Presidenti Meta tregon porositë që i dha kontrollorëve në takimin e disa ditëve më parë, ja dy pyetjet që ka për ministren Balluku

Apr 7, 2021 | 19:51
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka folur për protestën e kontrollorëve të Albcontrol.

Teksa tha se në takimin e 31 marsit që pati me disa përfaqësues të kontrollorëve, i ka kërkuar atyre të vazhdojnë punën, pasi do punohet për gjetjen e një zgjidhjeje sa më parë, Meta i ka drejtuar edhe dy pyetje ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Si shpjegohet se për 10 muaj për këtë çështje të sigurisë kombëtare nuk gjete kohën të takoheshe me kontrollorët që janë të trajnuar për më shumë se 20 vite nga shteti shqiptar dhe institucionet ndërkombëtare?

Si shpjegohet se ato letrat për koncesionin e aeroportit Rinasit i bërë për një ditë kur duhet të bëheshin për 6 muaj apo 1 vit?” ishin dy pyetjet që Meta i drejtoi, nga Vlora, ministres Balluku.

Meta: Protesta cenon seriozisht jo vetëm detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve vendas dhe të huaj, jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe atë ndërkombëtarë. Jemi një vend anëtar i NATO-s dhe kemi detyrimet tona. Është një mesazh i gabuar dhe një lënie nervash nga të dyja palët. Prej më shumë se 10 muajsh sindikata e kontrollorëve ka ngritur pretendimet jo vetëm ndaj Ministrisë, por edhe ndaj institucioneve të tjera dhe partnerëve ndërkombëtarë, institucioneve evropiane, për të gjitha arsyet.

Nuk ka patur asnjëherë një dialog mes përfaqësueseve të Ministrisë dhe autoriteteve e zyrtare. Jam njoftuar për këtë çështje dhe kam kërkuar sqarime. Duke e parë problematikën si pa zgjidhje në 31 mars i kam pritur në takim disa përfaqësue të kontrollorëve, takim që është bërë publik. Ata nënvizonin faktin se të drejtat e tyre ishin cenuar dhe kundërshtonin pezullimin e të drejtave të fituara për një periudhë të pacaktuar. Sipas tyre për 10 muaj nuk kishin marrë përgjigje dhe askush nuk kishte marrë përgjegjësi për të diskutuar në lidhje me problemet e tyre.

I kam kërkuar me përgjegjshmëri të plotë dhe i kam bërë apel kontrollorëve që të vazhdonin të ushtronin detyrën pa asnjë ndërprerje se siguria ajrore në hapësirën shqiptare është një çështje madhore dhe jetike ndaj shqiptarëve, por edhe si vend anëtar i NATO-s. I kam thënë vazhdoni punën se do përpiqemi të gjejmë një zgjedhje dhe do përfitoni të drejtat tuaja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura