Presidenti Meta çmon poetin e shquar Xhevahir Spahiu me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: Xhevahiri i letërsisë shqipe!

| 18:00
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar poetin e shquar Xhevahir Spahiu me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: Xhevahiri i letërsisë shqipe!

cc6e9fd8-a008-4ca1-b254-ac1af1585986

Ky dekorim erdhi me rastin e 75 vjetorit të poetit të njohur.

Motivacioni i dekorimit është “Poet, që me krijimtarinë e tij, u bë pararendës i një brezi krijuesish që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha, qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, në ceremoninë solemne të organizuar në Institucionin e Kreut të Shtetit, mes të cilëve ishin Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, akademikë, artistë, poetë, shkrimtarë, muzikantë, kompozitorë, gazetarë dhe politikanë, Presidenti Meta nënvizoi kënaqësinë për dekorimin e njërës prej figurave më të spikatura jo vetëm të poezisë shqipe, por edhe të jetës artistike dhe sociale.

1c5fff46-6edd-4735-a0de-72435b0796fc 3fc33238-c951-4f9d-a19d-54bbe001428b c3d4850f-a759-4817-a510-70bac687d850

Fjala e Presidentit Meta:

“Xhevahir Spahiu – xhevahiri i letërsisë shqipe.

Ceremonia e sotme është e veçantë dhe shumë emocionuese edhe për mua personalisht, si President i Republikës, por edhe si lexues i vëmendshëm e gjithnjë i dedikuar, edhe si mik i Xhevahir Spahiut, i Xhevos tonë, siç jemi mësuar t’i drejtohemi të gjithë ne, miqtë, dhe familja e tij.

Të tillë këtë ceremoni e bën emri dhe vepra e Xhevahir Spahiut, pazgjidhshmërisht të lidhura e të bëra një, e tipikisht të spikatura në botën e letrave shqiptare, përmes një individualiteti të konturuar si i tillë qysh prej fillimeve, e të përveçuar qartë e bindshëm përmes krijimtarisë së tij të pasur, të larmishme e të veçantë si vetë jeta e poetit.

Xhevahir Spahiu është një prej atyre emrave që i bën nder çdo epoke, çdo gjuhe, çdo letërsie.

Ai bëri emër në një kohë të vështirë.

 

Xhevahiri ka jetuar si qytetar i denjë i këtij vendi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit.

 

Ai bashkoi në artin e tij protestën e të indinjuarit, frymëzimin e novatorit, mirësitë naimiane.

Kur të bëhet një histori e vërtetë e publicistikës shqiptare, Xhevahir Spahiu do të jetë në krye të vendit si reporter, prej të cilit gazetarët e sotëm të Shqipërisë, që e kapërcejnë Unazën e Tiranës vetëm kur ka zgjedhje, do të ndihen kokëulur.

Kur të shkruhet një histori e poezisë militante, por jo për motive ideologjike: nje poezi militante si e Migjenit, prapë Xhevahir Spahiu do të jetë në vendin e nderit.

Kur të kemi një histori të dukurive letrare që ndodhën në vitet 1970, sërish Xhevahiri ynë, Xhevahiri i letërsisë shqipe, do të jetë një emër i pazëvendësueshëm.

Tek Xhevahir Spahiu, tek poezia e tij, janë shartuar Jugu e Veriu, Malindi dhe Skrapari e po aq edhe Vlora e Kosova, deti e Bjeshkët e Namura, Naimi e Migjeni, vargu i popullit e këngët e Demir Zykos dhe teknikat e Zhak Preverit, intuita dhe leximi, gjuha e vendlindjes, vetëdija e metropolit, dashuria për njeriun dhe krenaria kombëtare.

Kryelartë Xhevahir Spahiu, sfidat i pranoi si sfida dhe dorashkën e hodhi duke qenë gjithnjë sfidant i kohës së vet.

Poeti që guxoi të shtjerë në dritë të vetëtimës; poeti që guxoi të ecë në teh të briskut, poeti që nuk njohu kurrë lajka, mite dhe mbase as perëndi, sot merr një nderim që rrallëkush si ai e meriton.

‘Dil sa pa rënë nata e gjatë,

Sa pa të marrë harrimi osh,

Në këtë botë të pamatë,

Të rrosh, përkthehet të luftosh!’ – shkruan Xhevahir Spahiu në njërën prej poezive të veta.

Ai ia ka dalë të luftojë e të fitojë, duke qenë ndër ne një model e një referencë fitimtari e krenarie!

Faleminderit për gjithçka Xhevahir Spahiu!

Nderim, mirënjohje dhe jetë të gjatë xhevahir i përjetshëm në panteonin e kulturës sonë kombëtare!”.

 

 

 

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

1 KOMENT

  1. Xh Spahiu eshte nje komunist i thekur, anetar i PPSH-se dhe mbi te gjitha nje mashtrues. E dini ju z. President qe ai i shkaktoi nje traume te pandreqshme nje vajze te talentuar te kohes se rinise. Vajza dhe familja e saj e kane mallkuar ate perjetesisht dhe nga mallkimi nuk do ta shpetoje dot dekorimi hipokrit i presidentit. Ka shume njerez te ndershem e punetore per t'u dekoruar. Jo mashtruesit!

Comments are closed.