti, falë edhe punës të këtij mjeshtri, trajneri dhe eksperti të jashtëzakonshëm të karatesë.

Enver Cakiqi ka lindur në Kosovë dhe ka edhe nënshtetësi gjermane. Është Mjeshtër Ndërkombëtar i Karatesë dhe mban titullin më të lartë për shqiptarët në botë: ‘Shihan 8 Dan’, që po i jep Shqipërisë vazhdimisht tituj, medalje dhe trofe në aktivitetet europiane dhe botërore.

Ai ka krijuar një marrëdhënie të shkëlqyer me Federatën Shqiptare të Karatesë dhe është një nga protagonistët kryesorë të zhvillimit të këtij sporti.

Enver Cakiqi është shpallur 4 herë Kampion Bote, 1 herë Kampion Europe, 5 herë Kampion i Gjermanisë dhe 3 herë Kampion i Kosovës.

Enver Cakiqi është themeluesi i shoqatës së parë të karatesë në Tiranë, në vitin 1991 dhe themelues i Unionit Mbarëkombëtar të Arteve Marciale në Tiranë, në vitin 1996.

Enver Cakiqi është iniciatori dhe kontribuesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Federatat Ndërkombëtare të Karatesë.

Ai mban titullin e Arbitrit Ndërkombëtar dhe është zgjedhur drejtor teknik për Europën dhe është anëtar i komitetit ekzekutiv në Federatën Botërore.

Karriera e tij sportive është e pasur me tituj kampionë e medalje të shumta në veprimtaritë kombëtare në Kosovë dhe në shumë veprimtari ndërkombëtare.

Shembulli i punës dhe suksesit të Enver Cakiqit është një burim frymëzimi, sidomos për më të rinjtë, duke theksuar se sporti jo vetëm ju zhvillon, por ju ofron mundësi të shpalosni talentin tuaj”, tha Presidenti Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura