Presidenti Meta në qendrën e emergjencave civile në Durrës me Haradinajn: Mirënjohje Kosovës, gjithmonë do jemi bashkë

Nov 29, 2019 | 14:52
SHPËRNDAJE

e52fc9fc-9e33-4cfb-9db1-13a7e747c7ab

Presidenti i Republikës Ilir Meta, së bashku me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj vizituan sot qendrën e emergjencave civile në Durrës, të ngritur në stadiumin “Niko Dovana”, ku u takuan dhe u interesuan për shëndetin dhe gjendjen e banorëve të mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit që goditi vendin.

959bde99-79d0-4389-8569-100f85e7e374

Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj, të shoqëruar edhe nga anëtarët e kabinetit qeveritar të Kosovës, Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, Ministri i Mbrojtjes, Rustem Berisha, Ministri i Transporteve Pal Lekaj, si dhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, u takuan edhe me njësinë speciale të emergjencave civile të mbërritur nga Kosova.

Gjatë takimit me banorët e pastrehë të Durrësit, si edhe me Forcat e Sigurisë e të Policisë së Kosovës, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Falënderoj për të disatën herë Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, Kryeministrin Haradinaj, e në mënyrë të veçantë Forcat e Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, që kanë shkëlqyer me reagimin e menjëhershëm që në orët e para të përballimit të kësaj tragjedie dhe vazhdojnë të bëjnë më të mirën përkrah forcave tona, në ndihmë të qytetarëve tanë që kanë vuajtur këto pasoja të tmerrshme të tërmetit.

80199d33-bfdc-4258-94d0-713e4fa13be4

Ky solidaritet e ka bërë më të lehtë përballimin e këtyre pasojave, të kësaj dhimbjeje. Edhe një herë z.Kryeministër duhet të jeni krenarë për Forcat e Sigurisë së Kosovës, për Policinë e Kosovës, sepse jam i sigurt që çdo vend i NATO-s do të ishte krenar për më të mirën që ata kanë shfaqur gjatë këtyre ditë- netëve pa ndalim, pa u lodhur. Ndihem mirë kur edhe vetë qytetarëve tanë, shprehin mirënjohjen më të thellë e më të përzemërt të mbarë popullit tonë për këtë solidaritet vëllazëror.”

16b6fc4d-f1f7-445b-b8b7-d1ce085905d1Ndërsa Kryeministri në detyrë i Kosovës, Haradinaj vuri në dukje se: “Jam i nderuar që me një pjesë të kabinetit qeveritar, së bashku me Presidentin e Republikës Meta, jemi sot në Durrës, pranë efektivëve edhe të Policisë së Kosovës, të Ushtrisë së Kosovës, të Ushtrisë së Shqipërisë, për t’iu dhënë përkrahje të mëtejme të gjithë të angazhuarve për kalimin e gjendjes.

Ne bashkëndjejmë me familjet e viktimave, të plagosurve dhe të dëmtuarve, të gjitha ato vështirësi që ka Shqipëria dhe do të vazhdojmë të jemi bashkë. President faleminderit për kohën tuaj!”

a34f68e4-0459-47e7-bc3d-e6924cc79d82

Në përfundim, Presidenti Meta falënderoi Kryeministrin Haradinaj edhe Qeverinë e Kosovës edhe për kontributin e parë financiar që ata dhanë prej gjysmë milioni euro, duke nxitur dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve dhe sipërmarrësve të Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura