Presidenti Meta vlerëson Ambasadoren franceze, Christina Vasak: Forcoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe promovoi…

Sep 22, 2020 | 20:16
SHPËRNDAJE

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi Ambasadoren e Republikës së Francës, Znj. Christina Vasak me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”.

78924d11-6ad2-4912-8285-5f73ff0a9996

Në ceremoninë e dekorimit, ku ishin të pranishëm diplomatë, Avokati i Popullit, përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile, artistë e intelektualë të shquar, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi rolin e ambasadores.

Gjatë kësaj kohe- vazhdoi Meta, znj.Vasak u shqua për dinamizmin e saj në nxitjen dhe në forcimin e gjithanshëm të raporteve midis dy vendeve tona mike.

“Ajo sigurisht do të kujtohet edhe për promovimin e turizmit dhe traditave tona më të mira”, veçoi ai.

Sipas Metës, “kemi besim të plotë që edhe pas largimit të saj nga Shqipëria ajo do të mbetet një ambasadore e vlerave shqiptare kudo që ajo do të ndodhet”.

Fjala e plotë e Presidentit Meta:

“Kam kënaqësinë e veçantë të organizoj sot këtë ceremoni për një mike të veçantë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

Ambasadore Vasak nuk ka shumë nevojë për prezantime, pasi ajo është e njohur për publikun shqiptar por dhe në mjedisin diplomatik në Tiranë, si një zonjë e nderuar dhe e pajisur me mirësinë dhe fisnikërinë e qytetarisë franceze, sigurisht dhe asaj europiane, por edhe si një profesioniste e klasit më të lartë.

Znj.Vasak erdhi në Shqipëri pas disa postesh të rëndësishme në trupin diplomatik francez dhe organizata  ndërkombëtare, me një përvojë të gjatë në diplomaci, dëshmi e rëndësisë që vendi i saj i jep marrëdhënieve me Shqipërinë, për çka ne i jemi shumë mirënjohës autoriteteve më të larta të Francës.

Marrëdhëniet historike e tradicionalisht shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Francës kanë rëndësi shumë të madhe për ne, në mënyrë të veçantë në këtë periudhë, edhe për vetë peshën e Francës në Bashkimin Europian, por edhe për synimet strategjike të vendit tonë për t’u bërë pjesë e Europës së bashkuar.

Ne i jemi mirënjohës Francës për të gjithë mbështetjen në procesin e integrimit evropian, por edhe për kontributin në paqëtimin dhe stabilizimin e rajonit tonë.

Gjatë kësaj kohe, kur znj.Vasak shërbeu si ambasadore e Francës, u shqua për dinamizmin e saj në nxitjen dhe në forcimin e gjithanshëm të raporteve midis dy vendeve tona mike.

Ajo sigurisht do të kujtohet edhe për promovimin e turizmit dhe traditave tona më të mira.

Ne kemi besim të plotë që edhe pas largimit të saj nga Shqipëria ajo do të mbetet një ambasadore e vlerave shqiptare kudo që ajo do të ndodhet.

Kristinën e vlerësoj për sinqeritetin dhe drejtësinë e gjykimit dhe vlerësimit, si diplomate që respekton, në rradhë të parë, institucionet e vendit pritës, që ndihmon pa asnjë përpjekje për të diktuar, apo marrë protagonizëm të pa merituar. Përveç profesionalizmit, një vlerë e saj është edhe thjeshtësia, ndaj e vlerësojmë si një mike të dashur dhe të besueshme për të gjithë.

Jam i gëzuar që me jepet rasti, që të shpreh mirënjohjen për Ambasadoren e nderuar dhe miken tonë të veçantë, duke i akorduar: Titullin e lartë për ‘Merita të Veçanta Civile’.

Më lejoni t’i uroj Ambasadores Vasak sa më shumë suksese në të ardhmen dhe shpreh bindjen që Shqipërinë, vlerat dhe bukurinë e saj, Christina kurrë nuk do t’i harrojë.

 

Jam i sigurtë se do të gjejë kohë të vijë të na vizitojë sërish, pasi ajo e njeh tashmë mikpritjen tonë dhe e di fare mirë se derën e shqiptarëve do ta ketë gjithnjë të hapur.

Suksese znj.Vasak në të ardhmen dhe mbarësi marrëdhënieve shqiptaro-franceze”, u shpreh Kryetari i Shtetit.

Ambasadorja franceze Sh.S.Znj. Christine Vassak shprehu mirënjohjen  dhe kënaqësinë e saj për vlerësimin nga ana e Presidentit Meta si edhe siguroi se do të vazhdojë edhe në të ardhmen të promovojë vlerat më të mira të Shqipërisë.

 

Diplomates franceze, ky vlerësim ju akordua me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e rëndësishëm diplomatik, në forcimin e marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Franceze, si dhe në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy popujve tanë dhe mbështetjen e vyer në procesin e integrimit evropian të vendit tonë”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura