Presidenti Meta dekretoi kabinetin “Rama 3”, kush janë 12 femrat dhe 5 meshkujt që do jenë në krye të ministrive në nisje të mandatit të tretë

Sep 15, 2021 | 9:34
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Marrëdhënia e tensionuar gjatë fushatës zgjedhore mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Ilir Meta nuk ka ndikuar në nisjen e mandatit të tretë qeverisës nga PS.

Meta-Rama-Presidence

Kreu i shtetit, Ilir Meta, dekretoi dje në mbrëmje kabinetin e ri qeverisës “Rama III”. Para shpalljes së dekretit, Presidenti Meta iu drejtua me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion ku kërkoi informacion për emrat e ministrave të rinj. E menjëhershme ishte përgjigjja nga institucionet e drejtësisë, të cilat konfirmuan se s’ka asnjë ministër në hetim. Pasi mori edhe përgjigjen e SPAK, Presidenti Meta shpalli dje dekretin e qeverisë së re.

“Asnjë prej emrave të paraqitur nuk është i regjistruar si person nën hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në përgjigjen e SPAK.

Më herët, edhe Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje kreut të shtetit në lidhje me të njëjtën kërkesë. Sipas organit të akuzës, asnjë prej kandidatëve për ministra nuk është person nën hetim.

QEVERIA RE

Kabineti i ri qeverisës i mandatit të tretë i Edi Ramës do të dominohet nga gjinia më pak e përfaqësuar.

Janë 12 gra, të cilat do të jenë në krye të ministrive të qeverisë së re.

Kështu, në mandatin e tretë janë konfirmuar dy ministret Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu.

Për të dyja ministret kryesocialisti shprehu vlerësime që në asamblenë e PS-së, para se të caktonte qeverinë e re.

Ndërkohë, Olta Xhaçka do të vijojë të jetë në krye të Ministrisë së Jashtme dhe Integrimit.

Xhaçka shkoi para zgjedhjeve të 25 prillit në Ministrinë e Jashtme, pasi më herët drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkohë, në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë Niko Peleshi, i cili u emërua në atë ministri po ashtu para zgjedhjeve parlamentare pas një shkëputje që i bëri Kryeministri kur e largoi nga Ministria e Bujqësisë.

Ndërkaq, Milva Ikonomi, e cila drejtoi për disa kohë Ministrinë e Bujqësisë, së fundmi është emëruar ministre pa portofol për Standardet e Shërbimeve. Testi që bëri para zgjedhjeve lokale pasi largoi Sandër Lleshajn duket se ka dhënë besimin e duhur te kryesocialisti për të lënë Blendi Çuçin ende në krye të Ministrisë së Brendshme.

Duket se qarku i Gjirokastrës është vlerësuar nga kryesocialisti Rama pasi përveç Blendi Çuçit, që ishte drejtues politik në Gjirokastër, Rama emëroi në krye të Ministrisë së Turizmit Mirela Kumbaron, e cila u zgjodh deputete në Gjirokastër dhe ka mbajtur më herët postin e ministres së Kulturës.

Ndërkohë, në krye të kësaj ministrie rikonfirmohet Elva Margariti. Sakaq, për herë të parë në karrigen e ministrit ulet Ulsi Manja. Ky i fundit në mandatin e dytë ka drejtuar për shumë kohë Komisionin e Ligjeve në Kuvend.

Manja zë vendin e Etilda Gjonajt, e cila në këtë mandat do të jetë vetëm deputete dhe sekretare e grave në Partinë Socialiste. Arben Ahmetaj do të jetë zëvendëskryeministër me kompetenca edhe për procesin e rindërtimit, çka e ka ndjekur që në fillim të procesit.

Ndërkohë, në krye të Ministrisë së Bujqësisë shkon Frida Krifca. Delina Ibrahimaj ishte së fundmi drejtoresha më jetëgjatë e Tatimeve, por në këtë mandat Kryeministri Rama e zgjodhi për në krye të Ministrisë së Financave, duke e zëvendësuar me Anila Denajn. Jashtë qeverisë mbetet Erion Braçe, Pandeli Majko dhe Eduart Shalsi.

qeveria e re rama 3

Brenda 10 ditëve ministrat betohen në Parlament dhe më pas në Presidencë

Ministrat e rinj të dekretuar dje nga kreu i shtetit tani brenda 10 ditësh pritet që të betohen në Parlament. Po ashtu, do të prezantohet edhe programi qeverisës.

Seanca plenare e radhës për betimin e qeverisë së re pritet të mblidhet brenda kësaj jave. Ndërkohë, pas kalimit të kësaj faze, ministrat e rinj dhe Kryeministri Rama do të duhet të shkojnë edhe te kreu i shtetit për t’u betuar para Kushtetutës.

Në qeverinë 3 të Kryeministrit Rama do të jenë disa ministra, të cilët nuk kanë mandat deputeti. Kështu, Bora Muzhaqi, e cila është ministre pa portofol për të rinjtë nuk ka mandat deputet.

Po kështu, në krye të Ministrisë së Financave do të jetë ish-drejtoresha e Tatimeve, e cila po kështu nuk ishte në listën e deputetëve. Frida Krifca që do jetë në krye të Bujqësisë, nuk ka mandat deputeti.

Këto janë figura të spikatura nga kreu i qeverisë në krye të agjencive të rëndësishme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura